Adelina Ismaili: “Fiton Amerikën dhe ia vjedhin këpucët”

Jun 11, 2011 | 13:16

Është kthyer nga turneu në Amerikë, është gjallë sigurisht, edhe pse dolën fjalët për vdekjen e saj, ndërkohë që flet ekzkluzivisht për “Panorama plus”. Është shumë e sinqertë, me një dozë humori në vete. Ja çfarë na tregon Adelina.
Adelina, ishe në turne në Amerikë për të disatën herë me radhë, si kalove?
Përshëndetje! Ishte hera e tretë që isha në Amerikë dhe pa teprime, kam pasur një turne të shkëlqyer që nuk do ta harroj deri në fund të jetës. Të jem e sinqertë, nga ato pak biseda që arrita të kem me fansa në Amerikë, publiku atje duket mjaft i përmalluar, por edhe i dëshpëruar nga koncertet shqiptare, të cilat kryesisht janë të organizuara dobët. Ndoshta ky fakt ka ndikuar që turneu im të cilësohët si njëri ndër më të suksesshmit kohët e fundit në Amerikë, gjithnjë për komunitetin shqiptar po flas. Guxoj të them që organizatorët atje duhet të mendojnë seriozisht për organizime më normale, nëse duan që rinia të mos u ikë në koncerte amerikane, gjë që do ta bëja dhe vetë.
Së bashku me ju ishte dhe Sabri Fejzullahu, ka kohë që nuk kemi dëgjuar bashkëpunime mes jush…
Me xhaxhi Sabriun mund të mos takohem 20 vite, por kurdo që bashkohemi, jemi i njëjti ekip fitues që korr gjithçka para vetes. Gjithmonë e kam quajtur veten njeri me fat, që jetoj në kohën e një legjende siç është ai. Është e vështirë të flasësh për emocionin që të mbërthen kur ke përballë Sabri Fejzullahun dhe dashurinë që arrin t`ia falësh publikut në ato momente. Unë nuk mund të flas as dhe një fjalë të vetme kur ai më prezanton. Unë guxoj vetëm të përkulem para asaj madhështie. Publiku këtë e sheh, e ndien dhe s’ka si të mungojë kënaqësia para tërë atij sinqeriteti që fal Sabri Fejzullahu.
Na trego ndonjë ngjarje interesante, prapaskena…
Ouuu, prapaskenat mbesin të njëjtat siç kanë qenë gjithmonë. Kolegë nga jashtë e brenda që duan të sabotojnë koncertet me çdo kusht kanë qenë kokëdhëmbja më e madhe (qesh). Mjerisht, asnjëri nuk besonte që vërtet kam mbrojtje ligjore, derisa shfaqej policia. Pastaj “mallkimi i suksesit”, siç e quaj unë, me një koncert të suksesshëm,  të cilin prezantuesja e quan “koncerti im” (qesh). Stresi i ndërrimit të pesë shteteve amerikane brenda pesë ditësh, organizator që do edhe gjyshen e vet ta bëj “yllin” e koncertit, kërcënime të montuara nga konkurrenca që nuk frikësojnë askënd etj. Do të të tregoj dy të forta nga prapaskena, një e shëmtuar, një e bukur. Dikush që nuk ia them dot emrin, më vodhi 2 palë këpucë. Tingëllon e çuditshme, por unë po qeshja me të madhe. Ia bleva edhe getat personit në fjalë e i thashë: ”Aman merri se të shkojnë me këpucët, do lësh nam me ato këmbë”. E dyta ishte Melinda nga American Idol. Befasia më e bukur që më ka ndodhur. Ajo vajzë, përveç kualiteteve që i ka dhënë Perëndia, kishte dhe një shpirt aq të madh, saqë më nxori lotët kur po qante duke më përqafuar dhe fliste se jam idhulli i saj që nga mosha 2-vjeçare. Ka gjithçka në prapaskena, dua të mbaj në mend të bukurat.
Mësuam që në dy koncertet e fundit, mysafire e turneut ishte dhe Aurela Gaçe. Na trego si ishte Aurela në ato koncerte…
Ardhja e Aurelës ishte suprizë edhe për ne, e morëm vesh një javë para turneut, turne i cili në fakt ishte programuar që nga qershori i vitit të kaluar. Një surprizë e këndshme për të gjithë ne besoj. Shiko, unë kam dhënë mendimin tim për Aurela Gaçen dhe nuk ndryshon. Është një ndër figurat e rralla që çmoj në skenën shqiptare. Si person, Aurela është njeriu më i dashur që një këngëtare mund ta ketë afër vetes në turne. Si profesionaliste, nuk diskutohet. Unë çmoj së pari moshën e saj më të madhe dhe arritjet që secila këngëtare nga Shqipëria i dëshiron, besoj. Normalisht që në skenë secili mundohemi të mposhtë gjithkënd, por na dallon mënyra. Dikush në skenë, dikush me prapaskena. Unë Eurovisionin as që e shikoj. Dua të besoj që Aurela vërtet më ka në zemër, siç e kam dhe unë. Duket mrekulli dhe ia kam thënë që i ka rënë nuri i bukurisë e është më seksi se kurrë. Në koncertin e parë nuk arritëm të komunikojmë shumë, ishte rrëmujë. Por, në koncertin e dytë, unë që nuk mbyll gojë kurrë, ngela pa tekst kur dëgjova se çfarë po fliste Aurela në skenë për mua. Është njeri i madh.
Ky turne është  reklamuar nga një kompani prestigjioze që organizon edhe koncertet e 50 Cent, nga kjo mësuam se Adelina vërtet ia ka mundur të pushtojë gjithë botën e jo vetëm Europën… Na zbulo ndonjë detaj nga ky bashkëpunim…
Është kompania ime amë në Zvicër që përkujdeset për çdo gjë që ka të bëjë me menaxhimin e organizimit të koncerteve të mia në tërë botën. Vërtet që jam e privilegjuar që kam arritur të jem pjesë e një shtëpie të madhe që organizon koncertet e yjeve botërore.  Të mos e ekzagjeroj, unë nuk kam mundur të pushtoj. Thjesht, jam duke punuar intensivisht dhe kam fatin që projektet e mia menaxhohen nga kompani që i dëshiron çdo artist në këtë botë. Si këngëtare, mezi po pres të publikoj projektin sa më parë. Si bashkë-producente e projektit, respektoj punën e menaxhmentit tim dhe të pres. Është si një ëndërr.

Pas tri vitesh punë, ikën me pushime

“Lançimi dhe promovimi i projektit do kërkojë nga unë shumë përkushtim dhe seriozitet këtë verë. Pastaj më duhen së paku 3 javë pushim, nuk jam ndalur tri vite me turne botërorë dhe jam shumë e lodhur fizikisht. Nuk guxoj të planifikoj asgjë tjetër, edhe pse do më ngelet pikë në zemër nëse nuk arrij të përsëris turneun ballkanas këtë verë. Por, nuk hyj në rangun e atyre që mundohen të mbajnë nga 2-3 karriera e në fund mbesin duke kënduar në lokale pijanecësh. Më mirë një projekt i mirë dhe serioz njëherësh. Pastaj shohim e bëjmë. Jam 31 vjeç dhe kam 25 vite karriere intensive. I kam arritur të gjitha që kam ëndërruar dhe çdo ambicie e tepërt mund të rrezikojë njeriun tek unë. Është koha që të mendoj seriozisht të jetoj lumturinë. Lumturinë që ma ka falur Zoti.”

Si e priti lajmin e “vdekjes”

Është përfolur shumë rasti i fundit që u shpif nga një portal se Adelina është në Spitalin e Prishtinës dhe më pas ka vdekur. Si e prite?
Ajo shpifje e tmerrshme nuk ishte koincidencë. Unë nuk merrem me ta, është kompania që përkujdeset për çdo keqpërdorim të imazhit tim dhe me padinë merren juristët brenda kompanisë, në këtë rast dhe avokati im. Gjithsesi, kemi pista që na tregojnë që kjo shpifje është bërë nga kolegë për të sabotuar turneun. Kur them që nuk tregoj ku jam dhe çfarë po bëj, nuk e bëj për të luajtur “të mistershmen”, por janë kontratat që më detyrojnë për gjëra të tilla, saktësisht për të mbrojtur integritetin, imazhin dhe punën time nga ngjarjet e shëmtuara. Isha e brengosur kur më treguan që fansat ishin tmerruar dhe, me të zbritur në New York, nga Parisi kontaktuam njerëzit kompetentë dhe zëdhënësën time. Fatkeqësisht, ende ka këngëtarë që mendojnë se karriera ndërtohet duke iu futur nën pantallona kriminelëve apo duke tentuar të njollosin punën e tjetrit, por le të marrin vesh një herë e përgjithmonë që ato gjëra kanë marrë fund. Jemi në vitin 2011, nuk pijnë më ujë gënjeshtrat e askujt. Faleminderit Zotit që dita-ditës po merret vesh kush është kush.
Ke vendosur të bësh padi?
Edhe pse nuk jam asapk kompetente për të folur mbi këtë çështje, sepse po e përsëris, me këtë punë merret kompania me të cilën punoj, guxoj të them që kemi të bëjmë me tetë vepra penale dhe e tëra varet se çfarë do vendosë gjyqësia.

 

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura