Në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, pra deri në vitin 1990-të, pasi të dënuarit me vdekje, nuk i falej jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, njoftohej Ministria e Punëve të Brendshme. Pas këtij njoftimi, Dega (në vitet 1974-1983, drejtoria) e Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përgatiste urdhrin e ministrit. Pas vitit 1983, urdhrin për ekzekutimin e vendimit, e përgatiste Drejtoria Zbatim Vendime Penale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Urdhri ngarkonte Degën e Punëve të Brendshme, të rrethit ku ishte dhënë vendimi. Plani i masave në Degë, përgatitej nga zëvendësshefi i policisë dhe shefi i hetuesisë (pas vitit 1983, nga shefi ose referenti i sektorit zbatim vendime penale, përfshirë edhe pjesëmarrjen në planin e mëposhtëm).
Ekzekutimi kryhej me armë zjarri, nga një person, ose me varje në litar. Ekzekutimet me toga pushkatimi, janë përdorur në raste shumë të rralla. Nga e kaluara, janë trashëguar fare pak urdhra dhe plane masash të tilla, sepse për pjesën më të madhe të viteve, ato konsideroheshin dokumente të përkohshme. Pak a shumë, plani i masave ishte në formën e mëposhtme:
Miratoi
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme
Plani i masave mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të të dënuarit (…….).
Për ekzekutimin e të vendimit të gjykatës për dënimin me vdekje (pushkatim) të (…….) ora 24.00, datë 3.3.1975 (data për shembull), merren këto masa:
1-Të bëhet rikonicioni:
-për vendin e ekzekutimit.
-për itinerarin e lëvizjes, për në vendin e ekzekutimit.
-për sigurimin e jashtëm (në largësi) të vendit të ekzekutimit.
E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendësshefi i policisë.
2 – Të dërgohet një patrullë policie, e përbërë nga 3 policë, për të hapur gropën ku do varroset i dënuari pas ekzekutimit.
E kryen zëvendësshefi i policisë.
3 – Për ekzekutimin e vendimit caktohen:
– shefi i hetuesisë.
– zëvendësshefi i policisë për shërbimet.
– dy policë për shoqërimin e të dënuarit.
– katër policë për sigurimin e jashtëm në largësi.
– një inspektor rrugor, i cili do të sigurojë itinerarin e lëvizjes së patrullës për në vendin e ekzekutimit.
– dy makina të drejtuara nga shoferët (emri mbiemri) të cilat do transportojë efektivin dhe të dënuarin për në vendin e ekzekutimit.
E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendësshefi i policisë.
4 – Të njoftohet prokurori i rrethit dhe mjeku ligjor.
E kryejnë shefi i hetuesisë dhe zëvendësshefi i policisë.
5 – Për ekzekutimin e pushkatimit ngarkohet referenti i zbatim vendimeve penale nënoficer (emri mbiemri).
6 – Të dënuarit i komunikohet vendimi.
7 – Pasi merren të gjitha masat e sigurimit, dëgjohet fjala e fundit e të dënuarit dhe kryhet ekzekutimi nga referenti nënoficer.
8 – Në përfundim përpilohet proces-verbali mbi ekzekutimin e vendimit. Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al