
Një ditë pas shpërthimit të madh në Damask, ku humbën jetën tri figura të rëndësishme të regjimit të tij, Presidenti sirian, Bashar al Asad, nuk është parë apo dëgjuar publikisht. Edhe pse Presidenti sirian nuk shquhet si një njeri që del shpesh në TV, sidomos gjatë 16 muajve të fundit, që kur kanë nisur protestat kundër tij, është disi e pazakontë që ai të mos i drejtohet kombit kur një shpërthim aq i madh ndodh në zyrat qendrore të sigurisë. Reagimi i tij pritej edhe sepse në kryeqytet kanë nisur luftime të ashpra. Ka pasur raportime që flisnin për largimin e gruas së tij në Rusi. Asma al Asad u largua nga rajoni i Lindjes së Mesme pas shpërthimit të një dite me parë në Damask, nga i cili humbën jetën tre nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Asadit, përfshirë edhe kunati i tij. Raportimet se Asma ishte larguar nga Siria nisën pak orë pas shpërthimit. Ushtria siriane ndërkohë ka nxjerrë një deklaratë ku thuhet se “do të eliminojë me vendosmëri bandat kriminele e vrasëse dhe do t’i nxjerrin ata jashtë strofullave të kalbura, kudo ku ndodhen, derisa ta pastrojnë vendlindjen nga të ligjtë”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, SANA. Ndërsa dhuna është përshkallëzuar në luftë civile, liderët botërorë i rritën përpjekjet e tyre diplomatike. Kofi Anan, i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, udhëtoi në Moskë gjatë javës për t’i bindur rusët të ishin me një zë me vendet e tjera për sanksionet ndaj Sirisë. Ndërsa Presidenti amerikan, Barak Obama, ka telefonuar homologun rus, Vladimir Putin. Por, takimi i Këshillit të Sigurimit në Nju Jork dështoi pasi Kina dhe Rusia vunë veton mbi rezolutën kundër Sirisë.











