Siti i çmendur, por del kampion

May 14, 2012 | 14:34

Nëse dikujt nuk i ra ndonjë infarkt nga finalja e Premier Ligës, ka qenë me shumë fat. Sepse titulli në Angli nuk vendoset vetëm në javën e fundit, por në sekondat e kohës shtesë. Goli i Agueros në minutën e 94-t i dhuroi fitoren 3-2 Sitit me QPR-në dhe titullin e parë kampion që prej vitit 1968. E kotë fitorja e Junajtid, sepse golavarazhi +8 në favor të “qytetarëve” i la Fergusonit shijen më të hidhur në karrierën e tij 25-vjeçare në “Old Trafford”. Ishte hera e parë që një titull vendoset në minutat shtesë. Shumica e atyre tifozëve që kishin mbushur “Etihad”, as që kanë qenë gjallë 13 majin e 44 viteve më parë, kur hiti i momentit ishte “What a wonderful life” i Luis Armstrong dhe kryeministër, laburisti Harold Uillson. U desh gati një gjysmë shekulli për të rilindur. U desh një italian në stol që komshinjtë e urryer të mos i quajnë më milionerët e zhurmshëm.
Dy ndeshje në një
Përmes radios dhe internetit, dy tifozeritë e Mançesterit i ndjekin të dyja ndeshjet njëkohësisht. Madje interesohen edhe për një të tretë, sepse varen shumë dhe si do shkojnë gjërat në Stok-Bolton. Kjo e fundit lufton me QPR-në për t’i shpëtuar rënies. Stoku kalon i pari përpara (minuta e 13-të), çka do të thotë se QPR-ja edhe mund të humbasë ndaj Sitit dhe të shpëtojë. Por, në minutën e 20-të, nga Sandërlendi vjen goli i parë. Runi ka shënuar. Dhe në këtë pikë Junajtid është kampion për të 20-ën herë. Në “Etihad” vjen lajmi i hidhur. Luhet vetëm në gjysmëfushën e QPR-së, e gjitha në mbrojtje. Presioni në këmbët e “qytetarëve” është i papërballueshëm, ndërsa nuk e shqetësojnë thuajse fare portierin Keni. Derisa në minutën e 40-të, pas një pasimi të Turesë, i cili dëmtohet dhe zëvendësohet nga De Jong, Zabaleta shënon për Sitin; Një gjuajtje që i shpëton nga duart portierit të QPR-së dhe përfundon në rrjetë. Tani është Siti për të tretën herë kampion. Thuajse në të njëjtin moment kur Boltoni barazon dhe gjen avantazhin në shtesën e pjesës së parë. Në dhomat e zhveshjes shkon Siti kampion. Të besuarit e Mark Hjuxhsit janë në Championship, ndërsa Boltoni shpëton. Rasti i parë është i Sitit, me Agueron që shpërdoron një rast nga jashtë zone. Por në të 48-ën barazon QPR-ja, edhe në këtë rast për një gafë të Leskotit që i dhuron Cisesë një asist. Bie heshtja në Mançester dhe rritet nervozizmi. Nëse Baloteli nuk është ende në fushë, çmenduritë pritini nga Barton! Sulmuesi godet Tevezin dhe QPR-ja mbetet me 10 vetë. Siti vendos këmbën në gaz. Në minutën e 63-të Agueros i mohohet goli nga portieri në vijën fatale, por 3 minuta më vonë, ndëshkojnë miqtë pas një kundërsulmi në të majtë. Traore harkon në zonë dhe Meki me kokë mposht Hartin. 1-2 për QPR-në, dhe për “qytetarët” ndeshja nis të shndërrohet në një makth. Idiotësia që u kishte uruar Fergi, bën të duket se po ndodh vërtet. Tifozët e Sitit mbyten në lot. Milionerët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi gjithë sezonin dhe janë pranë disfatës në takimin më të rëndësishëm të jetës së tyre. Tani duhet të shënojnë 2 herë në 20 minuta për t’u shpallur kampionë. Hyn Xheko për Berrin dhe Baloteli për Tevez. Artileria është e gjitha në fushë. Ndërkohë, Junajtid godet dy shtylla të tjera dhe humbet raste pa fund. Gjithsesi, 1-0 i shpall sërish kampionë. Mbrojtja e QPR-së me 10 veta është një bunker. Balotelit i mohohet një gol i sigurt me kokë nga portieri në minutën e 90-të. Vjen shtesa dhe goditje këndi për Sitin. Xheko harrohet në qendër dhe 2-2, por titulli është ende i “djajve”. Mbaroi? Ende jo. Aguero merr një top në hyrje të zonës, driblon dhe me një gjuajtje fantastike, shënon golin e tretë për të zotët e shtëpisë. Makthi përfundon në një ëndërr të përmbushur pas 44 vitesh.

Mançini
Për 68 minuta e pa titullin t’i shpëtonte nga duart, por futbolli prandaj është shpikur, sepse dhuron emocione deri në vërshëllimën finale. “Ishte e pabesueshme! E merituam plotësisht. Unë nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë në historinë e Premier Ligës një titull si ky. Jo vetëm që vendoset në javën e fundit, por duhen minutat shtesë. Nuk e meritonim të humbnim. Është një moment fantastik për klubin dhe tifozët, të cilët e kanë pritur këtë çast prej 44 vitesh”.

Ferguson
Aleks Ferguson e cilëson si të pabesueshëm fundin e kampionatit anglez. “Kur një skuadër fiton, e vetmja gjë që duhet të bësh është ta urosh. Në fakt, ishte një fund i pabesueshëm. Para ndeshjes prisnim që Siti të fitonte, por jo në këtë mënyrë. Kur i dëgjova në fund që ata po vërshëllenin, e kuptova se kishte ndodhur diçka jo e mirë. Lojtarët e mësuan çfarë ndodhi vetëm në fund të takimit. Pa diskutim që jemi të zhgënjyer, sepse bëhet fjalë për një titull kampion, i cili për shumë pak sekonda do kishte qenë yni”, përfundoi Sër Aleks.

Premier league
1. Man.Siti        28    5    5    89
2. Man.Junajtid    28    5    5    89
3. Arsenal        21    7    10    70
4. Totenhem        20    9    9    69
5. Njukasëll        19    8    11    65
6. Çelsi        18    10    10    64
7. Everton        15    11    12    56
8. Liverpul        14    10    14    52
9. Fulham        14    10    14    52
10. U’Bromuiç        13    8    17    47
11. Suonsi        12    11    15    47
12. Noruiç        12    11    15    47
13. Sandërlend    11    12    15    45
14. Stok Siti        11    12    15    45
15. Uigan        11    10    17    43
16. Aston Vila        7    17    14    38
17. QPR        10    7    21    37
18. Bolton        10    6    22    36
19. Blekbërn        8    7    23    31
20. U’Hempton    5    10    23    25

© Panorama.al

Te lidhura