Sillnin veshje kontrabandë nga Greqia, arrestohen dy tregtarë

Aug 6, 2012 | 12:47

TIRANE – Policia e Tiranës arrestoi dje dy tregtarë që po transportonin veshje kontrabandë nga Greqia, me qëllim tregtimin në tregun e madh të kryeqytetit. Burime nga Policia thanë se automjeti që transportonte konfeksionet nga pika kufitare e Qafë-Thanës në drejtim të kryeqytetit, u bllokua në afërsi të Saukut. Operacioni u krye nga seksioni kundër krimit ekonomiko-financiar, pas hetimeve të nisura prej disa javësh. Në pranga përfunduan Adrian Kollona dhe Roland Tafa, të cilët akuzohen për “tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë”. Në automjetin tip “Benz”, ku u krye arrestimi i dy tregtarëve, u sekuestruan 1200 lloje të ndryshme veshjesh, me një vlerë rreth 10 mijë euro.

Automjeti që transportonte mallrat kontrabandë kishte kaluar nga Greqia në Maqedoni dhe më pas, nëpërmjet vendkalimit kufitar të Qafë-Thanës, ishin futur në Shqipëri duke iu shmangur detyrimeve doganore.

Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë dje se, bazuar në informacionet e poseduara nga strukturat e Antikrimit Ekonomik, rezulton se shtetasit Adrian Kollona dhe Roland Tafa kanë arritur të kontrabandojnë në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar Qafë-Thanë, 1200 veshje të ndryshme pa paguar detyrimet në doganë. Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit me të cilin ishin transportuar konfeksionet kontrabandë, forcat e Policisë nuk gjetën asnjë lloj fature shitblerjeje të mallrave, po ashtu as fatura tatimesh dhe doganash.

© Panorama.al

Te lidhura