Me gjithë thirrjet e ndërkombëtarëve dhe paralajmërimet e vendit fqinj islamik, Turqisë, forcat siriane të sigurisë kanë vazhduar sulmin kundër protestuesve antiqeveritarë. Vetëm dje humbën jetën të paktën 11 persona të tjerë, kur policia hapi zjarr drejt turmës. Protestat dje nisën pas lutjeve të së premtes. Me gjithë humbjet e mëdha, qindra veta vetëm gjatë ditëve të fundit, protestuesit thonë se nuk do të dorëzohen dhe do të vazhdojnë protestat e tyre derisa sa presidenti autokrat, Bashar al Asad, të japë dorëheqjen. Sipas raportimeve, pesë veta janë vrarë jashtë kryeqytetit, Damask, një në Homs, një në Hama, dy në Alepo, një në Deir el-Zour dhe një në provincën Idlib dhe numri pritet të shtohet. Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve, “Sana”, tha se dy policë janë vrarë në periferi të Damaskut gjatë përleshjeve me armë zjarri. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se regjimi i Bashar al Asadit tashmë është i paligjshëm. “Presidenti Asad e ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr dhe është e qartë se Siria do të ishte më mirë pa të”, tha Klinton. Rreth 2,000 njerëz besohet të jenë vrarë që nga shpërthimi i trazirave në mesin e muajit mars.











