Shtohen firmat e interesuara, shtyhet shitja e katër HEC-ve

Jul 10, 2012 | 14:13

Kompanitë që kanë kaluar fazën e parë për tenderin e katër hidrocentraleve Ulëz, Shkopet, “Bistrica  1” dhe “Bistrica 2”, kanë kërkuar shtyrjen e fazës së dytë. Kjo është marrë në konsideratë nga Ministria e Ekonomisë dhe tashmë nga dje, kur ishte parashikuar të zhvillohej tenderi, operatorët do të paraqesin ofertat ekonomike më 10 shtator për “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2” dhe më 13 shtator për Ulëz dhe Shkopet. Burime nga Ministria e Ekonomisë thanë për gazetën se ndryshimi i datave për paraqitjen e ofertës ekonomike erdhi pasi kompanitë gjykuan të arsyeshme që të zhvillojnë parashikime dhe studime më të hollësishme të  tyre lidhur me privatizimet. Një pjesë tjetër e rëndësishme është edhe negocimi për kredi që kompanitë duhet të bëjnë me institucione bankare, në mënyrë që të sigurojnë fondet e nevojshme për privatizime. Nga ana e Ministrisë së Ekonomisë u njoftua për përmbushje të kritereve tekniko-ligjore nga një sërë kompanish. Shtyrja deri në shtator e zhvillimit të tenderit të privatizimit nga ana e METE-s erdhi edhe pasi interesi i kompanive ka qenë i lartë. Deri më tani publikisht janë lakuar “CNR & CN’AIR” (leader CNR) franceze, “VERBUND Hydro Power AG-Austri”, austriake dhe “EVN-Austri” gjithashtu. Të njëjtat burime bëjnë me dije se interes për privatizimin kanë shprehur jo tri, por rreth 6 kompani, të cilat e bëjnë më konkurruese garën mes tyre. Pas gati dy muajsh pritet që këto kompani t’i kenë përfunduar miratimet e dokumentacioneve përkatëse dhe kalimet nëpër bordet e tyre drejtuese, duke justifikuar edhe ofertat ekonomike. Privatizimi i katër hidrocentraleve, Ulëz-Shkopeti, “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, është trajtuar me rëndësi të veçantë nga ana e qeverisë edhe për faktin se në një periudhë të vështirë si aktualja, kur të ardhurat në arkën e shtetit kanë rënë, të ardhurat nga privatizimet mund të jenë një zgjidhje e mirë e problemeve. Për këto katër hidrocentrale, qeveria pret që të marrë një ofertë të majme, nëse kemi parasysh privatizimin e një hidrocentrali të vogël pak kohë më parë, siç është Lasabregasi, i cili u mor nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë me një ofertë 15 milionë euro. Targeti i qeverisë për privatizimin e katër hidrocentraleve që do të jepen përnjëherësh, është që të paktën oferta e njërës prej kompanive pjesëmarrëse në tender të kapë vlerën e 100 milionë eurove. Gjithsesi, se sa do të ofrojnë operatorët pjesëmarrës në tenderin për privatizimin e katër hidrocentraleve pritet që të zbulohet pas dy muajsh kohë, kur do të zhvillohet faza e dytë e tenderit.

HEC-et që privatizohen
. Ulëz

. Shkopet

. Bistrica 1

. Bistrica 2

. Lanabregasi u privatizua
15 milionë euro

© Panorama.al

Te lidhura