Si do të testohen mësuesit e rinj

May 28, 2012 | 13:17

Publikohet udhëzimi i plotë për strukturën e pyetjeve të Provimit të Shtetit që mësuesit e rinj do të japin për herë të parë këtë vit.
Në rast se nuk kalojnë, ata nuk mund të ushtrojnë profesionin. Pas urdhrit për ngritjen e grupit të punës që do të hartojë tezat, MASH zbardh peshën që do kenë secila nga linjat. Brenda një kohe të shkurtër pritet të jenë gati programet orientuese. Provimi i Shteti për mësuesit është i përbërë nga dy pjesë: Pjesa pedagogjike zë 40 % të pyetjeve dhe pjesa profesionale zë 60 % të pyetjeve.
Programi i pjesës pedagogjike
Nga sa ka përcaktuar MASH, programi i Provimit të Shtetit për pjesën pedagogjike është një program orientues, i cili do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij të përgjithshëm. “Në program do të paraqiten sipas linjave përkatëse kompetencat, të cilat përfshijnë njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet që kërkohen të arrihen nga mësuesit e rinj në përfundim të Provimit të Shtetit në lidhje me: zhvillimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar, metodat e mësimdhënies dhe mendimi kritik e aftësitë ndërkurrikulare”, ka bërë me dije MASH. Sipas udhëzimit, mësuesit do të testohen gjithashtu në lidhje me vlerësimin e nxënësve, të nxënët dhe menaxhimin e klasës, psikologjinë e zhvillimit, komunikimin dhe etikën në shkollë dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. “Programi do të hartohet nga grupi i punës së Shkencave Sociale dhe Gjuhë-Letërsisë. Ky program do të përmbajë edhe literaturën që duhet të përdorë kandidati për realizimin e këtij programi”, thuhet në udhëzim.
Pjesa profesionale
Programi i Provimit të Shtetit për pjesën profesionale është një program orientues, i cili do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij profesional, sipas profilit përkatës. Në program do të paraqiten sipas linjave përkatëse kompetencat të cilat përfshijnë njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet që kërkohen të arrihen nga mësuesit e rinj në përfundim të Provimit të Shtetit. Bëhet fjale për përvetësimin e koncepteve kryesore me të cilat operon lënda përkatëse e shembujve të njohurive dhe lidhjet e saj me situata të jetës reale. “Do të testohen konceptet kryesore me të cilat operon lënda (lëndët) përkatëse, interpretimi i lidhjeve shkak-pasojë midis proceseve e dukurive që trajton kjo lëndë, lidhja midis njohurive të lëndës me njohuritë e disiplinave të tjera brenda fushës ose jashtë saj, lidhja e shembujve të njohurive të kësaj lënde me situata të jetës reale”, saktëson udhëzimi. Programi do të hartohet sipas lëndëve të përcaktuara në urdhrin e ministrit. Ky program do të përmbajë edhe literaturën që duhet të përdorë kandidati për realizimin e këtij programi”, thuhet në udhëzim.

Pesha e pyetjeve
Pjesa pedagogjike

Zhvillimin e kurrikulës së arsimit parauniversitar    6%
Metodat e mëismdhënies dhe mendimi kritik      6%
Aftësitë ndërkurrikulare     4%
Vlerësimin e nxënësve     5%
Të nxënët dhe menaxhimin e klasës    5%
Psikologji e zhvillimit     4%
Komunikimin dhe etikën në shkollë      5%
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe     5%
Totali    40%

Pjesa profesionale
Niveli bazë (njohës + të kuptuarit)     24%
Niveli mesatar (zbatim + analizë)      24%
Niveli i larte (sinteze + vleresim)     12%
Totali i pjesës së dytë     60%

Rregullorja
Pak kohë më parë MASH ka nxjerrë rregulloren për praktikën profesionale. Ajo zgjat një vit dhe për këtë periudhë mësuesve do t’u paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Në praktikë nuk futen  të diplomuarit pa master. Vetëm pasi të kenë mbyllur praktikën, kandidatët do të japin provimin e shtetit. “Praktika profesionale është një procedurë, e cila zhvillohet nën mbikëqyrjen e mentorit ose mësuesve më të mirë. Do të jenë ata që do të mbikëqyrin praktikantin, i cili zhvillon praktikën profesionale njësoj si një mësues tjetër i shkollës.

Vlerësimi
Vlerësim me pikë për të gjithë ata kandidatë që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Është përcaktuar pragu i pikëve për të marrë notë kaluese. Kandidatët duhet të grumbullojnë më shumë se 50 pikë nga 100 të mundshme. Është detajuar edhe shkalla e vlerësimit për notat e tjera. Në të kundërt, duhet ta japin sërish provimin. Në rregullore saktësohet edhe mënyra si do të aplikojnë kandidatët. Dosja e aplikimit duhet të dorëzohet brenda afateve që cakton Ministria pranë urdhrave profesionalë. Pasi të kenë kryer praktikën pranë këtyre urdhrave, kandidatët do t’i nënshtrohen testimit në një fazë të dytë. Vlerësimi do të bëhet me pikë sipas një skeme të caktuar.

Urdhri: Vetëm mësuesit që kalojnë provimin aplikojnë për vend pune

Grupi i punës për pyetjet

Ministri i Artimit, Myqerem Tafaj

Urdhri i ministrit Tafaj ka qenë i qartë. Vetëm mësuesit që do të jenë kalues në provimin e shtetit, do të kenë mundësi për të ushtruar profesionin dhe për të aplikuar për vende të lira pune.  Nga sa përcakton ky urdhër, janë ngritur grupet e punës për të hartuar fondin e pyetjeve, të provimit të cilit do t’i nënshtrohen mësuesit që janë duke zhvilluar praktikën profesionale nëpër shkolla. Provimi i shtetit zhvillohet në tetor të këtij viti. Janë angazhuar rreth 50 pedagogë të shkollave të larta që do të hartojnë fondin e pyetjeve për rreth 15 lëndë. Për çdo lëndë parashikohet të hartohen rreth 2000 deri në 3000 pyetje. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtoritë arsimore rajonale. Vetëm mësuesit që kalojnë me sukses provimin e shtetit do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit. Ky është një standard i ri që synon rritjen e cilësisë së përgatitjes së mësuesve të rinj. Me mbarimin e praktikës profesionale në mënyrë të suksesshme, pasi merr certifikatën që e ka kryer me sukses praktikën profesionale, ai i nënshtrohet provimit të shtetit”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Këtë vit, në të gjithë sistemin parauniversitar do të zbatohet dhe testimi i të gjithë arsimtarëve që dëshirojnë të konkurrojnë për postin e drejtuesve të shkollave. Deri tani autoritetet e Arsimit janë në fazën e përgatitjes së rregullores për zhvillimin e testimit.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura