E ka merituar fitoren dhe kualifikimin në fushën e lojës, por gjithsesi rrezikon të skualifikohet nga faza në grupe e Ligës së Europës. Kjo është “shakaja” e ashpër me të cilën pritet të përballet në ditët e ardhshme klubi zviceran i Sionit, të cilin shorti i djeshëm i Montekarlos e ka caktuar në Grupin I me Atletikon e Madridit, Udinezen dhe Renen. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka theksuar personalisht se Sioni është i përfshirë në një çështje gjyqësore, që lidhet me një dokumentacion të rremë të përdorur për blerjen e portierit egjiptian, Esam Al Hadari. Nëse kjo gjë do të konfirmohet edhe nga gjykata sportive, atëherë klubit helvet do t’i hiqet e drejta për të bërë merkato për të paktën tre vite. Por, një tjetër problem me këtë klub lidhet me faktin se në ndeshjen kundër Sëlltikut (3-1), Sioni ka hedhur në fushë 5 lojtarë të pafederuar. Një problem i tillë mund të bëjë që zviceranët të skualifikohen nga Liga e Europës, pavarësisht fitores në fushën e lojës, dhe vendin e saj ta zërë Sëlltiku.











