
Mëngjesin e djeshëm, në zyrat qendrore të Sigurisë Kombëtare në Damask, ndodhi një shpërthim i fuqishëm me bombë, ku mes viktimave ishte edhe një prej emrave më të njohur të administratës së Presidentit Bashar Al Asad, ministri i Mbrojtjes Davoud Rajiha si dhe zv/ministri Asef Çaukat, njëkohësisht kunati i Presidentit sirian. Lajmi u hap nga televizioni shtetëror sirian. Ndërkohë që raportimet e mediave të tjera flasin dhe për plagosjen e ministrit të Brendshëm të Sirisë, Mohamad Ibrahim, si dhe disa zyrtarëve të lartë të qeverisë. Ky ishte një nga sulmet më të fuqishme kundër zyrtarëve të regjimit të Asad. Televizioni sirian raportoi se shpërthimi ndodhi pas një takimi të kabinetit qeveritar dhe të autoriteteve të larta të sigurisë në Damask, ku prej tri ditësh po zhvillohen luftime të ashpra mes rebelëve dhe forcave të regjimit. Vrasjet e nivelit të lartë, sipas ekspertëve mund të sinjalizojnë një pikë kthese në luftën civile, ndërsa dhuna po bëhet gjithnjë e më kaotike. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, tha se bombardimet tregonin se situata në Siri “po del me shpejtësi jashtë kontrollit”. Ai tha se ishte koha që komuniteti ndërkombëtar të ndërhynte me “presionin maksimal” për të kërkuar largimin e Asad nga pushteti. Familja e Asad e ka drejtuar prej katër dekadash Sirinë. Komandanti i rebelëve sirianë, Riad al-Asaad, pohoi se forcat e tij e kanë organizuar këtë sulm dhe shtoi “Dashtë zoti, qoftë kjo nisja e rrëzimit të regjimit të Asad!”. Edhe pse televizioni sirian tha se ishte një sulm i kryer nga një njeri-bombë, Asaad tha se njerëzit e tij kishin vendosur një bombë në sallën ku do të mbahej mbledhja dhe e kishin detonuar atë.
Ministri i ri
Mediat shtetërore lajmëruan në Damask emërimin e kolonelit Fahd Jasem al-Fraij në krye të dikasterit të mbrojtjes. Koloneli njihet si besnik i Asad dhe po merr përsipër një detyrë të vështirë, në një kohë kur lufta tashmë ka mbërritur deri në zyrat qendrore.











