Siri, rrëfen 11-vjeçari: U leva me gjakun e vëllait, u shtira si i vdekur

Jun 1, 2012 | 14:54
Nga rrëfimi i 11-vjeçarit, Ali el-Sayed

Një djalë 11-vjeçar në qytetin sirian Hula, i ka mbijetuar masakrës ku u shfaros edhe familja e tij, duke u shtirur si i vdekur. Ali el-Sayed e ka treguar historinë e tij për agjencinë “Associated Press” duke komunikuar nga Siria me “Skype”. Djali ishte hedhur në tokë, i kishte lagur rrobat e veta me gjakun e vëllait të tij dhe kishte qëndruar pa lëvizur asnjë muskul kur vrasësit, të përshkruar si burra me mjekër të gjatë dhe me kokë të rruar, kishin kaluar pranë tij për të kontrolluar nëse kishte mbetur ndonjë i gjallë. Sipas AP, viktima më e vogël e masakrës ishte Nader, 6 vjeç, i gjetur me një plumb në kokë dhe një në kurriz. “Leva trupin me gjakun e tij dhe u shtira si i vdekur”, tha Ali, familja e të cilit mbeti viktimë e masakrës në Hula gjatë fundjavës së kaluar, ku u vranë 108 persona. Ndërkohë janë rritur polemikat mbi një foto të shpërndarë nga aktivistët sirianë për të denoncuar masakrën. Të dielën në mëngjes, agjencia britanike e lajmeve “BBC” e hapi edicionin me një foto mbi masakrën në Hula, ku duken fëmijët që shohin ritualet e varrosjes sipas traditës islamike. Një fotograf italian ka deklaruar autorësinë e kësaj fotoje, që ai e kishte realizuar për “Getty Images” dhe ishte publikuar nga BBC pa të drejta. BBC raportonte se kjo foto ishte realizuar nga një aktivist dhe besohet se ka të bëjë më fëmijët sirianë. Por, në fakt, fotoja ishte e vitit 2003 dhe nuk kishte lidhje me Sirinë, por me Irakun. Ndërkohë, BE ka deklaruar se unioni nuk ka asnjë opsion për ndërhyrje ushtarake në Siri. Majkëll Man, zëdhënës i komisarit për marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së, ka deklaruar se është e domosdoshme mbështetja e planit të paqes mbi Sirinë, i cili është propozuar nga Kofi Anan duke e lënë jashtë temave të diskutimit opsionin e ndërhyrjes ushtarake.

Klinton kritikon Rusinë
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka kritikuar Rusinë për qëndrimin që po mban mbi Sirinë, duke deklaruar se qëndrimi i Moskës po rrezikon të kontribuojë për nisjen e një lufte civile. “Rusët thonë se nuk duan një luftë civile, por politika e tyre po kontribuon për një luftë civile në Siri”, tha Klinton. Por, zëdhënësi i Presidentit rus, Vladimir Putin, tha se “qëndrimi rus për Sirinë është i ekuilibruar e logjik dhe nuk do të ndryshojë nën presion”.

© Panorama.al

Te lidhura