
“Shqipëria pati rastin fatlum të përfitonte nga kontributi 20-vjeçar i njërit prej shkencëtarëve të shquar të Europës së shekullit XX, por nuk e vlerësoi kurrë. Çuditërisht, mrekullia që ofroi profesor Zuber Stanisllav, për të u “shpërblye” me sjelljen brutale dhe persekutimin absurd të regjimit të pasluftës në Tiranë”
Më shumë se një histori e trishtë, ajo që përshkruan gazetari polak, Stanisllav Carniecki, në revistën shkencore “Kamenie” të Varshavës, është një dramë e tmerrshme ku përballen ashpër virtyti me paradoksin, njerëzorja me brutalen, mirënjohja me shpërfilljen, e vërteta me misterin. Një metamorfozë komplekse e zbuluar nga hulumtimet e Carnieckit në kërkim të gjurmëve të Zuberit, bashkëkombësit të vet, inxhinierit të naftës me famë botërore, që “shqiptarët e zhdukën në kushte misterioze, kur duhej t’i bënin përmendoren”. E zbardhur në polonisht për herë të parë në fillimin e viteve ‘90, drama e Zuber Stanisllavit nuk mund të mos ngacmonte kujtesën e bashkëkohësve të pakt që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri. Për ta, e vërteta mbi fatin e tij ishte koleksionuar si një brengë lënduese, e cila bëhej më e dhimbshme nga fakti që nuk duhej folur kurrë për të. Një sjellje paradoksale kjo e urdhëruar nga regjimi për inxhinierin gjenial që punoi në nga viti 1927 deri në vitin 1947 dhe kontribuoi si rallë kush për zhvillimin e gjeologjisë dhe zbulimin e zonave naftëmbajtëse, për autorin e hartës së parë tektonike dhe gjeografike shqiptare të shkallëve respektive 1:4000.000 dhe 1: 200.000, për zbuluesin e dhjetëra burimeve minerale dhe krijuesin e muzeut të parë gjeologjik shqiptar etj. “Fakti që Zuberi në kohën e gabuar u gjend në vendin e gabuar, përbën thelbin e tragjedisë së tij”, shkruan gazetari Stanisllav Carniecki te “Letra nga e kaluara”, duke iu referuar regjimit komunist që u vendos në Shqipëri dhe fundit tragjik të inxhinierit të famshëm në qelitë e burgut të Tiranës në orët e vona të 18 tetorit 1947. Po kush ishte Profesor Stanisllav Zuberit, cilat ishin kualitetet e tij shkencore, në çfarë rrethanash u gjend në vendin tonë, çfarë realizoi në kohën e monarkisë e të komunizmit, cilat ishin lidhjet e tij me institucionet shkencore dhe korifenjtë e shkencave europiane të kohës, pse u penalizua nga Sigurimi i Shtetit dhe si u zhduk pa lënë gjurmë në Tiranën e pasluftës. Në përgjigje të këtyre dhe enigmave të tjera, gazeta “Panorama” duke iu referuar dosjes së Policisë Sekrete dhe kujtimeve të bashkëkohësve, zbardh për herë të parë profilin e panjohur të profesorit të shquar Zuber Stanisllavit dhe çastet fatale mbrëmjen e vonë të 18 tetorit të ’47-s, në qelitë e burgut të Tiranës…
JetëshKrimi i sekretuar në dosjen e Hetuesisë
I kryqëzuar me akuzën e agjentit dhe sabotatorit të ekonomisë socialiste, Stanisllav Zuber, lindur në Elvuf me banim në Kuçovë, me kombësi polake, doktoruar më 1924 në Gjeologji, njohës i polonishtes, rusishtes, gjermanishtes, frëngjishtes, anglishtes, italishtes, shqipes, serbishtes, greqishtes, arabishtes, persishtes e armenishtes, rrëfehej mbrëmjen e 16 qershor 1947 në zyrat e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, fillimisht mbi rrethanat në të cilat ishte gjendur në vendin tonë. Stanisllav u tregonte hetuesve të Mbrojtjes së Popullit (ky ishte emërtimi i organeve të Sigurimit-shënim i red.) se para mbërritjes në Shqipëri, në mesin e vitit 1926 kishte marrë një ofertë nga shoqëria e njohur italiane AGIP, e cila operonte edhe në Shqipëri për t’u përfshirë në studimin gjeologjik në Mal të Zi. Përvoja dhe njohja me studimin mbi gjeologjinë shqiptare aty, i shërbyen për t’u orientuar shpejt në hulumtimet në territorin tonë, të