Pas shumave të mëdha të fituara gjatë dimrit me klipin “Adrenalina”, Sinan Hoxha dhe Seldi Qalliu kanë menduar të realizojnë një tjetër klip së bashku me titull “Bjondina”. Klipi i realizuar me figurantë, modelët e zgjedhur të “Joni Peçi fashion group” dhe i realizuar nga “Max Production”, nis transmetimin sot në të gjitha kanalet muzikore. Sinani i pyetur nga “Panorama” për veçantinë e duetit Sinani-Seldi në
këtë klip u përgjigj se kësaj here kanë menduar t’u dedikojmë një këngë vajzave bionde, ndryshe nga kënga “Adrenalina”, që u dedikohej zeshkaneve. “Arsyeja”, thotë Sinani, “pasi në koncertet tona ishin të pranishme shumë fanse bionde, të cilat na e kërkuan në një farë mënyre një dedikim të tillë për to”. Realizimi i klipit të këngës, me vargje të Armand Trebickës, ka kushtuar më shumë se 10 mijë euro, e njëjta shumë e shpenzuar nga këngëtarët për këngën “Adrenalina”. Për disa mund të tingëllojë e tepërt kjo shumë, ndërsa për Sinanin dhe Seldin është një shumë parash normale për një klip të realizuar me cilësi, nisur nga fakti se sezoni që kaloi ka qenë shumë i mbarë për ta, ndërsa nga menaxherët e lokaleve ku
kanë kënduar janë deklaruar shuma të mëdha që u ofrohen atyre për koncerte. Për këtë verë ata sapo kanë mbyllur një kontratë për 60 netë koncerte në gjithë plazhet e Shqipërisë dhe Diasporë, përveç Tiranës. Këngëtarët nuk kanë përmendur shifër konkrete se sa janë paguar për këto koncerte, por nuk e kanë fshehur që bëhet fjalë për një shumë marramendëse. Aq shumë është rritur popullariteti i tyre në duet sa në një tur koncertesh që dhanë në Australi u pritën nga qindra fansa, të cilët u kishin rezervuar dhe udhëtime me limuzina e pankarta në duar. Nuk dihet se sa do të pëlqehet kënga “Biondina” ndërkohë që kënga “Adrenalina” e publikuar në ndërrimin e viteve 2010-2011, vetëm në 2 muaj pasi u hodh në youtube arriti të regjistronte 3 milionë e 200 mijë klikime, duke u klasifikuar deri tani si kënga më e klikuar shqiptare në internet.











