KOSOVE- Situata në veri të Kosovës gjatë natës së kaluar ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. Burime të Kosovapress, bëjnë të ditur se barrikada që ishte vendosur në Leposaviç, në rrugën që çon në drejtim të pikës kufitare Jarinje, është hequr mbrëmë në orët e vona.
Sipas këtyre burimeve, gjatë natës nuk ka pasur të tubuar në këtë vend, por vetëm një numër shumë i vogël i disa të rinjve, të cilët kanë qëndruar anës rrigës për të vëzhguar automjetet që qarkullojnë në këtë drejtim.
Kryetari paralel i komunës së Leposaviçit, Branko Niniç ka thënë se me largimin e barrikadave në këtë komunë është duke u zbatuar në vepër marrëveshja e përkohshme e arritur mes përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë dhe KFOR-it.
Sipas tij, serbët do të organizojnë kujdestari në mënyrë që të përcjellin situatën në pikën kufitare Jarinje.
Në anën tjetër, barrikadat e vendosura në Rudare afër Zveçanit dhe Zupç te Zubin Potokut, vazhdojnë të mbeten aty.
© Panorama.al











