
Ka jetuar në mbretëri, diktaturë dhe demokraci, por më mirë sesa këto tri sisteme, njeh të drejtën zakonore shqiptare. E quan “Kushtetuta e vërtetë e shqiptarëve” dhe, me anë të saj, ka rregulluar jetët e qindra njerëzve nga lindja deri në vdekje.Quhet Demir Vladi ose ndryshe thirret “plaku i Kanunit” për zonat e Veriut. Ai që dëgjon njerëzit për konflikte të ndryshme, nga ato familjare, të pronave e deri te gjaqet dhe që arrin të sjellë paqen mes tyre. Tani, teksa i ka kaluar të 90-at, “plaku i Kanunit” dëshiron të zgjidhë gjithashtu konfliktin e madh të Partisë Demokratike dhe Socialiste për rinumërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, pikërisht me anë të së drejtës zakonore shqiptare. “Është shumë e thjeshtë. Mendoni sikur në oborr janë varë disa rroba të shtëpisë. Fryn era dhe disa prej tyre i merr dhe i hedh në rrugën ngjitur. Nëse dikush i sheh ato dhe i merr, menjëherë duhet t’ia kthejë të zotit të shtëpisë, pasi dihet se të kujt janë. Nëse nuk ia çon të zotit, atëherë është hajdut. Ky veprim për t’i dhënë secilit gjënë e vet, mos me vjedhë, mos me grabitë, nuk ka nevojë për marrëveshje, është gjest moral që mësohet që fëmijë”, thotë ai, ndërsa bën një paralelizëm ndërmjet sistemit ligjor dhe zakonor shqiptar. Të mos ju gënjejë mosha, ai është në dijeni të çdo zhvillimi politik…
Apo gabohem?
Gabim a me dashje bëtë pyetjen. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet e politikës shqiptare, sidomos zgjedhjet e 8 majit e gjithçka ndodhi më pas. Çështja është më e lehtë sesa duket. Fillimisht duhet parë se ku është problemi. Janë dy njerëz (parti) që zihen që të rinumërohen ose jo votat në kuti dhe normalisht vetëm njëri ka të drejtë. Institucionet shtetërore duhet ta kishin gjetur deri tani, sepse janë të specializuara për këto çështje. Megjithatë, mendoj ky sherri i kutive do të ishte zgjidhur më shpejt me të drejtën zakonore shqiptare.
Po si mund të dalë e drejta zakonore shqiptare mbi shtetin?
As që e mendoj që e drejta zakonore shqiptare të dalë mbi shtetin, por të bashkëpunojë me të. Institucionet të “pleqërojnë”, të këshillohen dhe të marrin ç’është më e mira. E drejta zakonore shqiptare ka rregulluar marrëdhëniet juridike për shumë shekuj në vendin tonë dhe nuk mund të përbuzet. Origjina e saj, vërtet ka lindur në një shoqëri pa shtet, por, me formimin e shtetit, e drejta zakonore bashkëjetoi me të drejtën shtetërore. Normalisht ka evoluar dhe është përshtatur ndër shekuj, siç mund të përshtaten edhe kësaj here për zgjidhjen e çështjes së rinumërimit të votave.
Para zgjedhjeve, partitë ranë dakord që të mos numërohen votat që hidhen në kutitë e gabuara, ndërsa më pas njëra prej tyre ndryshoi mendim: Të numërohen. Ç’do të thoshte e drejta zakonore në këtë rast?
E drejta zakonore do ta kishte zgjedhur këtë pa thirrë fare asnjë plak. Është shumë e thjeshtë. Mendoni sikur në oborr janë varë disa rroba të shtëpisë. Fryn era e disa prej tyre i merr dhe i hedh në rrugën ngjitur. Nëse dikush i sheh ato dhe i merr, menjëherë duhet t’ia kthejë të zotit të shtëpisë, pasi dihet se të kujt janë. Nëse nuk ia çon të zotit, atëherë është hajdut. Ky veprim për t’i dhënë secilit gjënë e vet, mos me vjedhë, mos me grabitë, nuk ka nevojë për marrëveshje, është gjest moral që mësohet që fëmijë.
Më saktë, ju lutem, duhen numëruar ato vota apo jo?
Besoj se ju e kuptuat shumë mirë, duhet të numërohen. Duhet t’i kthehen të zotit. Një marrëveshje që përmban hajdutllëk, nuk quhet marrëveshje. Është njësoj sikur të kesh ngarkuar kalin me dru në mal, të jesh lodhur e djersitur dhe, në kthim, në prag të shtëpisë, të bien disa. Të kujt janë ata dru? A mund t’i marrë tjetërkush? Asnjeri nuk ka të drejtë t’i prekë.
Si mund të zgjidhet ky konflikt, referuar të drejtës zakonore shqiptare, por duke marrë parasysh se zgjidhja vjen nga institucionet?
E para që duhet mbajtur mend gjithmonë: Kush nuk shkon para një trupi gjykues (çfarëdolloj qoftë), humb automatikisht të drejtën për çdo lloj pretendimi. E drejta humbet gjithashtu, nëse palët bëjnë zhurmë para trupit gjykues ose ofendojnë. Kur dy palë janë në konflikt, duhet shkuar patjetër tek një i tretë. Personi i tretë me të drejtën zakonore është një plak me përvojë, ndërsa në këtë rast institucioni i tretë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai që nuk pranon të shkojë tek i treti, humb automatikisht të drejtën edhe nëse ka të drejtë. Pra, zgjidhja është personi i tretë dhe pasi dëgjon palët, ai vendos se çfarë është e drejtë e çfarë është e gabuar.
Po nëse ky person i tretë nuk rezulton i besueshëm?
Fillimisht provohet. Nuk mund të flitet për besueshmëri pa e provuar. Nëse në fund ky person rezulton me hile dhe palët në konflikt dalin sërish pa sqaruar, atëherë ai gjobitet dhe zgjidhja e çështjes shkon në një plak edhe më me përvojë se ky. Në këtë rast, “plaku” i bie të jetë Kolegji Zgjedhor, me aq sa unë kam dijeni.
E zëmë se edhe ky nuk rezulton i besueshëm. Çfarë ndodh?
Këtu ka diçka. Nëse dy pleq me përvojë dhe të zgjedhur ndër vite për zgjidhje konfliktesh rezultojnë jo të besueshëm për të njëjtën çështje, atëherë duhet parë nëse është faji i pleqve apo i palëve në konflikt. Nëse pleqtë rezultojnë jo të besueshëm vazhdimisht nga e njëjta palë në konflikt, atëherë kjo palë paralajmërohet. Nëse pleqtë nuk janë quajtur të besueshëm një herë nga njëra palë dhe një herë nga tjetra, atëherë kjo është pak më e vështirë. Megjithatë, në të dy rastet, pleqtë “e pabesueshëm” gjobiten, ndërsa çështja çohet te një plak i tretë. Më i besueshëm dhe më me përvojë nga të gjithë. Nëse pleqtë i zëvendësojmë me institucione, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor duhet t’ia kalojnë çështjen një institucioni tjetër, më të besueshëm se ata.
Po deri në sa pleq zëvendësohen kështu, çështja duket pa fund…
Jo, i treti është i fundit. Çfarë vendos plaku i tretë, duhet pranuar nga të dyja palët në konflikt. Nëse njëra prej tyre nuk e pranon, atëherë është ajo që duhet ndëshkuar, pasi ka luajtur me besueshmërinë e pleqve.
Cili është plaku i tretë në këtë rast?
Është një gjykatë ndërkombëtare për zgjedhjet, me sa di unë në Venecia, por s’e kam shumë të qartë.
Është Komisioni i Venecias dhe jep këshillimin ligjor për funksionimin demokratik të institucioneve, por jo t’u japë zgjidhje të gatshme atyre…
Edhe pleqtë nuk japin zgjidhje të gatshme, as nuk imponohen, por vetëm shprehin mendime të paanshme dhe korrekte.
Megjithatë, sa u përket ndërkombëtarëve, ata kanë dhënë opinionet e tyre gjatë gjithë kësaj kohe. Pse duhet të kalojmë te “Venecia”?
Për kë ndërkombëtar është fjala? Ata që janë këtu janë vizitorë në zgjedhje, jo “pleq kompetentë”. Të ishin të tillë, këtë konflikt duhet ta kishin ndaluar sapo nisi. Çdo gjë e qartë. Dy veta u zunë, le të ndërhynin: Ti ke të drejtë, ti ke gabim! Dhe jo të thoshin: Ti mirë dhe ti mirë… Madje, ndërkombëtarët që prishën unitetin, u treguan ngatërrestarë dhe më mirë do ta kishim zgjidhur këtë çështje pa ata. I zoti e ndan gjyqin vetë…
E ndan gjyqin edhe me forcë?
Forca nuk është thjesht fuqia. Forca është e drejta dhe e vërteta. I zoti e ndan gjyqin vetë, nuk ka kuptimin e forcës apo luftës, por në kuptimin që “I mençuri nuk kërkon atë që nuk i takon”.
Cili është i mençuri dhe cili budallai në rastin e këtyre zgjedhjeve?
Ka ende shans që njëri prej tyre të mos dalë budalla…
Votimet, nga goglat te kompjuteri
E ka përdorur gjithmonë të drejtën për të votuar. Që nga koha e Zogut nëpërmjet firmës që e pranonte atë si Mbret të shqiptarëve, në komunizëm, përmes disa goglave e deri në ditët e sotshme me fletë të bardha dhe kuti me kod sigurie.
Më 8 maj, Demir Vladi nuk e mban mend për të satën herë ka votuar gjatë gjithë jetës së tij, por kujton mirë që 1945 ka qenë viti kur shqiptarët u detyruan të shkojnë në votime. “Votime zyrtare, të paktën po flas për Veriun, janë zhvilluar për herë të parë në vitin 1945. Para kësaj periudhe, maksimumi mund të jetë hedhur ndonjë firmë, siç ishte pranimi i Zogut si mbret apo çështje të ndryshme zyrtare dhe kjo jo nga të gjithë familjarët, por nga kryefamiljarët. Zyrtarët e zonës dërgoheshin me urdhër qeverie ose mbretërie (sipas kohës) dhe ne vetëm duhet t’i pranonim ata, jo t’i zgjidhnim”, thotë ai.
Votimi me gogla
Nëse themi “votë”, të gjithëve na vjen minimalisht në mendje një fletë, pavarësisht detajeve të të shkruarit në të. Por nëse do të përmendej kjo fjalë në vitin 1945, imazhi i parë do të ishte një kokërr ulliri. Pa prezantim kandidatësh, pa fushatë, pa reklamë. Vetëm një korrier për të lajmëruar ditën e zgjedhjeve. I tillë ishte procedimi i votimit pas çlirimit të vendit, kur edhe u zhvilluan zgjedhjet e para në Shqipëri. Në vend të fletës ishte një sferë ngjyrë kafe dhe në vend të kutisë, një arkë teneqeje. “Ishin dy arka. Njëra quhej ‘arka bosh’ dhe tjetra quhej ‘arka e Frontit’. Kur shkoje pranë tyre, dikush të jepte një sferë që ngjante më shumë me një kokërr ulliri dhe ne duhet të shkonim pas një perdeje dhe ta hidhnim fshehtas në njërën prej tyre. Teorikisht ishte kështu, pasi një ditë para ishim lajmëruar të gjithë në fshat për të hedhur goglën (sferën) te arka e Frontit. Disa e hodhën dhe disa jo. Këta të fundit e pësuan shumë keq. U burgosën ose u përndoqën familjarisht më vonë”, rrëfen plaku i Lurës. Pyetja vetvetiu të lind se si arritën ta kuptonin përfaqësuesit e Frontit që vota nuk kishte qenë për ta? “Shumë e thjeshtë. Arka e dytë, që në fakt ishte e Ballit Kombëtar quhej ndryshe edhe ‘arka bosh’, sepse aty nuk para hidhte njeri goglën. Në momentin që dikush ndërronte destinacionin e porositur (nga arka e Frontit) dhe e lëshonte te kjo tjetra, atëherë gogla bënte një zhurmë më të fortë. Si jehonë e shpejtë, ngaqë gogla binte në fundin e arkës”, thotë Vladi. Sipas tij, në këto votime, kandidati i Partisë së Ballit Kombëtar për zonën e Lurës, Beshir Laçi, u arratis urgjentisht jashtë vendit dhe vdiq në SHBA, pa e shkelur më kurrë Shqipërinë. Një tjetër antikomunist, Vessel Buci, u arrestua dhe ndërroi jetë në burg, ndërsa dhjetëra të tjerë që u zbuluan se hodhën goglën në “arkën bosh”, u persekutuan familjarisht.
Në radhë për votën
Pas këtij episodi, duket se Demir Vladi dhe të tjerë e kishin mësuar leksionin. Asnjë prej tyre nuk hodhi më gogla në “arkën bosh”. Edhe pse u arrestua 3 herë për “mosbindje ndaj pushtetit popullor”, Demir Vladi nuk mungoi asnjëherë në votime. Madje, duke shkuar aty ndër të parët, në mënyrë që të shmangte radhën. “Shkoja shpejt, punë për t’u mbaruar ishte. Goglat u zëvendësuan me fletë, por prapë nuk ua kisha besën. E hidhja aty ku duhej”, thotë ai, ndërsa shton se periudha 1945-1990 nuk ka qenë komunizëm, por duhet gjetur një tjetër emër. “Në luftën për liri është rënë dakord se u vranë 28 mijë dëshmorë. Në periudhën që quhet komunizëm, u vranë, burgosën, persekutuan mbi 160 mijë persona. Këtë masakër nuk e bëjnë dot komunistët, se të jesh komunist do të thotë që të mos prekësh as mizën dhe të ndash gjithçka barabartë”, argumenton ai, ndërsa papritur ngre zërin më shumë. Më shumë thith edhe tymin e duhanit. Dhe akoma më shumë vijon të tregojë histori nga komunizmi, të cilat shumë prej nesh i dinë tashmë. Jo të jetuara si Vladi, por të paktën me të dëgjuar…
Rinumerimi
Me ardhjen e demokracisë, edhe pse nuk ishte më një detyrim ligjor për të shkuar drejt qendrave të votimit, Demir Vladi nuk ka munguar asnjëherë. “Nuk është çështje zakoni apo thjesht që kështu u mësova me dekada, por dhënia e votës është përgjegjësi”, thotë ai. Edhe pse jo me shëndet të fortë si dikur, ngadalë ai ka ecur për disa minuta në këmbë për të shkuar drejt qendrës së votimit të fshatit të tij, ku më 8 maj ka kryer të drejtën kushtetuese të votës. “Unë dhe qytetarët shqiptarë e mbaruam përgjegjësinë tonë. Tani është radha e politikës dhe institucioneve që të përfundojnë përgjegjësitë e tyre dhe të nxjerrin rezultatin”, shprehet plaku i Lurës. Edhe pse referuar të drejtës zakonore shqiptare është pro rinumërimit të votive që janë hedhur në kutinë e gabuar, Vladi është i mendimit që partia që ka pushtetin duhet të tolerojë më shumë.
“Ka vec vllazni”
E quan ditë të shënuar, kur për herë të parë u vendos pluralizmi në Shqipëri. Partitë e shumta nuk i konsideron si armike me njëra-tjetrën, por si “motra e vëllezër”. “Demokracia është zhvillimi më i mirë që na ka ndodhur. Politikanët ende nuk e kuptojnë që janë motra e vëllezër dhe se nuk ka rëndësi partia, por shoqëria. Megjithatë, janë kaluar shumë dekada në izolim total dhe mbase po kaq vite do të duhet që politikanët ta kuptojnë që nuk ka parti, por vllazni”, thotë “gjyshi” i Lurës.
