Shturmi kërkon Salihin

Aug 30, 2011 | 13:04

Hamdi Salihi ose Edmond Kapllani. Njëri prej tyre mund të përfundojë brenda 48 orëve të ardhshme te kampionët e Austrisë, Shturm Graz.Lajmi është bërë i ditur nga mediat austriake të futbollit, të cilat i referohen një deklarate të trajnerit Franko Foda dhe presidentit të këtij klubi, Gerald Stokenhuber. Duke parë se Shturmi nuk do ta ketë për një kohë të gjatë sulmuesin kryesor, Roman Kienast, i dëmtuar, tekniku ka kërkuar një sozi të këtij të fundit. Dhe, sipas tij, ai është vetëm Hamdi Salihi. Në një mendje me trajnerin ka qenë edhe presidenti, por shifra prej 1.6 milionë eurosh, që kërkohet nga Rapidi për shkodranin, i ka stepur disi, ndaj sipas informacioneve, nëse nuk arrihet akordi, atëherë Shturmi do të huazojë një sulmues mes Kapllanit, Sanel Kuljiç, aktualisht te Larisa, Nikoloz Gelashvili (Zestafoni, Gjeorgji) ose Zlatko Dediç (VFL Bohum).
Salihi – Me humbjen e dy sulmuesve Roman Kienast dhe Imre Szabics, kampionët e Austrisë janë gjendur në një situatë aspak të pëlqyeshme, pasi nuk kanë në dispozicion një lojtar në repartin ofensiv, që të mund të shënojë rregullisht. Ndaj, sytë kanë shkuar te Salihi, edhe për faktin se shkodrani e njeh mirë futbollin austriak. Mirëpo, për të Rapidi i Vjenës kërkon të paktën 1.6 milionë euro, për rrjedhojë, trajneri Franko Foda ka shprehur dyshime për arritjen e marrëveshjes. “Është paksa i shtrenjtë për ne, duhet ta pranojmë. Nuk e di nëse drejtuesit do të bëjnë një sforco për ta marrë këtë lojtar”. Nga ana tjetër, presidenti Gerald Stokenhuber ka pohuar se do të ulet të bisedojë që pasditen e djeshme me donatorët e tjerë të klubit për të arritur te shifra e mësipërme. “Do të ulemi që sot pasdite (dje) me donatorët dhe këshillin drejtues për të analizuar pjesën ekonomike. Vetëm nëse këshilli do të aprovojë këtë transferim, atëherë që nesër (sot) do t’ia kërkojmë zyrtarisht Rapidit”.
Kapllani – Alternativë, nëse nuk do arrihet marrëveshja me Rapidin për Salihin, do të jetë as më pak dhe as më shumë se Edmond Kapllani. Por, në ndryshim nga Salihi, sulmuesi tjetër i përfaqësueses shqiptare, i cili luan tek Augsburgu në Gjermani, mund të shkojë te Shturmi vetëm në formë huazimi. Austriakët nuk kanë ndër mend të harxhojnë para për asnjë sulmues tjetër momentalisht, përveçse për Salihin. Kapllani është thuajse jashtë skuadrës së Augsburgut, fakt të cilin e ka shprehur qartazi në mediat gjermane edhe vetë trajneri i ekipit. Ndaj, sulmuesi durrsak duhet të gjejë me patjetër një ekip brenda ditës së nesërme. Gjithsesi, duhet thënë se përveç tij në garë për të shkuar te Shturmi, gjithnjë në formë huazimi, janë edhe 34-vjeçari Sanel Kuljiç, gjeorgjiani Nikoloz Gelashvili, si dhe 37-vjeçari slloven i VFL Bohum, Zlatko Dediç.

© Panorama.al

Te lidhura