Shtypi, jo në listën e “zezë” të gjuhëtarëve, probleme në shkolla

Jun 28, 2011 | 11:06
Gjuhëtari Rami Memushaj

U desh të kalonin plot 35 vjet që shqipes t’i vinte një tjetër fjalor drejtshkrimi.Nuk bëhet fjalë për ndonjë ndërmarrje të Akademisë së Shkencave apo Qendrës së Studimeve Albanologjike, por një ndërmarrje private e dy gjuhëtarëve, nxitur nga drejtuesi i shtëpisë botuese “Infbotues”. Bëhet fjalë për “Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe” me rreth 75 mijë fjalë, me autorë gjuhëtarët Ali Dhrimo e Rami Memushaj. Promovimi i këtij fjalori u zhvillua dje në Akademinë e Shkencave, ku gjuhëtarë të njohur shprehën mendimin e tyre mbi arritjet dhe mangësitë e këtij fjalori. Të gjithë ishin në një mendje se 40 vjet mbas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972 dhe 34 vjet pas hartimit të të parit fjalor drejtshkrimor të shqipes (1976),  nevoja e hartimit të një fjalori të ri drejtshkrimor ishte e domosdoshme. Fjalori rreh të pasqyrojë në mënyrë sa më të plotë pasurimin e gjuhës shqipe, sidomos në këto 20 vitet e fundit, ndonëse është e pamundur që të jetë shterues. “Kam vënë re që çdo ditë në gjuhën shqipe hyn një fjalë e gjysmë deri në dy fjalë të reja”, thotë gjuhëtari Rami Memushaj, duke shtuar se në të ardhmen ky fjalor do të pasurohet sërish. Krahas normës gjuhësore, në fjalor, gjuhëtarët kanë përfshirë edhe propozimet e tyre në lidhje me disa ndryshime që i duhen bërë standardit. Pikërisht për këto ndryshime pati disa vërejtje nga gjuhëtarë të tjerë, si Mehmet Çeliku apo Seit Mancaku, të cilët u shprehën se ato do të ishte mirë të përfshiheshin në fjalor, pasi të ishin miratuar institucionalisht dhe të ishin diskutuar nga një rreth më i gjerë gjuhëtarësh. Megjithatë, askush nuk e mohoi punën e gjuhëtarëve, punë që në fakt duhej bërë nga institucionet përkatëse. “Botimin e këtij fjalori e ndërmorëm duke u nisur nga mungesa e një fjalori të tillë prej 35 vjetësh. Nuk ishte e mundur që kjo vepër të bëhej institucionalisht, ndaj dhe ne i mbështetëm dy gjuhëtarët. Sa i përket recensentëve, shumë gjuhëtarë nuk kanë pranuar ta marrin përsipër. E nëse do të zbatonim të gjitha rregullat, atëherë do të na duhej të prisnim edhe 30 vjet të tjera”, thotë botuesi Bardhyl Buda. Më tej, gjuhëtari Rami Memushaj shpjegon se përse u desh kjo ndërmarrje private për të realizuar këtë fjalor e përse nuk janë të interesuara institucionet shtetërore. Ai gjithashtu tregon se ku deformohet më shumë drejtshkrimi i shqipes. Dhe nuk bëhet më fjalë për mediat, por për shkollat.

