
Ish-kreu i FMN-së, Dominik Shtraus Kan, u paraqit dje në Gjykatën e Nju-Jorkut, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat e abuzimit seksual ndaj një 32-vjeçareje, kameriere në hotel. Shtraus Kan do të kthehet në Gjykatë për një tjetër seancë më 18 korrik. Ai ka mohuar të ketë përdhunuar kamerieren e hotelit. I diskutuar si fytyra e ardhshme e presidencës franceze, Shtraus Kan ka humbur jo vetëm këtë shans, por edhe kryesinë e FMN-së, si dhe rrezikon 25 vjet burg, nëse akuzat kundër tij vërtetohen. Duke qëndruar në këmbë mes avokatit të tij mbrojtës dhe i vëzhguar nga gruaja e tij, milionerja dhe ish-gazetarja An Sinkler, ai shprehu më zë të lartë pafajësinë. Avokatët e Shtraus Kan kërkuan gjashtë muaj kohë për të shqyrtuar provat e mbledhura nga prokurorët në SHBA. ADN-ja e Shtraus Kan u gjet në spermën e marrë nga veshjet e 32-vjeçares, por edhe në tapetin e suitës ku ai qëndronte. Por mbrojtja ka shumë mundësi që të deklarojë se seksi ishte konsensual. Avokatët e Shtraus Kan thanë se provat nuk ishin shumë të besueshme. Ish-kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka hyrë në sallën e gjyqit duke mbajtur dorën e gruas së tij edhe kur ata po hynin në ndërtesën e Gjykatës në Manhatan, dhjetëra kameriere hoteli ishin mbledhur me pankarta duke thirrur “turp, turp”. Shtraus Kan u lirua me garanci 6 milionë dollarë tre javë më parë. Ai po jeton në një vilë me qira 50 000 dollarë në muaj në Tribeka, Manhatan. Ish-kreu i FMN-së mban një byzylyk elektronik që monitoron lëvizjet e tij dhe duhet të paguajë 200 000 dollarë në muaj për një skuadër private sigurie, të autorizuar të përdorin forcën kundër tij, në rast se ai tenton të largohet. Ai duhet të njoftoj të paktën gjashtë orë para për çdo lëvizje që i duhet të bëjë nga shtëpia; për vizita mjekësore, gjykatë apo në kishë dhe duhet të njoftojë katër orë para, nëse pret ndonjë vizitor.











