Sigurimet, kompanitë: Pse rritëm çmimet

Feb 10, 2012 | 12:48

Rezultatet që kanë dalë nga bilancet e vitit të kaluar për kompanitë e sigurimit kanë detyruar që aktuarët e kompanive t’u rikthehen llogarive për të vendosur çmimin real që i përshtatet tregut shqiptar.
Nëse me liberalizimin pati një ulje të madhe të çmimeve që nga drejtues të kompanive të sigurimeve janë quajtur edhe ulje të rrezikshme, tashmë çmimi nuk është më në ato nivele. Çmimet e reja që janë zbatuar që nga data 1 shkurt dhe duket se kanë marrë edhe miratimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ka qenë pikërisht ky institucion, i cili ka kërkuar që Komiteti i Aktuarëve të përllogarisë vlerën një çmim minimal për një policë sigurimi për të mbuluar dëmet dhe në bazë të këtyre përllogaritjeve është edhe rezultati që ka tregu sot.
SI U VENDOS ÇMIMI
Komiteti i Aktuarëve, pas uljes drastike që pësuan çmimet e sigurimit të mjeteve motorike, bënë përllogaritjen e vlerës minimale të një police, sikurse iu kërkua nga AMF. “Sipas vlerësimit të këtij komiteti të specializuar për këtë lloj shërbimi matematikostatistikor dhe në bazë të rezultateve të dëmeve të ndodhura gjatë historikut të sigurimeve në Shqipëri, rezulton që, për shembull, vlera minimale për të mbuluar dëmet, ose, siç njihet ndryshe, çmimi i rrezikut, për një autoveturë duhet të jetë 10,500 lekë. Në këtë çmim nuk përfshihet asnjë lek për mbulimin e shpenzimeve të kompanive të sigurimit apo të taksave dhe tatimeve”, sqaron drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Interalbanian”. Pra, sipas Komitetit të Aktuarëve, çdo policë e shitur nën këtë çmim minimal nuk është e aftë që të mbulojë përgjegjësitë që merr përsipër. Nga ana tjetër, në këtë vlerë nuk është përfshirë pjesa e TVSH-së prej 20 përqindësh. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është gjendur pa argumente para kërkesës së kompanive të sigurimit dhe është dorëzuar duke pranuar që çmimet të rriten. Në një dalje për mediat, përfaqësues të AMF-së pranuan dje se ka pasur një rritje të çmimit, por që kjo rritje nuk ka qenë e njëjtë. Autoriteti ndërkohë i mbikëqyr gjithë ecurinë e ndryshimit të tarifave për sigurimet online, pasi sistemi i raportimit mes kompanive të sigurimeve dhe AMF-së është në mënyrë elektronike. LIGJI
Ndryshimet në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, të cilat hynë në fuqi më 25 gusht 2011, u jepnin kompanive të sigurimit atributin për t’i përcaktuar vetë çmimet. “Shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit sipas kushteve të tregut, dhe fillon t’i zbatojë ato pasi njofton zyrtarisht Autoritetin”, thuhet në ligj. Ndërkaq, po ky ligj i atribuon Autoritetit të drejtën e ndërhyrjes në rastet kur kushtet nuk janë në përputhje. Pikërisht udhëzimi që AMF ka lëshuar për Komitetin e Aktuarëve, duket se ka qenë në vazhdën e kësaj që sanksionon ligji për të rregulluar tregun që po “notonte” në çmime shume të ulëta.

AVNI PONARI
Drejtor i Përgjithshëm i Sigal: “Komiteti i Aktuarëve, mbi bazën e rezultateve aktuale dhe të vitit të kaluar, me sa duket ka arritur në një konkluzion, që tarifat e primit pas liberalizimit, të cilat patën një ulje të përkohshme, që ishte e rrezikshme, nuk krijonin mundësi që të paguheshin dëmet e klientëve. Nga ana tjetër duhet vlerësuar që 30 për qind e automjeteve në Shqipëri janë të pasiguruara. Dëmet e papaguara nga mjete të pasiguruara ndaj mjeteve dhe klientëve të makinave shqiptare janë 3.5 milionë euro sot, që presin të paguhen. Në këtë situatë, ky komitet aktuarësh i ka bërë prezent dhe i ka bërë presion Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që tregu i sigurimeve duhet të shkojë te tarifat reale, të cilat mund të kontrollonin dëmet ndaj klientëve”.

DRITAN ÇELAJ
Drejtor i Përgjithshëm i Atlantik: “Përsa u përket çmimeve, liberalizimi është shoqëruar me rritje, por kjo mund të argumentohet me disa arsye. E para, me nivelin e mjeteve motorike që ka Shqipëria dhe me nivelin e dëmeve që rezulton se duhet të paguhen. Janë mjaft problematike dëmet që duhet të paguhen sipas vendimeve të gjykatave, të cilat nuk i bazohen në ligj, por në vendime të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, niveli tepër i lartë i mjeteve të pasiguruara është një problem më vete. Ky numër ka ardhur duke u rritur dhe duhet që të ketë një kontroll edhe për këtë aspekt, pasi përbën kosto. Gjithsesi, çmimet që aktualisht aplikohen në vendin tonë janë realisht disa herë më të ulëta sesa në Europë, ndër më të ulëtat në botë”.

BARDHYL MINXHOZI
Drejtor i Përgjithshëm i Interalbanian: “Tregu i sigurimeve të detyrueshme është i liberalizuar që prej disa muajsh. Në këtë kontekst, uljet dhe ngritjet e çmimeve nuk mund të jenë të papritura. Ndërkaq, sikundër ka ndodhur në vende të tjera, me liberalizimin e çmimeve fillimisht ndodh gjithmonë një ulje e tejskajshme e çmimeve, gjë e cila u tregua edhe në Shqipëri që nga shtatori 2011. Nga ana tjetër, përgjegjësitë e kompanive për të paguar demet janë rritur deri në 20 milionë të reja për person, ose 50 milionë të reja për rast sigurimi për një autoveturë. Kjo do të thotë që çmimi i TPL-së duhet parë në kontekstin e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve kur ndodh një dem, dhe jo në një shpenzim të papërfillshëm në raport me shpenzimet e tjera”.

Konkurrenca, vendim për mundësinë e hetimit ditët në vijim

Lindita Milo drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës pritet që në vijim të marrë një vendim lidhur me rritjen e çmimeve në tregun e sigurimeve. Gjatë ditës së djeshme, Autoriteti nuk bëri asnjë deklaratë, duke lënë kështu të kuptohet se lidhur me këtë çështje do të prononcohet në një moment të dytë, pasi kjo të jetë diskutuar dhe të jetë mbledhur informacioni i nevojshëm. Nëse vendoset për një “vëzhgim” të ri në këtë treg, kjo nuk do të jetë hera e parë që Autoriteti i Konkurrencës i kushton rëndësi tregut të sigurimeve. Më herët, kur çmimet për sigurimin e detyrueshëm për mjetet motorike vendoseshin me miratimin e Ministrisë së Financave, Autoriteti i Konkurrencës do të theksonte se kjo ishte në kundërshtim me konkurrencën e lirë në treg. Në fakt, edhe pse AMF komenton se çmimet që qarkullojnë në treg për sigurimin e mjeteve motorike për kompani të ndryshme janë të ndryshme, për një pjesë të mirë të tyre çmimet janë standarde dhe me të njëjtin nivel. Liberalizmi i tregut të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve të transportit ka rezultuar me efektin e kundërt që pritej, duke pasur një çmim standard. Nëse në muajt e fundit të vitit të kaluar kompanitë zgjodhën në konkurronin me çmime të ulëta, por pak a shumë të të njëjtit nivel, tashmë çmimet janë standarde dhe të përllogaritura nga aktuarët, duke marrë parasysh gjithë faktorët.

© Panorama.al

Te lidhura