Siri, Asad justifikon vrasjet, premton sistem shumëpartiak

Aug 23, 2011 | 11:37

Edhe pse u fol për qetësimin e situatës në Siri, pas thirrjeve të liderave të botës dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Bashar al Asad nuk është frenuar plotësisht. Shifrat e fundit nga Kombet e Bashkuara tregojnë se bilanci i të vdekurve është 2200 veta, shumica protestues kundër regjimit të Al Asad. Ndërkohë, ky i fundit nuk pranon se ka vepruar gabim ndaj protestuesve. Madje, sipas Al Asad, qeveria e tij nuk rrezikon të rrëzohet, sepse është e drejtë që dhuna duhet të ndëshkohet nga forcat e sigurisë. Asad, duke deklaruar edhe një herë se protestat në vendin e tij janë një organizim nga jashtë, ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje ushtarake do të ketë kundërpërgjigjen ndaj atyre që e ndërmarrin. “Çdo veprim kundër Sirisë do të ketë pasoja më të mëdha nga sa mund të tolerojnë ata”, tha Asad, duke njoftuar njëkohësisht se vendi do të shkojë drejt një sistemi shumëpartiak dhe zgjedhjet e reja do të mbahen në muajin shkurt. Këto kanë qenë disa nga kërkesat e protestuesve. Thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për dorëheqjen e Al Asad, ky i fundit iu përgjigj se Presidenti amerikan dhe liderat perëndimorë janë ata që duhet të japin dorëheqjen pas gjakderdhjeve në Afganistan, Irak dhe Libi.

© Panorama.al

Te lidhura