Shtesa e fondeve për rrugën Fier-Tepelenë, 124 vota në Kuvend

Sep 14, 2012 | 11:24

Pas një debati që zgjati për rreth tri orë, Parlamenti miratoi dje me konsensus dy projektligjet e qeverisë për financimin e bypass-it të Fierit dhe projektligjin e dytë për financimin e aksit Levan-Tepelenë. Projektligji i parë mori 124 vota pro dhe asnjë kundër. Gjatë procesit të votimit ra në sy fakti se kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, nuk mori pjesë në votim. Ndërkohë që projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 2 në kontratën financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI), për financimin e projektit të rrugës Fier-Tepelenë”, u miratua me 122 vota pro. Në Parlament ishin të pranishëm 126 deputetë dhe gjatë këtij votimit të projektligjit nuk kanë votuar katër deputetë të PS-së, përkatësisht nga Grupi i socialistëve nuk votoi sekretari i Grupit, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj. Ndërkohë që projektligji i fundit për taksat kombëtare është miratuar vetëm me 71 vota pro. Edhe pse socialistët ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit, ata nuk patën mundësi të votonin për shkak se hoqën kartat nga votimi i kaluar dhe u larguan nga salla, duke “harruar” të votonin për projektligjin e fundit.

© Panorama.al

Te lidhura