Raundi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë që ishte parashikuar të mbahej në Bruksel më 21 shkurt, u shty për sot. Ekipi negociator i Kosovës nuk ka mbërritur në Bruksel në kohë, për shkak të anulimit të një fluturimi Vjenë-Bruksel. Ndërkohë që bisedimet e reja po nisin me një gjysmë-marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale me një fusnotë ku do të përmendet rezoluta 1244, brenda vendit kanë nisur polemikat. Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, tha se Thaçi ka arritur të surprizojë edhe vetë Tadiçin, Presidentin serb, me propozimin që pranoi. Opozita në Kosovë nuk e ka mbështetur heqjen e termit “Republikë” dhe përfshirjen e rezolutës 1244 në fusnotën e Kosovës. Edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Klif, tha se Britania nuk e mbështeti propozimin për vendosjen e 1244 gjatë përfaqësimit të Kosovës në takimet rajonale. Por ai e quajti të balancuar propozimin e fundit.











