Sistemet zgjedhore dhe qëndrimet e partive në Kosovë

Jul 16, 2011 | 11:14

NEXHMEDIN SPAHIU

Vështirë se do të gjendet kompromisi për përz-gjedhjen e sistemit zgjedhor në Kosovë. Secila nga partitë politike do të ngulë këmbë në atë që mendon se është interes i saj. T’i analizojmë me radhë. LDK është gati për t’u përcaktuar për sistemin zonal mbi bazën e komunave…

Kjo për arsye se  komuna që do të tërhiqte më së shumti deputetë, Prishtina, është njëkohësisht komuna ku LDK dominon më së shumti. Prishtina nxjerr 11 deputetë dhe, nëse marrim për bazë rezultatet e kaluara, LDK do të nxirrte 6-7 deputetë nga Prishtina, që është një përparësi e madhe karshi Skenderajt, p.sh., i cili nuk do të mund të çonte më shumë 3 deputetë, pavarësisht përqindjes së madhe të daljes në votime. Përfitimi që mund të ketë LDK në këtë rast mund të neutralizohet (në mos edhe të ketë bilanc negativ) nga firot që mund të japë ky sistem në komunat e tjera. P.sh., në shumë komuna të vogla, që mund të japin vetëm një deputet, kandidati i LDK mund të humbasë vetëm për ndonjë votë. Kjo nuk i dihet, ndoshta edhe mund të fitojë vetëm për ndonjë votë nëse LDK rritet, por nëse pasqyra elektorale mbetet si në zgjedhjet e kaluara (përfshi këtu aftësinë për të vjedhur vota), atëherë sistemi që preferon LDK i leverdisë PDK-së.
PDK
PDK është gati për t’u përcaktuar për sistem me 5-6 apo 7 zona zgjedhore. Drenasi, që bie në zonën e Prishtinës, me “dalje të lartë”, do të mund ta paralizonte përparësinë e LDK-së në qytetin e Prishtinës dhe në Podujevë. Në anën tjetër, zona e Mitrovicës, të cilën PDK e konsideron çerdhe të vetën, do të llogariste edhe Veriun e Kosovës për numër të deputetëve dhe beson se serbët e Veriut nuk do të dalin në zgjedhje, kësisoj i nxjerrin qyl nja 3-4 deputetë më shumë. Përkundër kësaj përparësie, ndarja në 5-6 apo 7 zona mund të shkaktojë efekt tkurrjeje për PDK. Derisa lojtarët kyç të PDK mund të fokusohen në zonën e Mitrovicës dhe Prishtinës, sepse kryesisht nga aty vijnë, në zonat e tjera mund të bjerë fokusimi i PDK dhe rrjedhimisht edhe tkurrja e saj në dy zona. Nga këtu, fare lehtë mund të dalë që sistemi zgjedhor që preferon PDK t’i leverdisë LDK-së apo Vetëvendosjes.
AAK
AAK është e bindur se sistemi me 5-6 apo 7 zona i leverdis asaj. Perceptohet se ky sistem do të mund të shkatërronte Vetëvendosjen, AKR dhe Partinë e Drejtësisë. AAK do të mbetej në skenë për shkak të zotërimit të zonës së Dukagjinit, që i bie 1 apo 2 zona zgjedhore, varësisht se a krijohen 5-6 apo 7 zona zgjedhore.
Ky sistem zgjedhor mund të jetë fatal për AAK-në, pasi mund ta rikthejë atë në një parti zonale pas përpjekjeve serioze për t’u afirmuar si parti nacionale. Në momentin që publiku heton se ambicia e saj është reduktuar, atëherë në zgjedhjet e mëpasshme mund ta humbë edhe zonën.
Vetëvendosje
Nuk duket se ka artikuluar se cilin sistem zgjedhor do të preferonte dhe është vështirë të thuhet se cili sistem zgjedhor do t’i konvenonte.
SLS
SLS është partia që mbledh serbët e Kosovës dhe njëherësh partia që ka perspektivën më të ndritshme në Kosovë.  Meqë kjo parti nuk ka depërtuar në Veri të Kosovës, interesi i saj është që Kosova të mbetet një zonë e vetme zgjedhore, gjë që është në kundërshtim me rezolutën e miratuar në Parlamentin e Kosovës, sipas marrëveshjes Dell-Thaçi-Mustafa-Pacolli.
Sistemi zgjedhor që i duhet Kosovës: ai i kombinuar maxhoritar – proporcional 60/40.
Sistemi zgjedhor për të cilin ka nevojë Kosova është ai i kombinuar maxhoritar – proporcional 60/40. Kosova duhet të ndahet në 60 zona zgjedhore përafërsisht të barabarta (1 zonë = 30 mijë banorë, apo 20 mijë votues). Secila nga këto zona zgjedh nga një deputet. Partitë e propozojnë nga një kandidat për çdo zonë. 40 deputetët e tjerë zgjidhen nga lista proporcionale e partive në bazë të përqindjes respektive të votave duke e korrigjuar përfaqësimin në Parlament.
Ta zëmë, nëse të 60-të deputetët e zgjedhur direkt janë nga radhët e Partisë A, e cila në listën e partive ka fituar, ta zëmë, 50% të votave, atëherë 40 deputetët e tjerë zgjidhen nga radhët e partive B, C etj., varësisht nga përqindja e fituar si parti.
Radhitja e kandidatëve në listat partiake krijohet në bazë të numrit të votave që kandidatët kanë fituar në betejat direkte në zonat e veta zgjedhore, por që nuk kanë arritur të futen në Parlament me votë direkte.
Votuesi në zgjedhjet kombëtare të Kosovës voton me 2 fletëvotime: për deputetin e zonës dhe për partinë e preferuar. Ai ka të drejtë që të votojë, ta zëmë, për kandidatin N, që i takon partisë A dhe për partinë A, por mund të votojë edhe për kandidatin N, që i takon partisë A, ndërsa në listën e partive për partinë B.
Ky sistem mund të mos jetë interes partikular i ndonjërës parti apo edhe i asnjërës parti, por është e sigurt që ky është sistemi i duhur për shkallën e sotme të zhvillimit të demokracisë në Kosovë. Kësisoj, Parlamenti i Kosovës më nuk do të ketë deputetë që s’janë sprovuar direkt në garë. Do të jetë vend i debateve dhe jo vetëm grumbull i pulenve dhe papagajve të liderëve partiakë.

Përzgjedhja amerikane
Është vështirë e besueshme që partitë politike kosovare do të bien në ujdi për sistemin zgjedhor, cilindo qoftë, e aq më pak për atë sistem që i nevojitet Kosovës. Marrëveshjen në fund do ta imponojnë amerikanët.
Fatkeqësia e Kosovës qëndron në atë se amerikanët nuk lodhen shumë me na e gjet sistemin zgjedhor që i përshtatet Kosovës dhe zhvillimit të demokracisë së saj, por thjesht do ta përzgjedhin atë sistem që ata mendojnë se i konvenon asaj partie kosovare që do të jetë favorit i amerikanëve në momentin që e marrin këtë vendim.

© Panorama.al

Te lidhura