Sidi Kanani e Shpëtim Kërçova fitojnë “Onufrin 18”

Feb 2, 2012 | 12:21
Vepra e artistit fitues, Sidi Kanani

Me një tavolinë serfi në një hapësirë blu, Sidi Kanani ka fituar çmimin e parë të Konkursit ndërkombëtar të Arteve pamore, “Onufri”. Mbrëmë, në Galerinë Kombëtare të Arteve u ndanë çmimet e edicionit të radhës, i cili kurohej nga artisti Alban Hajdini. Ky edicion, i cili mund të quhet krejt i veçantë nga ata të parët, për mënyrën e organizimit dhe hapësirën kohore që rrokte, njohu për fitues Sidi Kananin, piktura e të cilit prezantoi gjithë këtë ngjarje në posterin e aktivitetit, ndërsa çmimin e dytë e meritoi artisti Shpëtim Kërçova me realitetet e tij të shtrembëruara. Duket se këta artistë pasqyronin më mirë rezultatin e atij kërkimi mbi modernitetin shqiptar, që kuratori Hajdini kishte që në krye të herës. Veprat e pjesëmarrësve u gjykuan dhe u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Shkëlzen Maliqi (filozof dhe kritik arti nga Prishtina), Sandra Pusterfoher (kuratore në Fondacionin për Artin ‘David Roberts’ në Londër, Mbretëri e Bashkuar) dhe artisti shqiptar, Gentian Shkurti. Edicioni i këtij viti titullohej “Piktura e jetës moderne”, huazuar nga një ese e Bodlerit dhe përshtatur për realitetin artistik shqiptar. Ky konkurs-ekspozitë, që u hap më 22 dhjetor të vitit të shkuar, përfshinte një hark kohor njëshekullor e duke përfshirë në të punë të artistëve të gjallë e të vdekur. Duke bërë kështu që të “garonin” të gjithë së bashku breza të ndryshëm artistësh. Në këtë edicion u përzgjodhën punët e artistëve: Klodiana Alia, Arben Bajo,

Punë e artistit Shpëtim Kërçova

Sonilda Bardhoshi, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Genti Korini, Greta Dhaskali Lami, Guri Madhi, Blerina Muça, Dashamir Myftari, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Roland Tasho, Orion Shima, Dhimitër Vangjeli dhe Ergys Zhabjaku. Mediumet e preferuara ishin piktura, fotografia e vizatimi e më pak skulptura, por nuk ishin të pranishme videoprojeksionet e instalacionet, mediume shumë të përhapura viteve të fundit në hapësirën e asaj që quhet art bashkëkohor e që kuratori Hajdinaj me punën e tij e vë disi në pikëpyetje. A kemi ne art bashkëkohor apo bëhet fjalë thjesht për një gjuhë të huazuar, e cila është futur gati me dhunë në artin shqiptar, i cili sipas Hajdinajt në fakt duhet të ketë rrjedhën e tij normale. Duke qenë që ky edicion ishte një kërkim në modernitetin e artit shqiptar, ishin të “përjashtuar” nga kjo garë artistët e huaj, edhe pse aktiviteti mban statusin e “konkursit ndërkombëtar”.

© Panorama.al

Te lidhura