I akuzuari për vrasjen e 4 policëve: Po u bëhet presion avokatëve të mi.
Nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit, Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e katër punonjësve të Policisë në Durrës në gusht 2009, akuzoi dje Gjykatën për Krimet e Rënda se po zvarriste procesin e tij. Sipas Dajtit, mbrojtësve u ishte bërë presion në mënyrë të qëllimshme. Seanca e djeshme shënoi të 14-tën seancë të dështuar radhazi në këtë gjykim tek Krimet e Rënda. Shkaku i dështimit ishte i njëjtë me atë të seancave paraardhëse, mungesa e avokatëve mbrojtës në proces. Edhe dje tavolina e avokatëve ishte e boshatisur. Në të tilla kushte, gjykata e pati të pamundur vijimin e gjykimit. Më herët, prokurori i kërkoi gjykatës caktimin e dy avokatëve kryesisht për të pandehurit, ndërsa për avokatët që mungonin, kërkoi të vihej në dijeni Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Ministria e Drejtësisë. Procesi në ngarkim të Dritan Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça, ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të akuzës.
DEBATI
Në seancën që zgjati vetëm pak minuta, i pandehuri Dajti debatoi më kryesuesen e seancës në lidhje me mungesën e mbrojtësve. Në kërkesën e gjyqtares për të sqaruar shkurt nëse do të vijonte gjykimin vetëm apo kërkonte mbrojtësin e tij, Dajti ironizoi në lidhje me gjatësinë e përgjigjes. Para gjykatës ai pohoi se arsimi që kishte, nuk e lejonte të përgjigjej me tri fjalë. “Në cilin ligj bazoheni ju, që më thoni se me tri fjalë duhet të mbaroj përgjigjen”, iu drejtua Dajti gjykatës. Kur gjyqtarja i ritheksoi se ishte e drejta e tij të zgjidhte nëse do të vijonte me apo pa mbrojtës gjyqin, Dajti tha: “Zonja kryetare, gjyqi po zvarritet, se për më tepër u është bërë presion avokatëve në mënyrë të qëllimshme. Unë nuk mund ta vazhdoj gjyqin pa praninë e mbrojtësve dhe ju e dini shumë mirë këtë gjë”.
REAGIMI
“Kundërsulmi” i Dajtit erdhi pak ditë pasi Gjykata për Krimet e Rënda bëri publik një reagim zyrtar në lidhje me zvarritjen e gjykimit ndaj Dajtit në këtë gjykatë. Në reagimin e datës 22 shkurt, togat e zeza të Krimeve të Rënda cilësuan fajtorë të këtij ngërçi avokatët. “Ju bëjmë me dije se seancat gjyqësore janë shtyrë në mënyrë të përsëritur për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve të këtij gjykimi, fakt për të cilin Gjykata i është drejtuar në mënyre periodike, sipas rastit për çdo seancë gjyqësore, institucioneve të lartpërmendura, për marrjen e masave disiplinore për avokatët përgjegjës. Pavarësisht se Gjykata ka si qëllim në çdo rast shpejtësinë e gjykimit të çështjeve, çështja penale në ngarkim të të pandehurve Dritan Dajti, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muçaj nuk po zhvillohet për shkakun e mungesës së mbrojtësve”, thuhej në reagimin e gjykatës.
ARMAND BAJRAMI