cilat i nisi me kërkimet në zonën e Kuçovës. Pra, qysh nga viti 1927, Stanisllav u bë protagonisti kryesor i projekteve për zbulimin e burimeve naftëmbajtëse në Shqipëri. Njëherazi me përpjekjet për kompletimin e studimit mbi gjeologjinë shqiptare në tërësi, Zuberi kryen disa kualifikime profesionale në universitetet më prestigjoze të kohës. Në shtator të vitit 1930 nënshkruan përfundimet e para për zonën e Beratit, ku konfirmon zyrtarisht “zona më interesante vajgurore të Shqipërisë”. Në vitin 1933, i përzgjedhur nga autoritetet e kohës, udhëheq ekspeditën gjeologjike për studimin themeltar të ujësjellësit të Selitës në Tiranë. Njëherazi vazhdon kërkimet në zonën e Shpatit të Elbasanit, duke zgjeruar hartën e zonave vajgurore. Në tetor 1934 vendoset për disa kohë në zonën midis Elbasanit, Korçës, Vithkuqit dhe Përmetit dhe udhëheq nga afër ekspeditat për kërkime vajgurore e minerali bakri. Nga korriku i 1935 e deri në çlirimin e vendit, Zuberi banon në sa në Kuçovë e në Vlorë. Gjatë bombardimeve të aleatëve në Jug të vendit humbi bashkëshorten. Në periudhën e pasluftës, në pritje të riatdhesimit, punoi si këshilltar pranë Nako Spiros që asokohe kryente detyrën e ministrit të Ekonomisë…
Sinjalet e para nga Kuçova: Zuberi i dyshimtë
Zuber Stanisllavi, inxhinieri polak me rezidencë prej 20 vitesh në Kuçovë, u bë objekt i njerëzve të sigurimit, qysh ditët e para të pasluftës. Teksa vendi ende nuk po merrte frymë lirisht, zyrtarët e Kantierit të Naftës, emëruar rishtazi, e vlerësonin praninë e tij si pjesë të fshehur të okupatorit tashmë të dëbuar. Raporti i parë zyrtar që denoncon profesorin polak për “veprimtari reaksionare e agjenturore” i adresohej Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit me datën 24 tetor 1945. Hipoteza e autoriteteve lokale, në këtë rast gjeti angazhimin maksimal të strukturave drejtuese të shtetit të ri, të cilat pas çdo të huaji shikonin një të dyshuar potencial. Të dhënat e mëtejshme të dosjes “Zuberi”, pasqyrojnë informacionet e vëzhguesve të shumtë që ndjekin hap pas hapi çdo lëvizje të profesorit polak që endet sa në Kuçovë në Tiranë, gjithnjë në funksion të pasionit të tij për të kompletuar studimet për zonat naftëmbajtëse të Shqipërisë. Sakaq, inxhinieri i njohur edhe përtej Europës, punon gjithë përkushtim për të identifikuar vendburime të ujit të pijshëm për disa nga qytetet e Shqipërisë së Mesme. Në pritje të riatdhesimit, Stanisllav mban lidhje të afërta me bashkëpunëtorët vendas dhe diskuton me ta për arsenalin e kërkimeve 20-vjeçare dhe prespektivën e tyre në Shqipëri. Pas shpinës së tij, të tjerët vazhdojnë ta gjurmojnë ku shkon, kë takon, çfarë bisedon dhe artikulojnë raporte agjenturore për rrezikshmërinë e tij si pjesë e kontigjentit armiqësor të regjimit të Tiranës…
Si ndiqej Stanislavi
Në krye të një dokumenti të datës 17. VII. 1946, nënshkruar nga major Vango Mitrojorgji, asokohe shef i seksionit të sigurimit, jepet në mënyrë të përmbledhur biografia e inxhinierit polak që punonte në Shqipëri që prej 20 vitesh. “Zuber Stanisllav, inxhinier, profesor, nënshtetas polak, shkruhet në të, punon në Minierën e Rubikut dhe varet nga Ministria e P. Botore.” Pjesa tjetër e raportit pasqyron sjelljet e inxhinierit që dyshohet si agjent i të huajve, ku bie në sy vigjilenca e vëzhguesve për të identifikuar njerëzit e pakënaqur me të cilët takohet. “Më datë 29.7. 1946 është takuar me vejushën Zyrha Kasimati dhe Filip Theodhosin. Më datë 30.7 1946, është takuar me Alfred Ashikun, me të cilin ka miqësi të ngushtë dhe shkon të hajë bukë së bashku. Njëkohësisht u pa të takohet me shumë të dyshimtë në kafe “Splendit”. Më datën 31.7.46 është takuar prapë me Zyra Kasimatin dhe Filip Theodhosin dhe në darkë me Alfred Ashikun, me të cilin ka ngrënë darkë. Më datë 1.8.1946, mbasdite, ka shkuar te dyqani i Ali Kacelit ku ka qëndruar afro një orë duke shkruar disa letra. Mbasi doli shkoi te Vesim Kokalari dhe më vonë në Argus ku ndenji një orë dhe kur doli kishte në dorë disa revista. Kur u afrua te kafe “Berati” takoi Teodor Luarasin, me të cilin ka biseduar rreth 30 minuta. Ka lidhje me shumë italianë, të cilët i takon për natë në kafe “Splendit”. Të gjithë elementët me të cilët takohet janë elementë të pakënaqur. Edhe Filip Theodhosi, që është drejtor i “Hotel Dajtit” nuk ka qëndrim aq të mirë. Lidhjet më të ngushta i ka me Alfred Ashikun dhe Teodor Luarasin. Para dite qëndron më shumë në Ministrinë e Ekonomisë ose të Botores. Flet shumë gjuhë të huaja si edhe shqipen. Pasdite shfaqet në takime me elementë të pakënaqur si tregtarë etj. ose në “Splendit”, ku harxhon shumë të holla. Takohet gjithashtu edhe me Etore Marxhetin dhe Xhovalin Gjadrin. Kur takon element të ndryshëm në lokalin “Splendit” paguan gjithmonë vetë dhe kur ky fillon të flasë, të tjerët dëgjojnë.”. Me të dhëna të tilla shtohej dita ditës dosja e njeriut që për 20 vite me radhë kishte punuar me pasion e përkushtim për shtimin e vendburimeve të naftës në Shqipëri…
Absurdi i akuzave të Sigurimit
Akuzat e shumta në adresë të profesor Zuber Stanisllavit pasqyruar në dosjen përkatëse, fillojnë me krye akuzën “agjent i zbulimit italian, gjerman, amerikan, anglez”, e përfundojnë me atë të fshtarit Z.M nga periferia e Kuçovës, i cili gjatë kohës që i ka shitur vezë e fruta, ka konstatuar “frymën borgjeze e reaksionare” në mënyrën si komunikonte me të dhe të tjerët. I revoltuar nga përballja me absurditete të tilla në qelitë e ftohta të Tiranës, profesor Stanisllavi kundërshton prerë e proteston energjikisht për këto sjellje brutale që cenojnë rëndë të drejtat e njeriut. Po zëri i tij shpërfillet hapur, ndërkohë që hetuesit thërrasin në ndihmë metodën e detyrimit për të pohuar nën torturë. Inxhinieri i shquar, nuk mund të bëjë përjashtim nga viktimat e tjera. Dosja “Stanisllav” ka ndër të tjera një procesverbal të datës 17 qershor 1947, ku “konfirmohet” me nënshkrimin e tij veprimtaria “sabotuese e reaksionare” dhe “bashkëpunimi agjenturor me zbulimin e SHBA-së nëpërmjet lidhjeve me ministrin amerikan në Tiranë,(ambasadorin – shënim i red) Grand.” Ishte kjo platforma famëkeqe e Sigurimit të Shtetit që më parë i shkruante të tilla marrëzira vetë dhe shkonte pastaj te qelia e viktimës për t’i marrë firmën. Firma në këtë rast nuk parakuptonte vetëm pranimin e fajësisë, por edhe dakortësinë për ndëshkimin fatal. Viktimë e kësaj sjellje, Stanisllav Zuber, mundi t’i rezistojë deri në mbrëmjen e 18 tetorit 1947…
Vijon nesër…
“Profesor Zuberi, viktimë e prapaskenave serbe”

Monografia “Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra” është libri më i fundit i profesorit Arqile Teta. Përballë sprovës për të ndriçuar figurën e këtij kolosi të shkencave gjeologjike që kontribuoi 20 vite në vendin tonë, autorit i është dashur një punë e madhe hulumtuese në Shqipëri dhe Poloni, për të zbuluar dokumente e materiale të panjohura që i japin profilit Zuberit trajta të plota e përmasa reale. Përveç dimensionit shkencor të gjeologut të shquar, monografia e profesor Tetës hedh dritë mbi kalvarin e vuajtjeve dhe rrethanat në të cilat u zhduk Zuber Stanisllav në Tiranë. Për autorin e monografisë, eliminimi i këtij emri të madhe të shkencave gjeologjike lidhet me veprimtarinë subversive të Beogradit për gllabërimin e pasurive nëntokësore shqiptare. Më poshtë, po japim një pjesë të këtyre refleksioneve….
Profesor Stanislavi ishte i pari që kundërshtoi strategjinë e ndërmarrjes së përbashkët shqiptaro-jugosllave, krijuar në fillimin e vitit 1947, për të kaluar tërësisht në varësi të Beogradit. Kjo sipërmarrje e krijuar në kulmin e miqësisë midis dy shteteve, dikur aleate në Luftën e Dytë Botërore, hasi në vështirësi qysh në fillesat e veta. Përplasjet e para u ndjenë në kantieret naftënxjerrëse të Kuçovës, Patosit, Selenicës, të cilat ishin rimëkëmbur dhe funksiononin normalisht duke dhënë produkt të konsiderueshëm. Profesor Zuberi sakaq kishte përfunduar studimet dhe në fillim të vitit ‘47 ishin në përpunim një numër strukturash perspektive të nxjerrjes së naftës ku bëheshin shpime të thella të puseve të zonave të Krujës, Karbunarës, Selishtës etj. Pra, nga mëndja dhe dora e inxhinierit të talentuar, shoqëria e përbashkët shqiptaro-jugosllave e naftës kishte gjithçka të përgatitur, madje me një perspektivë të konturuar qartë. Po, pala jugosllave që nuk mjaftohej me kaq, synonte produktin shqiptar për të shuar urinë e jashtëzakonshme për karburante dhe bënte ç’është e mundur për ta gllabëruar atë. Në këto kushte, kërkoi që nafta e depozituar në Kuçovë, për arsye të teknologjisë së vjetër, sipas tyre, të përpunohej në Rieka, si dikur në kohën e fashizmit. Ndërkaq, drejtori i naftës së Jugosllavisë, Stepan Koren, kundërshtonte ngritjen e uzinës së rafinerisë në Shqipëri dhe ndërtimin e saj në Beograd. Nga ana tjetër, ekspertët jugosllav, gjithnjë në funksion të qëllimeve të tyre, pengonin kërkimet e reja dhe përqendroheshin vetëm te shpimet në zonën e Patosit, që ishte një vendburim i ri dhe kishte prodhim të lartë.
Shkurt, e gjithë strategjia e tyre, diku terthorazi e diku haptas synonte depozitimin e naftës shqiptare në distributorët e Jugosllavisë. Për ta realizuar këtë, ata u munduan të izolonin e likuidonin elementin kundërshtues shqiptar dhe Zuberin, pengesën e pakapërcyeshme të synimeve gllabëruese. Një përpjekje e tillë ishte urdhri djallëzor për të shmangur praninë e specialistëve shqiptar dhe sidomos të Zuberit në grupin e kontrollit, në puset e naftës. Pikërisht në këtë kohë, pala shqiptare e kryesisht Nako Spirua, që kishte në stafin e tij këshilltar kryesor, inxhinierit Stanislav Zuber, kundërshtoi ofertën e jugosllavëve për ta kaluar tërësisht varësinë e shoqërisë së përbashkët të naftës nga Beogradi. Ishte ky reagim i qartë e i prerë, i cili i parapriu fatit të keq të tij, Zuberit dhe të disa specialistëve të tjerë.
Sipas logjikës së njerëzve të Titos, shoqëria Shqiptaro-Jugosllave e Naftës, e cila tashmë ishte vënë plotësisht nën kthetrat e tyre, duhej të drejtohej nga gjeologët e inxhinierët jugosllav. S. Zuberishte për ta i “panevojshëm” dhe pengesë serioze e planeve kolonialiste. Jugosllavët dhe sejmenët e Koci Xoxes e dinin që Zuberi nuk mund të blihej e shitej në dëm e shpërdorim të pasurive nëntokësore, për zbulimin e të cilave kishte punuar 20 vite me radhë. Pikërisht për këto arsye ata ishin të interesuar që aparati represiv i Koci Xoxes ta mbante në qeli profesorin e nderuar, e pse jo edhe ta zhdukte. Dhe plani ogurzi u realizua, ashtu si e deshën interesat e Beogradit. Do të ishin realizuar edhe synimet e tjera, por, fatmirësisht, në gjysmën e dytë të vitit ’48, kjo shoqëri dhe përgjithësisht marrëdhëniet me Beogradin u prishën e u acaruan deri në armiqësi për disa dekada.
AFRIM IMAJ
© Panorama.al











