Silva Skënderi freski në tastierë

Jun 19, 2011 | 13:03

Në këtë verë të nxehtë pak freski muzikore është e nevojshme. Pak ditë më parë, këtë kënaqësi e ofroi pianistja Silva Skënderi me një koncert recital në skenën e Akademisë së Arteve. Artistja interpretoi vepra të shkëputura nga repertori klasik botëror, por edhe nga ai shqiptar, si Bach, Hayden dhe Vorpsi. Publiku, i cili kishte mbushur sallën e madhe të koncerteve në Akademinë e Arteve, nuk mund të qëndronte indiferent e të mos përfshihej emocionalisht në atmosferën e krijuar nga muzika e luajtur me profesionalizëm nga pianistja Skënderi. Dhe, në fund, padyshim duartrokitje të gjata. Silva Skënderi është një nga pianistet më në zë shqiptare. Biografia e saj artistike shënon veprimtari intensive si koncertmaestër dhe si pianiste e Orkestrës së TOB-it, duke realizuar një repertor të gjerë veprash operistike, në bashkëpunim të vazhdueshëm me shumë dirigjentë, veçanërisht të huaj. Në repertorin e larmishëm të veprimtarive artistike të kësaj periudhe bëjnë pjesë mjaft koncerte recitale si pianiste-soliste, si koncertmaestër në koncerte recitale të këngëtarëve solistë të TOB-it, dhe e koncerteve recitale të korit të TOB-it. Për disa vite radhazi është pianiste e Korit Femëror të Akademisë së Arteve, nën drejtimin e të mirënjohurit dirigj. prof. Milto Vako, nderuar me disa çmime ndërkombëtare dhe një CD hedhur në treg së fundmi. Për vite me radhë është pianiste e Orkestrës “Madre Tereza”, e Festivalit Operistik “Jorgjia Truja”, e Festivalit Operistik Ndërkombëtar “Marie Kraja” etj. Gjithashtu, është pianiste zyrtare e “Garat Internacionale të Kosovës”, Konkursit Violinistik Ndërkombëtar “Islam Petrela” (2005-2006), pianiste zyrtare e “Tirana Music Festival” (2006-2007), e  Festivalit “Mozaik 2008” në klasën e prof. Vienez Kovacic etj. Koncerti i saj i radhës shënoi një tjetër sukses të artistes, e cila premton që së shpejti do të rikthehet në skenë për të dhuruar emocione të mëtejshme për adhuruesit e muzikës.

Pianistja
Silva Skënderi

© Panorama.al

Te lidhura