U deshën 35 vite që të botohej një fjalor drejtshkrimor, por edhe kjo është një nismë private, ç’bëjnë Akademia e Shkencave dhe QSA-ja?
Është shumë e drejtë, por duhet të themi që akademitë e shkencës, qoftë ajo e Shqipërisë, apo Kosovës, janë më tepër honorifike dhe nuk kanë mundësinë për ta realizuar një ndërmarrje të tillë, ndërsa Instituti i Gjuhësisë është reduktuar në numër. Ai sektor që merrej me këto çështje është shkrirë plotësisht dhe tanimë Instituti është në gjendje të mjerë, ka vetëm 10 punonjës. Por, ajo që dua të them është se duhet punuar më ngushtë me institucionet. Duhet punuar ngushtë me universitetet apo me departamentet e gjuhës shqipe kudo që ndodhen. Kemi në Kozencë departament të shqipes, në Mynih, Kosovë, Maqedoni. Nuk duhen anashkaluar këto, duke krijuar komisione, ku futen disa njerëz, që janë gjithnjë në presidiume, por nuk bëjnë punë konkrete. Ne guxuam ta bëjmë këtë fjalor me nxitjen e botuesit. Unë vetë isha pak skeptik. Nuk desha të përfshihesha, me idenë që kjo është një punë e Institutit, por nëse nuk do ta kishim bërë ne, kjo punë nuk do të qe bërë, sepse, siç ju thashë, Instituti nuk ka as njerëzit dhe as kujdesin për këto çështje. Kështu, ne u përpoqëm të ndërtonim një fjalor me shumë informacion.
Ai ka dyfishin e fjalëve të të mëparshmit apo jo?
Në përbërje të tij ka më shumë se dyfishi i fjalorit të ’76-s dhe gati 30 mijë fjalë më shumë se fjalori i 2006-s.
Në fjalor ju keni përfshirë edhe disa ndryshime (me ngjyrë të kuqe), bëhet fjalë për propozimet në Konferencën e Durrësit apo për të tjera?
Jo të gjitha propozimet e Konferencës së Durrësit, sepse ashtu si edhe ju e keni ndjekur, konferenca pati shumë përjashtime. Nuk u ftua pjesa më e madhe e gjuhëtarëve. U zhvillua si në frymën e atyre organizimeve politike. Nuk kishte asnjë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, nga Universiteti, pra shumë pak të ftuar. Disa probleme që u ngritën aty janë ngritur qysh në Kongresin e Drejtshkrimit, si puna e disa emrave mashkullorë (burrë, lumë, lëmë, kalë etj.), por dhe probleme të tjera që nuk u miratuan. Atëherë drejtshkrimi u bë mbi bazën e parimit fonetik, që shkrimi të jetë sa më afër shqiptimit, mirëpo kanë kaluar 40 vjet, kanë ndodhur shumë ndryshime dhe lind nevoja e mbështetjes mbi bazën e parimit morfologjik.
Ky fjalor lindi si nevojë e problemeve të hasura në drejtshkrim, na thoni ku keqpërdoret apo ku çalon më shumë drejtshkrimi i shqipes standarde?
Tek puna e pamjaftueshme e shkollave. Dhjetë vjet më parë ne kemi folur për shtypin, për televizionin, por po shikojmë që shtypi i shkruar po tregon një vëmendje për t’u përgëzuar në zbatimin e normave të gjuhës standarde. Ndonëse shtypi ka një ngarkesë shumë të madhe, ka arritur t’i kushtojë kujdesin dhe vëmendjen e duhur. Do thosha edhe televizionet, ndonëse aty ligjërimi është i çastit, gojor dhe më shumë vërejtje mund të bëhen për përdorimin e fjalëve të huaja, sesa anën gramatikore të ligjërimit. Sigurisht edhe administrata publike, të paktën në komunikimin e ndërmjetëm, sepse në aktet e Kuvendit është një strukturë e tërë që i kushton vëmendje, kurse shkolla ka mbetur shumë mbrapa, së pari sepse nuk kemi mësues të kualifikuar dhe nuk punohet për kualifikimin e tyre. Mësuesit janë të detyruar të bëjnë mastera e lloj-lloj gjërash, por nuk bëhen kurse kualifikuese të zakonshme, ku trajtohen këto probleme dhe jo thjesht dhënie provimesh e kopjimi i ndonjë teme. Problemi tjetër lidhur me shkollën është që tekstet shkollore kanë shumë gabime. Të gjithë ata që kanë fëmijë në shkollë e vërejnë këtë. Ka gabime të panumërta, sepse nëpër shtëpitë botuese mungojnë korrektorët.

Mehmet Çeliku: Jo përmbysjes në standard!

Për gjuhëtarin Mehmet Çeliku ky fjalor është një arritje, me gjithë disa mangësi, që mund të ndreqen në ribotim. Për mua, kjo vepër duhej të botohej pasi të reformohej drejtshkrimi dhe të bëheshin disa ndryshime, të cilat i kam ngritur 15 vjet më parë për të përmirësuar drejtshkrimin. Për fat të keq, Akademia edhe pas Konferencës së Durrësit vazhdon të heshtë dhe nuk po reagon. Por mungon edhe drejtshkrimi i ’76-s. Ky fjalor i plotëson këto mungesa. Ky botim do të jetë një shtytje për Institutin e Studimeve Albanologjike që sa më shpejt të ribotonë drejtshkrimin dhe të mos i lërë vitet të ikin. Fatkeqësisht, shoh se sot nuk marrin pjesë as në promovim. Unë shpresoj që së shpejti të bëhet një ribotim i përmirësuar i  drejtshkrimit të ’73-shit dhe ndryshimet do të jenë të vogla, nuk do të përmbysin atë ekzistues, sepse ka edhe mendime për ta përmbysur. Në asnjë mënyrë, ky është një drejtshkrim që i ka rezistuar kohës, 40 vjet që ai po funksionon shumë mirë në administratë, në shkollë, media, letërsi artistike etj.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura