Si e përkthejmë gjakmarrjen

Sep 3, 2012 | 12:51

ELSA BALLAURI

Eshtë pak të themi se jemi të pandjeshëm ndaj një prej fenomeneve më primitive dhe absurde që po përjetojmë prej vitesh. Gjakmarrja, ose është pjesë e fortë e psikologjisë shqiptare me kuptimin e vërtetë dhe shkencor që ka kjo fjalë: pra, vjen si faktor gjenetik i vjetër dhe funksionon sipas një mekanizmi të njohur që të gjithë e marrin të mirëqenë, ose përplaset fort me pandjeshmërinë tonë sociale që mjafton “tymi yt të shkojë drejt” dhe asgjë tjetër pas kësaj nuk ka vlerë.  Qëndrimi i shtetit, reagimi i institucioneve, nevoja për gjyqe të drejta dhe ligje specifike për një fenomen të veçantë që nuk është karakteristikë e çdo vendi europian, puna e palodhur e policisë, etj- të gjitha këto marrëveshje që pa dyshim duhet të zënë vend dhe të ndihmojnë uljen e fenomenit, luajnë një rol shumë të rëndësishëm, por ama nuk janë gjithçka. Nëse do pretendojmë se për të zhdukur këtë institucion na duhet vetëm shteti, atëherë jemi fshehur thellë pas frikës se jemi të pafuqishëm për të ndryshuar psikologjinë tonë gjenetike. Nëse nuk do të jetë shoqëria ajo që do të detyrojë qeveritë të ngrenë institucionet antigjakmarrje, atëherë edhe rezultati nuk mund të këtë efektin e duhur.
Për të bërë një krahasim, më duhet të kaloj në periudhën e komunizmit (periudhë që merret si një shembull i mjerë nga shumë veta). Diktatura e ndaloi gjakmarrjen me dhunën e fortë të ligjit dhe frikës. Ishte një ndalim mekanik, i egër, me pasoja shkatërruese për individin që kryente krimin. Natyrisht që funksionoi… Në diktaturë të gjitha masat funksionojnë, sepse përndryshe pasojat janë fatale. Kështu ndodhi me mafien siciliane kur fashizmi mori pushtetin, krimet ulen, frika dhe terrori psikologjik rritet. Natyrisht që ky nuk është asnjëherë modeli më i mirë për të zhdukur fenomenin e vrasjes, sidomos të atyre vrasjeve dhe krimeve që i pranon kodi zakonor. Nuk është modeli i duhur, sepse qëndron thjesht mbi baza mekanike dhe sipërfaqësore. Idealja për të ndryshuar thelbin është ta kesh analizuar atë që do të ndryshosh, ta bësh ndryshimin me koshiencë. Por duke qenë larg këtij lloj realiteti, ne vazhdojmë të bëjmë krahasime të dhimbshme me periudhën e diktaturës dhe këtë e bëjmë shpesh nga e keqja – në historinë tonë nuk kemi më afër ndonjë model tjetër.
Argumenti se a mundet vetëm shteti të zhdukë fenomenin e gjakmarrjes me ligjet që duhet të vendosë dhe implementimin e tyre, duket se është një argument i pamjaftueshëm nëse do të flasim për një sistem demokratik (qeverisje me vendimin e popullit). Pra, nevojitet pjesëmarrja e njerëzve dhe jo vetëm e një grupi të vogël politikanësh, që kushedi ku u bredh mendja, ndërsa dëgjojnë informacione të shumta vrasjesh sipas kanunit, apo në cilën pjesë të botës ndodhen kur një 17-vjeçare vritet duke ëndërruar për yjet dhe diellin sepse i ati, apo i ungji (s’ka rëndësi se cili), ka vrarë dikë se ishte i dehur…
Ende nuk kam dëgjuar të publikohet me insistim ndonjë analizë e bërë nga institucione që kanë marrë përsipër të ulin fluksin e gjakmarrjes dhe të shpjegojnë se cilat janë shkaqet aktuale të fenomenit, si është “modernizuar” kanuni, dhe pse në fund të fundit, jemi kaq të paaftë që ta ruanim këtë kod zakonor inteligjent dhe të përparuar për kohën e tij në muzeun e trashëgimisë sonë socio-kulturore dhe jo ta bastardonim kaq shumë. Me sa kam vrojtuar, do të na duhet edhe një analizë për të parë se sa gjakmarrja është në subkoshiencën tonë një gjë normale, apo thjesht është një ndërhyrje e huaj, që nga halli e pranojmë. Varianti i parë më duket më i besueshëm. Mënyra se si shoqëria pret të dëgjojë, të diskutojë duke pirë kafe, të gjykojë dhe të mos bëjë asgjë, më tepër të lë të kuptosh se ky është një fenomen normal… “Natyrisht, po vrave, të vrasin…. E po tani, plumbi zuri një fëmijë… ishte thjesht një pakujdesi, e po… edhe fëmija ishte pjesë e familjes… gruaja, gjithashtu”… Meqë shteti s’po bën ndonjë aksion të vetin, njerëzit kanë të drejtë të vetëgjyqësojnë dhe të vazhdojnë të navigojnë në kulturën e tyre të dhunës dhe hakmarrjes…
Është shumë e çuditshme se si institucionet e pushtetit largohen me panik nga gjakmarrja: frikë ndaj votuesve, rehat se komuniteti ndërkombëtar e quan një çështje të brendshme të izoluar dhe nuk e sforcon qeverinë shqiptare të marrë masa, ngurrim për t’u përballur me sfidën për një strategji të thellë, ankth nga pamundësia për ta rregulluar gjendjen.
Historia e justifikimit është një histori shqiptare. Me apatinë, dembelizmin, pragmatizmin dhe mungesën e ndjeshmërisë, mundohemi të justifikojmë çdo gjë. Shkodra, e cila ka një peshë të madhe të përgjegjësisë së këtij niveli indiferent, është pothuajse larg fenomenit të gjakmarrjes, aq sa edhe Roterdami. Duket sikur qyteti antikonformist i kohës së diktaturës është shndërruar dhimbshëm në një qytet politikëpranues të qeverisjes aktuale. Dhe qeverisja aktuale për fat të keq është shumë larg angazhimit serioz për atë që po ndodh.
Në vazhdën e psikologjisë së mospërputhjes të aksioneve të shoqërisë me ato të qeverisë, rasti i gjakmarrjes është tipik. Edhe kur shoqëria civile punon, siç është fakti i shumë aksioneve që ndërmerren nga misionarët e pajtimit të gjaqeve, apo projekteve herë pas here të organizatave joqeveritare, kjo punë duket sikur shkon në një drejtim gati–gati pa ndonjë rezultat, sepse nuk kombinon me aksionet që duhet të ndërmarrë qeveria. Një shembull të cilin e kam deklaruar disa herë në shtyp dhe gjithmonë mbetet një pyetje pa përgjigje, është çështja e shkollës së fëmijëve të ngujuar në Poliçan. Dihet që kjo shkollë është mbyllur për fëmijët e ngujuar dhe është kthyer në një azil pleqsh. Qeveria në këtë rast ka në dorë (Ministria e Punës) fatin e shkollës. Gjithashtu mungesa e një analize ka bërë që edhe punonjësit e Ministrisë ta quajnë thjesht një shkollë për disa vogëlushë të izoluar që, edhe nëse nuk e kryejnë këtë gjë, s’ka asnjë pasojë negative. Nëse do të ishin koshientë se çfarë sjell mbyllja e një shkolle të tillë, do ta ndienin veten keq qe në vend të ndihmojnë familjet e bllokuara nën trysninë e hakmarrjes, po ndihmojnë në krijimin e një armate hakmarrësish të ardhshëm.
Shteti shqiptar duhet ta ndiejë veten keq në shumë fusha, në shumë aspekte të jetës së shoqërisë që ka marre përsipër të drejtojë. Nëse për shumë ndryshime të mëdha që duhet t’i ndodhin Shqipërisë duhen shumë para, në rastin e gjakmarrjes kjo nuk është kështu… Në këtë rast duhet zemër, një zemër shumë e madhe.

© Panorama.al

Te lidhura