“Kararet e Lurës”, sistemi i së drejtës me 12 Pleq
Sistemi i së drejtës zakonore është i ngjashëm në të gjitha zonat e Veriut, ku është zbatuar i ashtuquajturi Kanuni i Lekës. Pavarësisht se ky Kanun ishte baza e së drejtës, zona e Lurës përdorte një tjetër sistem “Kararet e Lurës”, që dallon në disa specifika. Një ndër to, gjykimi i çështjeve në dy shkallë. Por si shqyrtohej një rast konflikti? Sipas Demir Vladit, palët mund t’i drejtohen të njëjtit Plak (përfaqësues i njërës nga familjet e mëdha të zonës) për raste të thjeshta gjykimi, duke rënë dakord paraprakisht. Pra, dikush i pranuar nga të dy palët. Rasti klasik është që secila palë zgjedh Plakun e tij. “Pasi marrin ankesat e palëve dhe kanë marrë përsipër rastin, pleqtë takohen në ditën e caktuar prej tyre. Ata shqyrtojnë të gjitha provat, për besueshmërinë e të cilave ka një garanci absolute, që nganjëherë sigurohet edhe nëpërmjet betimeve shumë të rënda në grup. Pleqtë argumentojnë rastin dhe, duke iu referuar Kanunit të Lekës, bien në një përfundim. Ky përfundim i referohet Këshillit të 12 Pleqve (numri total i Pleqve të Lurës). Ky numër çift nënkupton që vendimi do të jetë konsensual. Kështu ka ndodhur pothuajse gjithmonë”, rrëfen plaku i Karareve të Lurës. Sipas tij, nëse nuk arrihej të merrej vendim në Këshillin e 12 Pleqve, çështja i kalonte për shqyrtim 6 Dhetarëve, pra sërish numër çift. Në të drejtën zakonore të Lurës, “Dhe” quhet Asambleja e të gjithë shtëpive të zonës. 6 Dhetarë ishin 6 të zgjedhurit nga 12 Pleqtë. (prapë nr. çift, prapë konsensus i detyrueshëm). Pyetjes se çfarë ndodhte nëse nuk arrihej të merrej vendim edhe në këtë shkallë, Demir Vladi i përgjigjet thjesht, por i nevrikosur – “Nuk ndodh! Ke dëgjuar për tymin e bardhë tek Papa?”. Sipas tij, vendimi është i formës së prerë dhe zbatimi garantohet nga njerëz të caktuar po prej vetë Pleqve. Në rastet kur njëra nga palët mund të përdorë fjalë fyese në argumentet e tyre, çështja përjashtohej nga gjykimi dhe ishte e paapelueshme. Palës në konflikt i humbte automatikisht e drejta. Por, nëse Pleqtë vendosnin ta falnin, varësisht rastit, pala fyese dënohej me gjobë të rëndë materiale.
Një i moshuar “firmato”
Ngadalë mbështjell duhanin në letër si qëmoti. Po nga “qëmoti” vijon të sjellë të tjera histori, ndërsa veshjen duket se e ka të vitit të fundit. Me një kostum të zi firmato, italian, këmishë të bardhë dhe këpucë lustër, vështirë të mendosh se i gjithë ky luks vjen nga një zonë e thellë mes maleve, siç është Lura, por si baba, gjysh dhe stërgjysh që është, ka plot njerëz që kujdesen për të. Ai është prind i katër djemve, mes tyre edhe i këngëtarit të njohur, Arif Vladi, ndërsa ka dhjetëra nipër, mbesa e stërnipër. “Më sjellin të gjithë veshje, meqenëse unë jam gjyshi i të gjithëve”, thotë ai. Pavarësisht se i ka të gjithë djemtë në Tiranë, ai preferon që të jetojë mes maleve të Lurës, ndërsa vjen herë pas here për vizitë.
Elisabeta Ilnica
© Panorama.al











