Si do të vishemi: Aromë pranvere…

Feb 26, 2012 | 13:09

Nuk do të presim gjatë, derisa palltot e rënda dhe veshjet e trasha të zënë vend në gardërobë, për t’ia lënë vendin preferencave më të lehta… që mbajnë aromë pranvere. Stilistët e famshëm të botës pohojnë se trendet e veshjeve të sezonit që po afron pranverë verë 2012, do të kenë më shumë ngjyra se turmat e spektatorëve në koncertet e Lady Gagës. Por, kombinimi i vetëm tri nuancave në një veshje, qoftë fustan, kostum apo rroba banje, sugjerohet si më i preferuar, për të mos krijuar ngarkesa vizuale. Ngjyrat e forta solide, si e kuqja, e zeza, bluja apo e verdha vijnë direkt nga pasaralet e modës së stilistit Marc Jacobs. Por, mes larmisë së ngjyrave dhe efektit dallues që ato kanë në veshjen e mbajtur në trup, stilistët i kanë lënë vend edhe zgjedhjeve alternative, por që sërish përbëjnë tendencën e sezonit. Dhe këto janë stilet e printuara të veshjeve. Si një zgjedhje e veçantë që përqafon tendencat më të fundit, stilet që përçojnë kësi qasjesh, vijnë të materializuara në copat e pantallonave, të kamishave apo fustaneve të lehta pranverore. Shkronjat kapitale të gdhendura në tërësinë e veshjes janë menduar si një mundësi për të thithur vëmendje, sepse më së shumti ato krijojnë dridhje, vibrim për syrin e lirë. Gjithashtu, figurat gjeometrike, me përmasa të çuditshme, nga lulet e mëdha tek papagajtë janë një tjetër sugjerim i stilistëve botërore për çdokënd që lyp modën!

© Panorama.al

Te lidhura