Shullazi, 2 policët hetohen për “dëshmi të rreme”

May 5, 2012 | 12:59
Emiljano Shullazi

Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin e Emiljano Shullazit me 4 vjet burg për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Për të bashkëpandehurin e tij, Gilmando Dani, u kërkua dënim me 1 vit e 6 muaj burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Në seancën e radhës në ngarkim të Shullazit dhe Danit, përfaqësuesi i Prokurorisë në proces kërkoi deklarimin e tyre të fajshëm. Sipas prokurorit, rezultonte se pistoleta e gjetur mbrëmjen e 8 nëntorit 2010 pranë ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, në vendin e arrestimit të Emiljano Shullazit, i përkiste këtij të fundit. “Rezulton e provuar se nga i pandehuri Emiljano Shullazi është konsumuar plotësisht vepra penale e ‘prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit’”, u shpreh prokurori. Konkluzionet e Prokurorisë u bazuan në procesverbalet e arrestit në flagrancë të dy të pandehurve, ku cilësohej se arma pistoletë ishte hedhur nga Shullazi në momentin e ndalimit. Në seancë prokurori bëri të ditur nisjen e procedimit për dy oficerët e patrullës që realizuan prangosjen e Shullazit dhe Danit. U bë e ditur se oficerët F. S. dhe E. M. do të ndiqen penalisht për “dëshmi të rreme”. “Në dëshmitë e tyre para gjykatës ata kanë deklaruar rrethana të ndryshme për ngjarjen nga sa kanë thënë para oficerit të Policisë Gjyqësore, para prokurorit të Prokurorisë dhe atë që kanë pasqyruar në aktet e procesverbalit të arrestit në flagrancë”, tha prokurori. Sipas prokurorit, ata kanë konsumuar veprën penale të “dëshmisë së rreme”.

Gilmando Dani

Në seancën e djeshme, gjykata është njohur me konkluzionet përfundimtare të avokatit mbrojtës të Emiljano Shullazit. Avokati mbrojtës i të pandehurit Shullazi kërkoi pafajësi për klientin e tij. “Klienti im është i pafajshëm”, u shpreh avokati. Ndërsa mbrojtësi ligjor i të pandehurit Gilmando Dani pretendoi pafajësi për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Në lidhje me pranimin e pronësinë së armës së sekuestruar nga policia nga ana e të pandehurit Dani, avokati i tij kërkoi që gjykata të këtë parasysh pendesën e shfaqur nga i pandehuri. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata e shtyu seancën për më 11 maj, ditë kur do të shpallet vendimi përfundimtar.  Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani u arrestuan në nëntor të vitit 2010 në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë. Në momentin e ndalimit policia sekuestroi një armë që u hodh në tokë nga njëri prej tyre në momentin e thirrjes “ndal” të policisë. Gjatë gjykimit, i pandehuri Dani ka pohuar se arma ishte pronë e tij dhe jo e Shullazit.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura