Shtyhet “Dajti”, Gjykata letër Ministrisë e Dhomës së Avokatëve

May 3, 2012 | 14:35
Dritan Dajti në gjyq

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda ndihet “e pafuqishme” përballë mungesave të pajustifikuara të avokatëve në gjykimin e akuzave ndaj Dritan Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij. Seanca e djeshme në ngarkim të të akuzuarit për vrasjen e katër policëve nuk u zhvillua. Shkak i dështimit ishte mungesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve, i njëjti shkak që dështon disa muajsh procesin. Përmes një reagimi zyrtar, Gjykata për Krimet e Rënda kërkoi ndërhyrjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të zgjidhur këtë situatë. “Seanca e fundit gjyqësore e datës së sotme nuk u zhvillua për shkak të mosparaqitjes së avokatëve, si atyre të zgjedhur nga të pandehurit, ashtu dhe atyre të caktuar kryesisht, megjithëse  avokatët mbrojtës kishin dijeni për datën dhe orën e gjykimit. Këta mbrojtës janë bërë shkak për shtyrjen e gjykimit edhe në seancat e mëparshme gjyqësore. Në seancën gjyqësore të datës 20.04.2012 kishin dijeni rregullisht për datën dhe orën e seancës gjyqësore dhe nuk kanë bërë prezent shkaqet e mosparaqitjes së tyre përpara gjykatës”, njoftuan zyrtarisht Krimet e Rënda. Dje, në seancë ishin të pranishëm vetëm të pandehurit Dritan Dajti dhe Ergest Xhoxhaj. I pandehuri Ergest Xhoxhi nuk ishte paraqitur. Asnjë nga mbrojtësit e Xhoxhit nuk ishte prezent. Njëri prej tyre i kishte dërguar një shkresë gjykatës, me të cilën njoftonte se kishte hequr dorë nga mbrojtja ligjore e të pandehurit Xhoxhi. Për shkak se avokatët e zgjedhur prej të pandehurit Xhoxhi nuk ishin të pranishëm dhe po ashtu, as avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata për të, gjykata ndërpreu seancën. Po sipas reagimit zyrtar të Gjykatës, “Gjatë vitit të kaluar, arsyeja kryesore e ngadalësimit dhe zvarritjes së proceseve gjyqësore kanë qenë mungesat apo sjelljet e avokateve mbrojtës, të tilla si mosparaqitje, lënie, braktisje mbrojtjeje, largim nga sallat e gjyqeve, heqje dorë nga mbrojtja pa ndonjë shkak etj”.                        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura