Sekretari i Përgjithshëm i PR detajon propozimet e partive të vogla.
“Votimi le të jetë rajonal, por votat për deputetë të llogariten nga rezultati në rang kombëtar”
Sekretari i Përgjithshëm i PR, Arjan Madhi, propozuesi i modelit të ri që korrekton shpërndarjen e mandateve të deputetëve, sqaron se aktualisht sistemi proporcional rajonal nuk është spanjoll i pastër. Ai konsideron modelin bullgar zgjedhor, i cili bën shpërndarjen e mandateve në rang kombëtar vetëm përmes formulës D’Hondt. Propozimet e 26 partive për përmirësimin e Kodit Zgjedhor lidhur me përllogaritjen e mandateve ka ndezur një debat, ku më shumë po flitet se ky propozim kërkon ndërhyrjen në Kushtetutë për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Rishpërndarja e mandateve kërkon ndryshim të sistemit me Kushtetutë?
Firmosja e atij dokumenti nga 26 parti politike nuk ka hapur debat, por mundësinë e nisjes së një diskutimi për t’u dhënë zgjidhje disa çështjeve siç është pesha a barabartë e votës. Unë kam kënaqësinë që të evidentoj së pari faktin që të gjitha partitë morën përgjegjësinë për të përcjellë dhe dhënë zgjidhje këtij fenomeni, por dhe angazhimin e tyre për të mos prekur Kushtetutën e vendit. Në vlerësimin tim, asgjë nuk e prek Kushtetutën, nëse ne do të kemi vullnet të mirë ta lexojmë me përpikëri Kushtetutën dhe, nga ana tjetër, të bëjmë interpretimin e domosdoshëm, atë që mbart në vetvete përmbajtja e nenit të Kushtetutës se sa të gjejmë artifica për të thënë se kemi pengesa nga Kushtetuta. Çfarë thotë Kushtetuta për sistemin spanjoll?
Kushtetuta në asnjë paragraf të saj nuk shprehet për sistem spanjoll, i cili sot rëndom në Shqipëri propagandohet se është sistemi që ne kemi zgjedhur. Kushtetuta shprehet që Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional dhe nuk përcakton sistemin spanjoll, modelin grek apo modelin bullgar, danez etj. Unë mendoj se ligjvënësi e ka pasur fare mirë parasysh faktin e ndarjes së sistemeve. Njihen që në të gjithë botën grup sistemet janë tre, maxhoritari, proporcionali dhe i përzieri. Ligjvënësi shqiptar ka pasur parasysh dhe ka përzgjedhur sistemin proporcional; Brenda familjeve të sistemeve që unë përmenda më lart, ka modele të ndryshme. Emërtimet e modeleve shumë herë kanë marrë emrat e vendeve ku aplikohen, por shumë herë dhe të emrave të personaliteteve që kanë inspiruar dhe kanë dhënë argumentin shkencor lidhur me një model të përzgjedhur. Ne jemi të njohur me modelet që mbajnë emrat e shteteve, si modeli gjerman, që ne e kemi aplikuar deri në 2009-n me sukses. Sa i takon modelit që aplikuam në 2009, për nga karakteristikat që ai ka nuk ishte sistemi spanjoll, nuk mbart të gjitha veçoritë që sistemi spanjoll ka; Ky është një model shqiptar, dhe s’na pengon asgjë që ta quajmë modeli shqiptar i sistemit proporcional, sepse përmbante disa zgjidhje dhe modele që ishin karakteristike dhe specifike për kushtet e vendit tonë. Ju po thoni që në Shqipëri nuk u aplikua një sistem i pastër spanjoll?
Ne kishim një model që i afrohej dhe spanjollit, dhe bullgarit, dhe grekut, pra ishte i shumëllojshëm, ishin marrë elemente nga modele të ndryshme dhe krijuan kështu një hibrid, por s’kemi pse të mos e emërtojmë modeli shqiptar. Cili është modeli i pastër spanjoll?
Modeli spanjoll është ai që ndan me zona rajonale tërë vendin, por kur shpërndan mandatet fillimisht, çdo rajoni i jep, pa llogaritur peshën e votuesve atje, nga dy mandate. Më pas, mandatet e përgjithshme të numrit të deputetëve i ndan mbi bazën e kriterit të popullsisë. Debati i gjatë në Shqipëri kur ka një disproporcion të thellë ndërmjet rajoneve në Shqipëri, ku një rajon mund të ketë 3 mandate dhe tjetri 33 mandate, së paku sistemi i pastër spanjoll e zbut këtë diferencë mes rajoneve, duke e bërë rajonin me 3 mandate, p.sh. me pesë, duke i dhënë paraprakisht dy mandate para ndarjes së tyre. Përllogaritja e mandateve me sistemin e pastër spanjoll bëhet vetëm mbi bazën e formulës së D’Hondt dhe s’ka metodë tjetër matematikore. Ndërsa ne, përmes D’Hondt përdorëm për shpërndarjen e mandateve dhe një metodë tjetër që njihet dhe kjo në botë, siç është formula Sainte Languë. Propozimet tuaja nga cilat modele janë marrë dhe sa i përshtaten Shqipërisë?
Para së gjithash dua të them se ne nuk na ngurtësohet kërkesa jonë dhe zgjidhja nga Kushtetuta, për faktin se Kushtetuta në nenin 64 të saj shprehet “Deputetët zgjidhen me zona zgjedhore shume-mërore”. Kemi një dallim të madh nga termi “në zona” dhe “me zona”, ata që e njohin ligjin dhe frymën e tij e bëjnë lehtë dallimin. Sistemi bullgar do të mund të rikuperonte mjaft nga ky sistem që ne aplikuam në 2009 dhe të ofrohej ndaj kërkesave të partive të vogla për barazinë e votës. Çfarë parashikon modeli bullgar?
Modeli bullgar e ndan përsëri Shqipërinë në rajone, por në rajone zhvillohet gara zgjedhore me lista ashtu siç e kemi sot të fiksuar, ndërsa shpërndarja e mandateve bëhet në shkallë kombëtare dhe mandatet merren nga partitë politike pasi përpjesëtohet numri i votave të vlefshme me numrin e mandateve në shkallë kombëtare. Dhe nëse një parti x ka marrë x mandate, ajo i shpërndan mandatet sipas rezultateve më të larta që ka arritur në rajonet e saj përkatëse. P.sh. nëse Partia Republikane do të ketë marrë 40 mijë vota në shkallë kombëtare, me një llogaritje të përafërt do t’i dalin diku tek 4 mandate në shkallë vendi. Sipas modelit bullgar, këto mandate nuk shkojnë në një listë të posaçme, por shkojnë tek lista e kandidatëve që kanë kandiduar në qarqe, duke i marrë ato qarqe ku PR ka pasur rezultat më të lartë të saj. Në këtë mënyrë ne kemi bërë një përputhje të plotë të shpërndarjes së mandateve dhe me vullnetin e votuesit, sepse mandatohet personi që ka marrë besimin më të madh të zgjedhësve. Në këtë rast nuk kemi pengesë me Kushtetutën shqiptare, sepse jemi në një sistem proporcional rajonal dhe, së dyti, e kemi bërë zgjedhjen me zona zgjedhore, ndërsa shpërndarja është bërë proporcionale. Nëse ka vullnet politik, si kjo formulë që ne kemi propozuar, ka dhe shumë modele të tjera dhe ne nuk duam aspak të ezaurojmë rolin e ekspertëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nëse do duhej një sugjerim yni si PR, ne kemi dhe shumë të tjerë për të sjellë sa më afër barazinë e votës së shqiptarëve.
Komisioni i Reformës Zgjedhore
Damian Gjiknuri
Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të mblidhet ditën e mërkurë për të vijuar me axhendën e tij. Mësohet se Komisioni do të miratojë numërimin elektronik të votave, ku do të përcaktojë afate konkrete të përmbushjes së këtij procesi dhe garancitë që ky sistem do të japë për një proces të pakontestuar. Ende nuk dihet se si do të përfshihet në axhendën e këtij Komisioni propozimi i partive politike parlamentare dhe jo parlamentare i firmosur nga kryetarët e tyre, përfshirë dhe dy partitë e mëdha, kreun e PD Sali Berisha dhe atë të PS, Edi Rama. Shprehet një lloj skepticizmi për këto propozime, ndoshta do të jetë Parlamenti ai që do të vendosë për futjen e tyre në axhendën e punës së Komisionit të Reformës.
Milo: Të materializohet vullneti politik i PD e PS Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, një nga hartuesit e draftit për korrektim të sistemit zgjedhor, kërkoi të merren parasysh kërkesat e partive të vogla nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Kreu i PDS-së deklaroi dje se 26 firma partish të hedhura mbi draftin e propozuar nga të “vegjlit” për korrektim të sistemit, nuk mund ta bëjnë inferior Komisionin për Reformën Zgjedhore. “Dokumenti i nënshkruar nga 26 partitë është një dokument serioz, që duhet të kthehet nga Komisioni parlamentar në pjesë integrale të Kodit Zgjedhor nënshkruar nga 26 partitë, nuk është një rekuizitë autografesh. Kryetarët e Komisionit parlamentar janë përfaqësues politikë të partive të tyre, asnjë grup nuk mund të shpërbëjë qëndrimin e nënshkruar nga 26 partitë politike”, ka nënvizuar Milo.