
Në kulmin e pushimeve verore, mes atyre që rendin pas plazheve për t’u kredhur në ujërat e kaltra të bregdeteve, ka dhe nga ata individë që gjejnë zgjedhje të mesme, gjithmonë në shërbim të vetes. Trajtime mirëfilli të specializuara nga duart e fizioterapistes kineze të sjellin në formë duke ju relaksuar trupin dhe mendjen. Kryesorja, ju bëjnë gati për fillimin e sezonit të ri të punës gjatë muajit të ardhshëm, duke ju çliruar energjitë negative e duke ju shkrydhur deri në kockat dhe muskujt e fundit të trupit…
Nga Shangai në Tiranë, për të kuruar sëmundjet e kockave
Në ditët e sotme nuk ka dallim moshe apo karakteristika origjine që diferencojnë njerëzit me probleme shëndetësore. Thuajse, femrat dhe meshkujt, të grupmoshave mesatare e lart, ankohen për dhimbjet e kockave, të kyçeve të duarve e këmbëve, të qafës e shtyllës kurrizore. Kësi problemesh kanë disa faktorë që i shkaktojnë, por kryesisht janë stresi, qëndrimi për një kohë të gjatë ulur përpara kompjuterit, lodhja në punë, pa mënjanuar faktorin klimatik. Luhatjet e shpeshta të motit dhe të qenët vend mesdhetar me mbizotërim të lagështirës, bën që problemet shëndetësore, kryesisht ato të kockave, të reflektohen menjëherë në fizikun tonë. Xiu Fang Yang është një fizioterapiste kineze, e cila kish dëgjuar për problemet e kockave të shqiptarëve, aq sa edhe për të kaluarën e përbashkët komuniste të dy vendeve tona. Ndaj, pas dy vitesh eksperiencë profesionale si farmaciste në një nga zonat më të njohura të qytetit të Shangait, zgjodhi të ishte më produktive në punën e saj, ndonëse pas vendimit për të jetuar në Tiranë fshihej një tjetër arsye e qenësishme: të qenët përkrah të fejuarit. “Kam mbi dy vite që jetoj në Shqipëri dhe, të jem e sinqertë, më ka pëlqyer shumë vendi juaj. Kam nisur të përvetësoj disa cilësi që nuk i kam pasur në përditshmërinë time në Kinë, siç janë të qëndruarit gjatë nëpër kafene apo vonesat nëpër takime. Gjithsesi, ndihem më shumë produktive në aspektin profesional, sepse u gjendem pranë klientëve me probleme të ndryshme shëndetësore, apo edhe atyre që zgjedhin veçse të relaksohen përmes masazheve të trupit”, thekson fizioterapistja kineze. Vendet e Azisë Juglindore njihen botërisht për kulturën mijëravjeçare në kurimin e problemeve të kockave përmes fizioterapisë, si një zhanër që ka ardhur duke u perfeksionuar vit pas viti. Shqipëria duke qenë vend me klimë mesdhetare, ka tejet lagështirë, faktor ky që ndikon negativisht në trupin e njeriut. Pa harruar ndikimet e tjera, siç janë stresi, lodhja fizike e mendore, të cilat shfaqin menjëherë pasoja te secili prej nesh. Gjatë viteve të punës në Tiranë, në klinikën “New Life” Ermira ka konstatuar se problemet më të shumta të klientëve shqiptarë janë kryesisht ato të qafës, shtyllës kurrizore dhe në moshat më të mëdha, hernia diskale. Shpesh edhe jeta sedentare apo qëndrimi me orë të zgjatura përpara kompjuterit shkaktojnë dëmtime serioze të shtyllës kurrizore. Ndërsa dhimbjet e shkaktuara nga reumatizma, thotë Ermira, vijnë kryesisht për shkak të favorizimit nga lagështira, ashtu siç herë të tjera ka ndikim edhe faktori i trashëgimisë. Seancat specifike të trajtimeve sipas kategorisë së problemit shëndetësor, apo qoftë edhe një nevojë për relaks përmes prekjes nga duart e masazhatores, janë gjithmonë të këshillueshme për gjithë grupmoshat. “Sezoni i verës ka shpesh edhe fluks klientësh që kërkojnë të qetësojnë trupin dhe mendjen për të rimarrë energji të nevojshme për një fillim sezoni pune, kryesisht në muajin shtator. Ndaj, masazhet relaksuese me vajra bimore dhe shkrydhja e kockave dhe muskujve të trupit përmes seancave të masazhit janë tejet të nevojshme për çdokënd që kërkon të çlirohet nga energjitë negative, për t’u ndier më pas i qetësuar në çdo qelizë trupore”, vijon ajo.
“Kupat” që heqin të ftohtin!
Dikur, gjyshet tona ishin shndërruar në “mjeket” pa diplomë që shëronin dhimbjet e shpatullës apo të ftohtin përmes hedhjes së kupave të nxehta në kurriz. Sot, të tjerë konkurrentë të fortë janë shfaqur në skenë, duke i lënë gjyshet në hije. Masazhi me kupa të nxehta u heq të ftohtin dhe toksikmimin njerëzve. Disa kupa qelqi, në të cilat gjenden fitila me alkool, ngrohen dhe vendosen në shpatullat e të sëmurit. Lihen për disa minuta derisa mishi fryhet dhe thith të ftohtin e dhimbjen. E nëse pas heqjes së tyre kanë mbetur shenja të zeza, kjo dëshmon se masazhi e ka bërë efektin e tij.
Kurimi përmes agopunkturës!
Gjilpëra me majë të hollë dhe gjatësi deri në 9 centimetra ngulen njëra pas tjetrës në kurrizin tuaj. Akupunktura dhe mjeshtëria e vjetër kineze, e njohur për efektet e saj kuruese dhe çlodhëse, është vetëm një prej masazheve që preferojnë shqiptarët. Fizioterapistja kineze tregon se “pasi janë zbuluar pikat e dobëta dhe problematike te pacienti, mes 361 të tillave që ka trupi i njeriut, nëpërmjet gjilpërave që ngulen pjerrtas në trup, bëhet e mundur hapja e kanaleve të gjakut duke ndihmuar në qarkullimin normal të tij dhe duke lehtësuar dhimbjet”. Akupunktura është më tepër një lloj terapie mjekësore, që zëvendëson medikamentet që mund të pijë një pacient i cili vuan nga reumatizma, spondeliatroza, nervi shiatik, inflamacione të shpatullave etj.
Prekja që të qetëson!
“Komunikimi përmes prekjeve” është gjithë sekreti i këtij masazhi të njohur japonez. I bazuar në idenë se trupi i njeriut zotëron energji elektromagnetike, ky masazh kryhet përmes prekjeve me mollëzat e gishtave, me pëllëmbë dhe me duar, sidomos në zonat specifike të trupit, prej nga buron edhe lodhja. Trajtimi fillon te zona e qafës, më pas te krahët, koka, kurrizi, këmbët dhe në gjithë trupin, duke çliruar energji pozitive, duke ulur presionin e gjakut, reduktuar stresin dhe duke hequr toksinat nga trupi.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











