
TIRANE- Ministria e Brendshme njoftoi se momentalisht janë 33 vatra aktive zjarri në të gjithë vendin, ndërsa po punohet për izolimin dhe shuarjen e plotë të tyre.
Të gjitha këto vatra zjarri, sipas zëdhënësit të MB-së, Leonard Olli janë nën kontroll dhe për shuarjen e tyre po punohet nga toka dhe nga ajri. Ai tha se në disa vatra është gati e pamundur ndërhyrja nga toka për shkak të terreneve malore.
Olli iu përgjigje edhe akuzave të opozitës, e cila e ka cilësuar si mjaft alarmante situatën e krijuar nga zjarret. Duke iu referuar postimeve tw kreut të opozitës, Edi Rama nw Twitter, ai tha se deklarimet që vijnë nga rrjetet virtuale janë realitete virtuale. Opozita duhet të dënojë zjarrvënësit dhe jo të anatemojë institucionet, tha Olli.
Sipas Ollit, deri në këto momente janë vënë në pranga rreth 55 persona si përgjegjës për zjarrvënie. Që në krye të herës Shqipëria është prekur nga rreth 300 vatra zjarri, ku pjesa më e madhe e tyre është vënë nga dora e njeriut. Ndryshe nga vendet fqinje në Shqipëri nuk ka patur dëmtim të pronës private, apo dëme në njerëz, tha Olli, duke shtuar se në krahasim me një vit më parë situata paraqitet në rreth 30% me e lehtë.











