Shtet laik apo shtet ateist?

Aug 1, 2011 | 10:32

KLODIAN RADO

Ende pa u shuar diskutimet mbi tolerancën, respektin për liritë themelore apo multikulturalizmin që u shkaktuan nga akti terrorist i norvegjezit Breivik, një tjetër ngjarje rinxiti këtë debat në Shqipëri. Përgjatë konstituimit të organeve të zgjedhura të Bashkisë së Tiranës, organit legjislativ (Këshillit Bashkiak) e ekzekutiv (kryetarit), ndodhën dy ngjarje që duket se tërhoqën vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Brenda institucionit të Bashkisë së Tiranës, kryetari i ri në fund të betimit të tij shtoi frazën “Zoti më ndihmoftë!”, ndërsa jashtë saj, disa përkrahës të tij festonin edhe duke prerë një kurban. Lidhur me këto dy sekuenca, reagimi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit duket se ka qenë i përzier, ku të paktën dy qëndrime u ravijëzuan diametralisht kundër. Një grup, përfshirë edhe disa analistë (realë apo të vetëquajtur) të medias, trumbetonin që këto akte, sidomos ai i kurbanit, janë të papranueshme për një shtet laik europian, pikërisht përpara një institucioni shtetëror, duke e krahasuar madje Tiranën me Kabulin. Disa të tjerë, në emër të mbrojtjes së traditës apo të besimit fetar, e konsideronin krejt normal atë akt gëzimi me kurban tek “këmbët” e institucionit, si dhe të drejtë të kryetarit të ri për t’i kërkuar ndihmë Zotit që në krye të punës së tij. Në fakt, gjithë debati i mësipërm duket se vërtitet rreth një parimi, atij të “shtetit laik”. Pra, a mundet të ushtrohen akte të tilla në një shtet laik? Grupi i parë, duke thërritur këtë parim kërkonte të konsideronte si absolutisht të paparanueshëm aktin që ndodhi brenda dhe jashtë Bashkisë së Tiranës, pra betimin në Zot dhe kurbanin jashtë. Ndërsa nga ana tjetër, përkrahësit e këtyre akteve duket sikur komoditetin e argumentit të tyre e gjenin të mbështetur në të drejtën e besimit fetar dhe traditës shqiptare, duke mos e përmendur “shtetin laik”. Por, a ekziston realisht ndonjë konflikt ndërmjet “shtetit laik” dhe lirisë së besimit? Në fund të fundit, çfarë modeli të raportit shtet-fe ka përzgjedhur populli me referendumin në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe a e dhunuan atë kryetari i Bashkisë apo qytetarët? Është tashmë e njohur se historia e besimit fetar në Shqipëri ka ngjyra vërtet unikale, madje në nivel global. Duke filluar që nga viti 1967, regjimi komunist e shpalli de facto Shqipërinë një shtet ateist, ku të gjitha religjionet fetare u identifikuan si importe të huaja për kulturën shqiptare duke u ndaluar tërësisht. Madje, revista mujore “Nëndori” në atë kohë raportonte “me ngazëllim” lajmin se të rinjtë në këtë mënyrë kishin “krijuar të parin popull ateist në botë”. Kulmi u arrit kur edhe de jure Kushtetuta e vitit 1976 në nenin 37 urdhëronte prerazi se: “Shteti nuk njeh asnjë fe në asnjë mënyrë, si dhe ai mbështet propagandën ateiste…”. Vlen të theksohet se ky model unik studiohet edhe sot në auditoret panglobale si “Kushtetuta monstër” në gjithë historinë e njerëzimit, që ndaloi të drejtën e besimit fetar, duke instaluar si “besim zyrtar” mosbesimin në Zot, pra “ateizmin”. Nisur nga një histori e tillë e hidhur, në Kushtetutën e vitit 1998 është treguar një kujdes i posaçëm për të sanksionuar e garantuar lirinë e ndërgjegjes dhe fesë. Hartuesit e Kushtetutës kanë dashur ta bëjnë plotësisht të besueshme shkëputjen e saj nga përvoja e mëparshme e shtetit komunist, duke sanksionuar vlera të reja që realizojnë e garantojnë lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë në mjaft dispozita të saj. Prezenca e një kleriku si kryepeshkopi Anastas në grupin e punës së hartimit të Kushtetutës së 1998-s është një tregues i rëndësishëm për të kuptuar qasjen që ka Kushtetuta shqiptare ndaj të drejtës së besimit. Midis dy ekstremeve të njohura lidhur me raportin shtet-fe në kohë dhe vende të ndryshme, pra “shtetit teist” i cili njeh një fe zyrtare dhe e konsideron sovranitetin si të deleguar nga Zoti, dhe “shtetit ateist” i cili konsideron si “fe” zyrtare mosbesimin në Zot (ateizmin), Kushtetuta shqiptare ka zgjedhur modelin e mesëm, pra “shtetin laik”. Megjithatë, duhet theksuar se ndryshe nga Kushtetuta aktuale franceze, e cila që në nenin 1 deklaron se “Franca është një republikë laike”, Kushtetuta shqiptare nuk e përmend në asnjë vend të saj termin “laik” apo “shtet laik”. Kjo do të thotë se modeli i “shtetit laik” i adaptuar nga Shqipëria është më tepër i bazuar mbi parimin e “ndarjes dhe asnjanësisë” së shtetit nga besimet fetare, model i frymëzuar nga një sërë vendesh demokratike, të gjitha këto të inspiruara nga Kushtetuta e SHBA-së. Modeli i “shtetit laik” shqiptar bazuar në parimin e “ndarjes dhe asnjanësisë”, do të thotë që “në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare” apo që “Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike” (Neni 10/1,2). Është pikërisht kjo e fundit, “shprehja e besimit në jetën publike”, e cila është në fakt thelbi i debatit të mësipërm. Vlen të theksohet se shqiptarët e kanë bërë mjaft të qartë në Kushtetutën e tyre se çfarë do të thotë “shtet laik” dhe si garantohet liria e besimit në të, madje jo vetëm në një dispozitë. Duke nisur që nga preambula (hyrja) e Kushtetutës e deri tek disa dispozita të tjera, sanksionohet se: “Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar”(24/1). Po ashtu, që “Secili është i lirë të (…) shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”(24/2). Madje, “askush nuk mund (…) të ndalohet të (…) bëjë publike bindjet ose besimin e tij” (24/3). Të gjitha këto të çojnë në përfundimin se në Republikën e Shqipërisë, Kushtetuta është e mjaft e qartë në përkufizimin që i bën modelit të saj të raportit shtet-fe. Ky model do të thotë që askush në emër të laicizmit nuk mund të ndalojë qytetarët shqiptarë të publikojnë si në rastin në fjalë, besimin e tyre në Zot, duke u betuar publikisht apo duke kryer ritin e kurbanit. Ky i fundit, i konsideruar edhe nga Gjykata e Strasburgut si rit fetar (çështja Kalac v në Turqi), është pjesë e të gjithë librave të shenjtë pasi është kryer nga Abrahami, i cili njihet si “babai i profetëve” të të gjitha feve monoteiste, siç janë Jehudaizmi, Krishterimi dhe Islami. Duhet cilësuar se modelet e “shteteve laike” më të konsoliduara sot në pikëpamjen e të drejtave themelore si SHBA, Britani e Madhe, Kanada apo mjaft vende të BE-së, e kanë të detyruar me ligj që në institucionet shtetërore, përfshirë ato arsimore, të kenë jo jashtë, por brenda tyre edhe vende lutjeje për të gjitha llojet e besimeve kryesore, pra institucion ku njerëzit mund të kryejnë ritualet e tyre të besimit gjatë punës apo shkollës. Kjo sepse, “shtetit i së drejtës” do të thotë që në qendër të tij është qytetari dhe respekti për dinjitetin njerëzor, qoftë ky në dimensionin trupor apo edhe shpirtëror. Ashtu si në çdo institucion, qenia njerëzore ka nevojë dhe të drejtë të ketë kohën dhe vendin për të ushqyer trupin biologjikisht, po ashtu ka nevojën dhe të drejtën për të pasur vendin dhe kohën e lirë për të ushqyer shpirtin duke iu lutur Zotit. Mjafton që organizmi dhe funksionimi i institucioneve shtetërore të mos kryhet sipas normave fetare, por të kryhet sipas ligjit laik (të miratuar nga sovrani-populli), ku shteti dhe bashkësitë fetare të respektojnë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe të bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. Ky është shteti laik që gjendet i gdhendur sot në Kushtetutën shqiptare, e cila jo vetëm nuk u prek nga aktet e mësipërme, por përkundrazi, e ka për detyrë të garantojë si betimin publik në Zot të zyrtarëve të lartë, duke filluar që nga Presidenti (Neni 88/3), po ashtu edhe ritin fetar publik të kurbanit (Neni 24). Kundërshtarët e akteve që ndodhën brenda apo jashtë Bashkisë së Tiranës, qoftë me dashje, qoftë nga nostalgjia për Kushtetutën e 1976-s, apo akoma më keq, nga mosnjohja e Kushtetutës aktuale të vendit të tyre, ngatërrojnë dy parime që nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, “shtetin laik” me “shtetin ateist”. Ndërsa i pari është sistem, i cili siç u analizua më sipër aplikohet sot në shumicën e vendeve demokratike ku ne synojmë të integrohemi, “shteti ateist” është model i Shqipërisë komuniste, ish-Bashkimit Sovjetik, Republikës Popullore të Kinës, Kamboxhias, Kubës, Afganistanit komunist apo Republikës Popullore të Koresë së Veriut. Shqipëria dhe shqiptarët, tashmë bazuar në Kushtetutën e tyre, Konventën Europiane (KEDNJ-Neni 10) apo Kartën e të Drejtave të BE-së (Neni 10), ku tashmë jemi të asociuar, e kanë të garantuar dhe të paprekshme lirinë e shfaqjes në publik të besimit apo mosbesimit të tyre, qofshin zyrtarë apo qytetarë të zakonshëm.

* Doktorant në të Drejtën Kushtetuese dhe Master në të Drejtën e BE-së, King’s College London

© Panorama.al

Te lidhura