Për dy javë, në klubin e Mançester Sitit nuk kuptohet kush do jenë sheikët, pronarët apo skuadra. Sepse faza përgatitore e kampionëve të Anglisë po zhvillohet në një manastir 500-vjeçar, i improvizuar si hotel superluksoz në fshatin austriak të Sefeldit. “Qytetarët” janë akomoduar në hotelin me 5 yje “Klosterbrau” që prej ditës së diel. Këto 14 ditë “pushime” klubit i kanë kushtuar plot 250 mijë euro. Plani ka qenë aq i detajuar, sa klubi ka marrë leje në kishën katolike që të mos bien kambanat gjatë këtyre dy javëve, por përgjigjja e priftit ka qenë negative në mënyrë kategorike. Lojtarët, drejtuesit dhe stafi kanë prenotuar të tria katet e hotelit. Brenda rezervimit është edhe një sallë private ngrënieje, palestra dhe dhoma e masazhit. Sheikët kanë kërkuar edhe zëvendësimin e dyshekëve nëpër dhoma, ndërsa kostoja e njërit prej tyre të qepur me dorë me porosi speciale në Romë i kalon 1.200 eurot për 54 suitat dyshe të hotelit. Për Jaja Turenë është porositur një dyshek 20 cm më i gjatë, ndërsa mesfushori nga Bregu i Fildishtë është i vetmi që ka tavolinë masazhi në suitën e tij. Mançini ka vendosur si orar zgjimi çdo ditë orën 06:30, ndërkohë që bashkëshortet dhe të dashurat e lojtarëve nuk janë lejuar t’i bashkohen ekipit. Ata do të privohen edhe nga ëmbëlsira tradicionale e zonës (strudeli), pasi shefat e restorantit kanë ardhur të gjithë me porosi të sheikëve nga Mançesteri. Në meny mbizotërojnë prodhimet me bazë peshku të Oqeanit Atlantik dhe Detit të Veriut. Nëse Adam Xhonsoni apo Tevezi do të duan të shijojnë pak salcë domateje gjatë 5 vakteve, ata duhet të marrin leje nga menaxherët.
Rinovoi, sepse u bë si Fergusoni
Nuk ishin vetëm milionat ato që e detyruan Roberto Mançinin të rinovonte edhe për 5 vjet në “Etihad”. Trajneri italian i Sitit fitoi betejën me drejtuesit e klubit për t’u bërë menaxheri me të drejta të plota, ashtu siç janë Ferguson te Junajtid dhe Venger tek Arsenali. Përveçse u bë trajneri më i paguar në Angli, me 7.5 milionë paund në sezon, tekniku 47-vjeçar tani do të ketë kontroll total në transferimet e skuadrës. Në kushtet e tij kishte dhe riorganizimin e departamentit mjekësor (për Mançinin djegia e këmbës së Agueros nga një spraj i pakontrolluar sezonin shkuar nuk duhet të përsëritet më, pasi është e turpshme).











