Siri, kërkohet koka e Asad, vlen 25 milionë dollarë

Sep 19, 2012 | 12:02

Rebelët opozitarë në Siri kanë kërkuar për herë të parë publikisht vrasjen e Presidentit Bashar al Asad, duke vendosur një haraç prej 25 milionë dollarësh shpërblim për të. Por kryengritësit e Ushtrisë së Lirisë përgënjeshtruan raportimet se ata kanë vendosur një shpërblim për këdo që do të dorëzojë të gjallë apo të vdekur Presidentin e vendit, Bashar al Asad. Megjithatë, ata konfirmuan se një ofertë e tillë është bërë nga një grupim tjetër opozitar, i paangazhuar në bllokun kryesor të rebelëve. Zëdhënësi i Këshillit të Lartë të Ushtrisë së Lirisë Siriane, Louai Miqdad, deklaroi për CNN nëpërmjet një lidhjeje telefonike se: “ULS nuk ka lidhje me grupet siriane në opozitë në Egjipt, të cilat e quajnë veten gjithashtu si ne dhe që kanë vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për kokën e Assad”. Agjencia turke e lajmeve, “Anadolu”, ishte e para që publikoi lajmin për shpërblimin, madje detajoi se shuma e parave ishte kontribut i një grupi biznesmenësh sirianë. Në konfliktin në Siri, që ka nisur rreth 18 muaj më parë, numri i viktimave nga të dyja palët ka shkuar në 30 mijë veta.

© Panorama.al

Te lidhura