Situata në përmirësim, 15 mijë banorë të izoluar

Feb 20, 2012 | 15:31
Qyteti i Bulqizës i pushtuar nga bora

TIRANË- Situatë drejt përmirësimit dhe tërësisht nën kontroll në zonat e bllokuara nga bora. Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka njoftuar sot se aktualisht janë të izoluar 15 mijë banorë, nga 800 mijë që ishin më parë.

Në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha ka dhënë detaje të situatës më të fundit në zonat e bllokuara, duke deklaruar se 90 komuna janë nxjerrë nga izolimi.

“Janë dërguar pako me ndihmën mjekësore me gjithë medikamentet, sipas patologjisë së raportuar nga qendra shëndetësore, janë transportuar me helikopterë 79 urgjenca, nuk ka mbetur as edhe një rast që nuk ka marrë trajtimin si urgjencë në cfarëdo lloj rrethane që është gjetur. Ekipet e helikopterëve kanë bërë fluturime në situata nga më të vështirat dhe kanë evakuuar dhe ndihmuar të sëmurët, por një kujdes i vecantë është bërë për nënat shtatzëna dhe kjo ka funksionuar shumë mirë”- tha Berisha.

Sipas tij, qeveria do të mbajë këtë situatë dhe këtë shkallë angazhimi deri sa të rivendoset kalueshmëria e rrugëve jo vetëm kombëtare dhe rurale, por edhe atyre komunave.

Ai ka akuzuar Ramen per llafe te kota, nderkohe qe qeveria punonte per emergjencen.
“Të bësh ciu-ciu 5 herë në ditë është kollaj, por është gjë krejt tjetër të prekësh me dorë ata njerëz që me shumë vullnet treguan përkushtim të madh dhe përballuan borën. Sepse banorët e izoluar asnjëherë nuk gjenden të papërgatitur. Asnjë deputet i PS nuk shkoi në zonat e bllokuara. Kurse ne kemi kryer mbi 35 fluturime në zonat e bllokuara”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura