
Vdes në moshën 48-vjeçare para çmimeve “Grammy”
Këngëtarja vuante prej vitesh nga depresioni dhe varësia ndaj drogës. Pritet autopsia.
“Whitney, We Will Always Love You!”. Dashuria e publikut iu rikthye me të njëjtin refren që ajo iu drejtua dikur. Por nuk e mbajti dot të gjallë. Në moshën 48-vjeçare, ylli i muzikës pop-soul, Whitney Houston u nda nga jeta.
Rekordmenia e shitjeve dhe e çmimeve dha shpirt në një dhomë hoteli, vetëm një ditë përpara ndarjes së çmimeve “Grammy”, e palumtur, teksa shihte të binte gjithnjë poshtë e më poshtë, duke humbur shkëlqimin. E vërtetë çka do të thoshte Barbara Streisand: “I kishte të gjitha: bukurinë dhe një zë të mrekullueshëm. Është e trishtë që këto dhunti nuk i sollën të njëjtën lumturi që na dhuroi ne!”. Në fillim të viteve ’90, Whitney Houston do të bëhej idhulli i miliona njerëzve në gjithë globin, përfshirë edhe Shqipërinë e sapodalë nga diktatura. Nuk kishte njeri që të mos dinte të paktën një strofë nga këngët e Houston-it, që të mos kishte provuar ta këndonte të paktën nën dush, ndërsa më të guximshmit i kanë përdorur hitet e saj si gur prove për të promovuar talentin e tyre. Whitney Houston ishte një shembull karriere, por fatkeqësisht jo jete. Këngëtarja që do të këndonte kolonën zanore të filmit “Moisiu”, “When you belive”, nuk arriti dot të besonte tek vetja e të dilte nga errësira e narkotikëve. Edhe ajo ndoshta e parandiente. Filmi i saj i fundit flet për jetën e një këngëtareje të shkatërruar nga droga e fama. Por Whitney Houston do të mbetet gjithmonë “The voice” (“Zëri”).
Lajmi
Trupi i këngëtares u gjet të shtunën pasdite në Beverly Hilton në Beverly Hills, në Los Angeles. Lajmin e ka publikuar agjenti i saj, Kristen Foster. “Në orën 15:55 me orën lokale, Whitney Houston u deklarua e vdekur në Beverly Hilton hotel”, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Mark Rosen. Mësohet që trupi të jetë gjetur në dhomën e saj të hotelit, në katin e katërt. Mjekët e urgjencës që gjendeshin në zonë, kanë ndërhyrë menjëherë, por pa sukses. Pasi u kryen të gjitha tentativat për ta sjellë në jetë, ajo u deklarua zyrtarisht e vdekur. Zyra e shtypit të policisë së Beverly Hills është shprehur se ka marrë në orën 15:45 një telefonatë urgjence nga njerëzit e Houston dhe, kur agjentët e policisë kanë mbërritur në hotel, e kanë gjetur atë të shtrirë për tokë, pa jetë. Trupi është dërguar në morg, ku do t’i nënshtrohet autopsisë, ndërkohë që po kryhen hetimet për të gjetur shkakun e vdekjes së këngëtares.
Dyshimet
Sipas CNN, ka qenë miku i saj, këngëtari Raj Jay, që ka dhënë alarmin, ndërkohë që sipas një faqeje lajmesh gossip, që dha e para lajmin e vdekjes së Michael Jackson, me shumë gjasë këngëtarja është mbytur në vaskën e banjës së dhomës së saj. Të tjerë thonë se agjentët e policisë kanë gjetur në dhomë shishe me pilula dhe ka qenë një truprojë e Houston që i ka kërkuar ndihmë personelit të hotelit. Rreth orës 16:30 janë njoftuar familjarët e Houston për njohjen e trupit. Gjithmonë sipas së njëjtës faqe (TMZ), më pas ka ndodhur një zënkë mes Bobi Kristinës dhe agjentëve të policisë, pasi këta të fundit nuk e kishin lejuar të shihte trupin e së ëmës.
Mbrëmja e Grammy-t
Por nëse shkaqet e vdekjes mbeten ende të panjohura, dihet se prej kohësh këngëtarja vuante nga një depresion i fortë dhe ishte e varur nga qetësuesit dhe droga. Houston gjendej në LA për të marrë pjesë në edicionin e 54-t të Grammy Awards. “Ishte mbrëmja e saj e preferuar”, ka thënë për shtypin këshilltari i saj Clive Davis, i cili e zbuloi atë në vitet ’80 në një klub nate. Kështu që organizatorët e Grammy-t nuk mund të mos i bënin homazh figurës së saj.
Suksesi
Whitney Houston lindi më 9 gusht 1963 në Newark (New Jersey) dhe u fut në botën e muzikës vetëm pas një periudhe të shkurtër si modele dhe aktore nëpër sitcom-e. Whitney Houston ka dominuar skenën e këngës nga viti 1980-1990 dhe ka shitur rreth 170 milion disqe. E quajtur “The Voice” nga Oprah Winfrey për potencën e saj vokale, Houston mbante vendin e parë në klasifikimin e njerëzve më të suksesshëm me ngjyrë, bashkë me Michael Jackson. Por jo vetëm kaq. Gjatë karrierës së saj ka fituar 6 çmime “Grammy”. Edhe pse nuk u vlerësua për ndonjë mjeshtëri aktrimi, interpretimi i saj në krah të Kevin Costner në filmin “Bodyguard” 1992 do të mbetet i paharrueshëm dhe do ta përjetësonte atë përfundimisht. Ndër sukseset më të mëdha të saj janë këngët “I Will Always Love You”, “How Will I Know” e “Saving All My Love for You”. Në fillim të viteve 2000, problemet me drogën do të errësonin famën e saj. Varësia nga droga shkaktoi edhe dëmtimin e zërit të saj e, bashkë me këtë, edhe rënien e shitjes së disqeve. Në vitin 2009 pati një tentativë kthimi me një album të titulluar “I Look to You”. Gjatë vitit 2010 iu desh të anulonte disa koncerte e të shtrohej në një spital në Paris, gjatë një turi koncertor në Europë, për t’iu futur gjatë pranverës së shkuar një terapie dezintoksikimi. Shfaqja e fundit në publik u sinjalizua të enjten e shkuar, përpara një diskoteke në Hollywood, e çorientuar dhe konfuze. Thonë se vetëm para pak ditësh se të vdiste, ishte konvertuar në fenë islame. Kënga e saj e fundit është “I Look to You”, ndërsa kishte mbaruar së xhiruari filmin “Sparkle”, ku tregohej jeta e një këngëtareje të shkatërruar nga droga e fama.
E palumtur
Në një intervistë me Oprah Winfrey në vitin 2009, duke iu referuar viteve të realizimit të filmit tjetër të saj “Një vështrim në qiell”, do të thoshte se “përdorimi i drogës ishte i përditshëm”, teksa shton: “Nuk isha e lumtur, po humbisja vetveten”. Në një nga intervistat e saj më të fundit, ia vinte fajin për problemet e saj martesës së vështirë me këngëtarin Bobby Brown, e cila zgjati nga viti 1992 deri në 2007-n. Në vitin 1993, Brown do të akuzohej për dhunë ndaj së shoqes. Prej martesës së tyre lindi edhe një vajzë e quajtur Bobby Kristina, e cila ka lindur më 4 mars 1993.
© Panorama.alLotët e yjeve
Lajmi për vdekjen e Whitney Houston u përhap shumë shpejt. Ajo u nda nga jeta në hotelin ku ndodheshin edhe shumë yje të tjerë të muzikës, në Beverly Hills, në pritje të natës së ndarjes së çmimeve “Grammy”, konsideruar si “Oscar”-ët e muzikës. Sapo lajmi u bë publik, miq e kolegë të këngëtares nxituan të shprehnin dhimbjen e tyre në faqet e tyre në rrjetet sociale si twitter, apo facebook.
@Maria Carey: Ajo nuk do të harrohet kurrë si një nga zërat më të bukur që ka pasur mbi tokë
@Rihanna: Nuk kam fjalë! Vetëm lot, e dashur Whitney
@Lenny Kravitz: Whitney! U prehsh në paqe. Nuk do të ketë më një tjetër si ti. Lenny
@Katy Perry: Jooooooooo!
@Ricky Martin: U prehsh në paqe, Whitney Houston! I dërgoj dashurinë dhe ngushëllimet e ma më të thella familjes dhe miqve të saj. Fluturo Whitney, fluturo!
@Jessica Simpson: Zbulova zërin tim duke kënduar këngët e Whitney Houston. Sot unë humba idhullin tim.
@ Barbara Streisand: I kishte të gjitha: bukurinë dhe një zë të mrekullueshëm. Është e trishtë që këto dhunti nuk i sollën të njëjtën lumturi që na dhuroi ne.
@Aretha Franklin: Nuk mund të flas tani. Nuk mund ta besoj atë që dëgjova në televizor…
@Christina Aguilera: Kemi humbur një tjetër legjendë të muzikës. Dashuria dhe lutjet e mia janë për familjen e Whitney-t.











