Shullazi në burg, RENEA rrethon Gjykatën e Lezhës

Jul 4, 2012 | 14:52
Forcat speciale duke shoqëruar Emiljano Shullazin në Gjykatën e Lezhës

Një muaj pasi Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm për armëmbajtje, një tjetër gjykatë e lë në qeli Emiljano Shullazin për të njëjtën vepër penale.
Gjykata e Lezhës, e cila vendosi të lërë në burg Shullazin bashkë me personin që e shoqëronte në mjet ditën e arrestimit, Helidon Arizaj, dje u blindua me forca të shumta të Policisë dhe të RENEA-s. Trupi gjykues vendosi masën e sigurisë “burg pa afat” deri në mbylljen e hetimeve dhe nisjen e procesit gjyqësor ndaj tij. I shoqëruar nga tre furgonë policie, Emiljano Shullazi dhe shoku i tij Arizaj u paraqitën në Gjykatë rreth orës 10:20. Si rrallë më parë, gjatë kohës që është zhvilluar seanca gjyqësore, në Gjykatën e Lezhës nuk është lejuar hyrja apo dalja e personave të tjerë. Prokuroria paraqiti para trupit gjykues provat e mbledhura, dy pistoletat që u kapën në mjetin me të cilin udhëtonin Shullazi, Arizaj, si dhe një person i tretë, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Gjykatësi i çështjes, Jak Ndoka, i ka vlerësuar arrestimet të ligjshme duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë burg pa afat. Burime në Gjykatë bënë të ditur se gjatë seancës gjyqësore Shullazi nuk ka paraqitur asnjë reagim, ndërsa nuk ka dhënë asnjë detaj për lëvizjen e tij apo motivet e posedimit të armëve, pasi më herët në polici ai ka mohuar se armët kanë qenë të tijat. Emiljano Shullazi u arrestua të premten e kaluar në hyrje të qytetit të Lezhës, teksa lëvizte me një makinë të blinduar drejt Shkodrës. Arrestimi i tij u krye nga forcat RENEA, të cilat kishin marrë informacion për lëvizjet e Shullazit dhe posedimit prej tij të armëve luftarake. Në kryqëzimin me rrugën e Shëngjinit u ngrit një postbllok dhe, në momentin e ndalimit, asnjëri prej të arrestuarve nuk bëri rezistencë. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Tiranë, policia sekuestroi 6 telefona celularë, si dhe 2 radio policie, ku përfshiheshin 11 kanale marrëse dhe dhënëse të strukturave të Policisë. Gjykata e Tiranës vendosi më 11 maj të këtij viti ta shpallë të pafajshëm Emiljano Shullazin, për akuzën e armëmbajtjes pa leje, pasi në nëntor të vitit 2011 ai u arrestua pranë “Parkut të autobusëve”.                              gj.f

© Panorama.al

Te lidhura