
Tirane – Policia e kryeqytetit arrestoi dje një person të shpallur në kërkim për plagosjen dhe shkaktimin e vetëvrasjes ndaj gruas së tij. Burimet nga Policia kanë thënë se nga shërbimet e Komisariatit Nr.6 Tiranë u bë kapja e shtetasit në kërkim Sajmir Enver Bakalli, 24 vjeç, banues në Mëzez-Kodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati Nr.1, më datë 19 qershor 2012. Një ditë para kësaj date, pra më 18 qershor 2012, në Sauk të Vjetër, sipas Policisë, 24-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj së shoqes. Ai dyshohet se e ka shtyrë bashkëshorten të vetëvritet. Sipas Policisë, gruaja e të arrestuarit është shtetasja me iniciale L.M., 17 vjeçe, banuese në Sauk, Tiranë. Pas arrestimit të 24-vjeçarit, materialet hetimore të përpiluara i kaluan Prokurorisë për konsumim të veprave penale të “plagosjes së rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike” dhe “shkaktimi i vetëvrasjes”. Burimet nga hetimi i ngjarjes kanë thënë se më 18 qershor, 24-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij për arsye banale. Si pasojë e dhunës së asaj dite, por edhe për shkak të keqtrajtimeve të vazhdueshme, policia ka thënë se gruaja e të arrestuarit ka tentuar tri herë vetëhelmimin. Këto raste, sipas Policisë, janë të konfirmuara nga kërkesa për ndihmë mjekësore e të shoqes së 24-vjeçarit. Pas faktimit të tentativave të gruas për vetëvrasje, policia ka ngritur akuzë ndaj të shoqit për shtyrje të bashkëshortes në vetëflijim. Bazuar në dëmtimet fizike të pësuara nga e reja, ndaj të shoqit është ngritur edhe akuza e plagosjes. Në rastin e fundit, gruaja kishte denoncuar të shoqin në polici menjëherë pas akteve të dhunës ndaj saj, ndërsa forcat e rendit kanë nisur menjëherë hetimin për ngjarjen duke e shpallur në kërkim të dyshuarin.











