Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, po përballet me akuza të reja korrupsioni, rasti i pestë kundër tij. Prokurorët në Kroaci kanë ngritur aktakuzë të re kundër Sanader, duke thënë se ai ka përdorur një marrëveshje korruptuese për pronat e patundshme, për t’i shtuar pasurisë së tij afër 3 milionë dollarë. Sipas prokurorëve, Sanader dhe tre ish-ndihmës të tij akuzohen se kanë përdorur fondet qeveritare për të blerë një ndërtesë me një çmim që ishte “dukshëm më i lartë sesa e kishte vlerën në treg”. Sanader ka udhëhequr qeverinë kroate nga viti 2003-2009. Prokurorët thonë se ai në mënyrë të paligjshme ka fituar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh, përmes një sërë marrëveshjesh korrupsioni, ndërkohë që shërbente si kryeministër. Sanader i ka mohuar akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.











