
TIRANE- Nga 33 vatra zjarri që ishin një ditë më parë në të gjithë vendin, sot janë 26. Ministria e Brendshme tha sot se, bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, dha një panoramë të plotë të gjendjes së vështirë të kruijuar nga zjarret. Qarku i Shkodrës vazhdon të mbetet qarku më problematik, me vatra zjarri, ndërsa edhe në Tiranë një vatër zjarri në vendin e quajtur Lapidari i Krrabës, vazhdon të jetë mjaft e përhapur.
Edhe dy vatra në qarkun e Kuësi vazhdojnë të mbeten problematike, thuhet në deklaratën e MB-së, ajo në Qafë Komi dhe në ekonominë pyjore Surroj.
Qarku Vlorës, Durrësit, Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Fierit nuk janë të prekur nga zjarret.
Situata sipas qarqeve
Qarku Dibër: Vijon zjarri në ekonominë pyjore “Lura 1”, në vendin e quajtur “Zhavorri” Në parkun kombëtar “Lura 2”, zjarri në vendin e quajtur “Fusha e Pelave” dhe “Liqeni i Bruçit”, i favorizuar dhe nga erërat e forta, vazhdon të digjet në vetvete dhe gjatë ditës së sotme është vënë nën kontroll. Zjarret në ekonominë pyjore Kacni, fshatin Mazhicë të komunës Shupenzë dhe zjarri në qafën e Klenjës, aktualisht janë izoluar. Mbeten gjithashtu aktivë zjarret në ekonominë pyjore “Luçan”, komuna Martanesh, në ekonominë pyjore “Mbas-Deje”, sektori pyjor Derjan, si edhe në fshatin Dragu, komuna Fush Bulqizë.
Qarku Elbasan: Në rrethin e Gramshit, ka 2 vatra zjarri aktive. Në fshatin Lubinjë, komuna Tunjë, ku po janë të angazhuar forca të FA-ve, të shërbimit pyjor dhe komunitetit. Vatër e re u shfaq pyllin me pisha, në fshatin Zenelaj të komunës Skënderbegas, ku për shuarjen e tij kanë shkuar edhe mjete zjarrfikës.
Në rethin e Librazhdit janë aktive 3 vatra zjarri. Zjarret në fshatin Borovë, komuna Stërblevë dhe në fshatin Përvallë, komuna Lunik janë izoluar. Po punohet për izolimin e zjarrit në fshatin Librazhd Katund, të komunës Qendër Librazhd.
Qarku Kukës: Vatrat e zjarrit në Qafë Komi dhe në ekonominë pyjore Surroj, vijojnë të jenë problematikë. Vatra e zjarrit në rajonin e Zapodit, komuna Zapod, zjarri në Bjeshkët e Cukalit, komuna Bujan Tropojë dhe vatra e zjarrit në Kojën e Geg Hysenit, komuna Fierzë Tropojë, aktualisht janë nën kontroll të plotë.
Qarku Lezhë: Ka 4 vatra aktive zjarri. Në fshatin Malaj, Bashkia Rreshen, në fshatin Selitë, komuna Selitë, në Kaçinar dhe në fshatin Gallatë, komuna Selitë të Kurbinit.
Qarku Shkodër: Ka 5 vatra aktive zjarri. Në rrethin Shkodër është aktive një vatër zjarri në fshatin Lekaj, komuna Shalë. Në rrethin Pukë janë aktive dy vatra zjarri, një në Malin e Krrabit, fshati Midë dhe një në fshatin Fusha e Kohit, komuna Qelëz.
Në rrethin e Malësisë së Madhe janë aktive disa vatra zjarri. Në fshatin Grykë Lugje dhe në fshatin Bukoviç të komunës Kastrat.
Qarku Tiranë: Ka 1 vatër zjarri aktive tek Lapidari Krrabës, ku kanë shkuar disa mjete zjarrfikëse te PMNZSH-së Tiranë dhe dhjetra forca aktive, të cilat po ndihmohen edhe nga forca të FA-ve.
© Panorama.al











