12 kushtet e BE, Haxhinasto seancë në Bruksel

May 14, 2012 | 9:16
Ministri i Jashtëm, Haxhinasto

Zhvillimet politike në vend, zbatimi i Planit Kombëtar të Veprimit për 12 prioritetet dhe zhvillimet e fundit në rajon do të jenë në qendër të seancës së posaçme dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian (AFET), ku është i pranishëm zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Sipas ministrisë së Jashtme, seanca do të drejtohet nga Kryetari i këtij komisioni, eurodeputeti gjerman Elmar Brok. Në panel do të marrin pjesë dhe Ministrja e Integrimit dhe Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit.

Haxhinasto do të marrë pjesë dhe drejtojë takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, që do të zhvillohet në Bruksel, në datën 15 maj 2012. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit Ditmir Bushati, si pjesë e delegacionit shqiptar.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në këtë takim kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Fernando Xhentilini.

Gjatë takimit do të vlerësohet progresi që ka bërë Shqipëria në plotësimin e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian, zbatimin e MSA-së, zhvillimin ekonomik në vend, përafrimin e legjislacionit dhe mbi qasjen e politikës së jashtme shqiptare në rajon.

© Panorama.al

Te lidhura