Ushtria e Sirisë, me tanke e helikopterë, ka thelluar dje ofensivën në lagjet jugore të kryeqytetit, Damask. Ky është sulmi më i ashpër rreth Damaskut, ku ata po luftojnë me rebelët për marrjen e kontrollit. Dhjetëra persona janë vrarë në shumë lagje të kryeqytetit sirian. Sipas aktivistëve, dje herët në mëngjes forcat e presidentit Asad kanë ndërhyrë edhe në hapësirën Kafr Souseh, duke bërë shumë arrestime. Në qytetin verior Haleb banorët thanë se forcat qeveritare janë kthyer në tri lagje të banuara me shumicë popullate të krishterë, Xheide, Telal dhe Sulemanie, që ishin nën kontrollin e luftëtarëve kryengritës prej fundjavës.











