
Kjo verë do të jetë vërtet e thatë këtë vit.Këtë nuk e thonë sinoptikanët, por, sipas sinjaleve që vijnë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, janë të gjitha gjasat. Edhe ato pak aktivitete kulturore që zhvilloheshin në pranverë dhe gjatë muajve të nxehtë, ose nuk organizohen fare, ose janë shtyrë për në vjeshtë. Dy nga këto aktivitete janë Festivali Ndërkombëtar i Butrintit dhe Festivali Ndërkombëtar i Danc Teatrit, që zhvillohet çdo vit në Durrës. Por, të njëjtin hall kanë edhe festivali “Poeteka”, “Marije Kraja”, “Skampa” etj., të cilët, ndonëse zhvillohen më vonë, nuk janë të sigurt nëse do të mbështeten nga shteti. Dje, dy drejtuesit e dy festivaleve dolën në një konferencë shtypi për të ndarë shqetësimin e tyre me mediat. Ndonëse MTKRS e ka marrë me kohë buxhetin e saj, ky institucion ende nuk ka hapur ofertat për financimin e projekteve kulturore. Sipas drejtorit të Festivalit të Butrintit, Alfred Bualoti dhe atij të Danc Teatër, Gjergj Prevazi, me gjithë kërkesat e tyre, nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare nga ana e MTKRS-së, e cila, prej dorëheqjes së Ferdinand Xhaferrit, ka mbetur pa ministër. “Po i shtyjmë aktivitetet tona në muajin shtator me shpresën dhe bindjen se do të marrim mbështetjen e shtetit”, u shpreh Bualoti, festivali i të cilit, më i rëndësishmi dhe prestigjiozi në llojin e vet, duhej të zhvillohej në fillim të muajit korrik. Ndërsa festivali i Prevazit duhet të zhvillohej në muajin maj. “E kemi kapërdirë deri diku vonesën, ndonëse këto vonesa nuk na lejojnë të krijojmë marrëdhënie serioze me partnerët dhe kompanitë që marrin pjesë në festivalet tona”, u shpreh Prevazi. Mësojmë se një pjesë e trupave teatrore që ishin parashikuar të vinin në Butrint në muajin korrik, për shkak të kalendarëve të tyre, e kanë të pamundur që të vijnë në muajin shtator në Shqipëri. “Kjo rrezikon seriozitetin e aktiviteteve tona”, u shprehën ata. E duket se do ta rrezikojnë seriozisht, sepse po dje doli në një deklaratë për shtyp drejtori i Politikave Kulturore në MTKRS, i cili u shpreh se tanimë kompetencën për ndarjen e fondeve për projektet e ka Qendra për Artin dhe Kulturën, e cila do të hapet në vjeshtë. “Është pikërisht ky ristrukturim që mund të ketë shkaktuar edhe ndonjë vonesë që do të korrigjohet shumë shpejt, sapo sistemi i ri të futet në veprim”, u shpreh Lena. Me sa duket, këto festivale do t’i marrin financimet në kalendat greke.
Të varur nga shteti
Që të zhvillosh një aktivitet kulturor dinjitoz në Shqipëri nuk është edhe aq e thjeshtë. Ndonëse bëhet fjalë për ndërmarrje private, sërish financuesi kryesor i tyre është shteti. Në këtë rast i bie që shteti ka edhe gurin, edhe arrën. Do, i jep; s’do, nuk i jep këto para. Ose i jep kur t’i vijë për mbarë. Kur i pyet se sa mundësi ka që një aktivitet kulturor privat të zhvillohet pa ndihmën e shtetit, organizatorët të thonë se është e pamundur. “Nëse nuk marrim mbështetjen e shtetit, ne jemi të dorëzuar”, të thotë Gjergj Prevazi. Sipas tij, për t’i shpëtuar kësaj varësie duhet që të ndryshojë komplet ligji. “Ne kemi përqafuar sistemin europian, sipas të cilit, është shteti ai që mbështet më së shumti aktivitete kulturore”. Sipas Bualotit dhe Prevazit, është e pamundur që të mbështetesh në sponsorizimet minimale të bizneseve, interesat e të cilave janë shumë të pakta karshi këtyre aktiviteteve. Sa i përket mbështetjes nga pushteti lokal, dy drejtuesit ndahen. Sipas Bualotit, mbështetja e Bashkisë së Sarandës ka qenë qesharake, duke u kufizuar vetëm në 200 mijë lekë, ndonëse ky festival i bën një publicitet shumë të mirë qytetit. Ndërsa Danc Teatër duket se mbështetjen kryesore e ka pasur pikërisht nga pushteti lokal. “MTKRS na jep vetëm 2/3 e shumës që na ka sponsorizuar Bashkia e Durrësit. Por, këtë vit, për shkak të zgjedhjeve lokale, veprimtaria e Bashkisë ka qenë e bllokuar dhe, si rrjedhim, ka qenë i pamundur financimi nga ky institucion”, thotë Prevazi.
Reagon Ministria
Pas daljes në konferencë shtypi të drejtuesve të dy festivaleve, kundërpërgjigjet drejtori i Politikave Kulturore në MTKRS, Nikolla Lena. Pasi sqaroi se disa muaj më parë është miratuar ligji i ri për “Artin dhe Kulturën” dhe MTKRS është në proces reformimi, ai u shpreh se “bazuar në këtë ligj, fondi i vënë në dispozicion për projektet kulturore dhe artistike ia delegon të drejtën për mbështetjen e projekteve me aplikim nga shoqatat dhe personat fizikë e juridikë vendas dhe të huaj, Qendrës së Artit dhe Kulturës dhe jo MTKRS-së”. Por, problemi është që kjo qendër ende nuk është krijuar, por Lena siguron se ajo do të jetë krijuar deri në vjeshtë (kohë në të cilën organizatorët e projekteve duhet t’i kenë marrë paratë). Kjo është dhe arsyeja e vonesave në sponsorizime. Por, më pas, zyrtari i MTKRS-së nuk i shpëtoi dot reagimit personal, duke u marrë një për një me drejtuesit e festivaleve, Alfred Bualotin dhe Gjergj Prevazin, që sipas tij janë nëpunës të shtetit. Lena, gjithashtu, aludoi për mungesë cilësie të aktiviteteve që zhvillohen në Shqipëri, edhe pse pyetjes se nëse e ka ndjekur ndonjëherë Festivalin e Butrintit, nuk preferoi t’i përgjigjej. Ai shtoi më tej se ngritja e QAK do të rrisë transparencën në ndarjen e fondeve, por nuk sqaroi nëse festivalet do t’i marrin paratë apo jo.
Lidhja e Festivaleve, letër Kryeministrit
Duke parë vonesat në shqyrtimin e kërkesave dhe akordimet e fondeve, në datën 30 maj, Lidhja e Festivaleve Ndërkombëtare të Artit dhe Kulturës në Shqipëri i dërgon një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha, duke i kërkuar të ndërhyjë për të zhbllokuar situatën. Duke qenë të vetëdijshëm për gjendjen e pazakontë që po kalon vendi dhe gjithashtu realistë për arritjet më të mira në shumë fusha, ju lutemi të na lejoni t’ju bëjmë me dije shqetësimin tonë në lidhje me qëndrimin joprofesional që MTKRS mban ndaj veprimtarive më të rëndësishme ndërkombëtare kulturore të vendit”, shkruhet në letër. Më poshtë vijon: “Pas shumë kërkesash, duke mos pasur asnjë përgjigje deri më tani nga strukturat e MTKRS, ne u detyruam të shtyjmë për në periudhën e vjeshtës veprimtaritë e festivaleve tona që zhvilloheshin në sezonin turistik. Nisur nga këto rrethana, për të mos humbur në asnjë mënyrë ngjarje kaq të rëndësishme artistike për vendin, shpresojmë që ndërhyrja Juaj do të vërë në lëvizje organet kompetente për të bërë të munduar realizimin e tyre në kohë…”. Letra është nënshkruar nga Zana Çela (“Marije Kraja”), Alfred Bualoti (“Butrinti 2000”), Gjergj Prevazi (“Albania dance meeting”), Arian Leka (“Poeteka”), Adonis Filipi (“Skampa”). Por edhe kjo letër ka mbetur pa përgjigje.
ALMA MILE
© Panorama.al











