Shtohen sëmundjet e Mlladiçit, avokati: “Vuan edhe nga kanceri”

Jun 3, 2011 | 10:15

Ish-kreu i ushtrisë së serbëve të Bosnjës, i cili njihet si autori i masakrës më të madhe në Ballkan, Ratko Mlladiç, vuan nga kanceri. Deklarata u bë nga avokati i tij në Beograd, Milos Staljiç, i cili tha se Mlladiç ka qenë i shtruar në Spitalin e  Beogradit dy vjet më parë, në vitin 2009, ndërsa ishte në kërkim për akuza gjenocidi. “Unë kam të dhënat mjekësore që tregojnë se ai është kuruar për limfomën”, tha të enjten avokati Saljiç për AFP-në, pa shpjeguar pse nuk e përdori edhe këtë version në ankesat për parandalimin e ekstradimit të Mlladiçit në Hagë, por përmendi vetëm problemet me zemrën dhe ato psikologjike. Sot,Mlladiç do të paraqitet përpara gjykatësve të Hagës për t’u njohur zyrtarisht me akuzat ndaj tij. I shumëkërkuari për krime lufte, 69-vjeçari Ratko Mlladiç, u arrestua rreth një javë më parë 80 kilometra në veri të kryeqytetit serb, Beogradit, pas 16 vitesh në kërkim. E përditshmja e Beogradit, “Press”, ka raportuar se sipas Saljiç, Mlladiç ka “kaluar katër muaj në një klinikë në Beograd ku u trajtua për kancerin”. Gazeta ka publikuar një dokument me emrin e Mlladiçit dhe detaje të tjera personale, si dhe diagnozën mjekësore “jo-Hodgkin Limfoma”. Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, e ka mohuar lajmin se Ratko Mlladiç ishte mjekuar dy vjet më parë në klinikën ushtarake të Beogradit. “Ushtria serbe dhe shërbimet tona sekrete e kanë mbikëqyrur VMA-në për vite të tëra. Ka qenë e pamundur të hyje në të pa rënë në sy”, ka deklaruar Shutanovaç. Ministri ka shtuar do të nisë një hetim të gjerë, për të provuar se asnjë i kërkuar nga Gjykata e Hagës është mjekuar në klinikën ushtarake.

© Panorama.al

Te lidhura