‘Shtëpia e verdhë’ kundër hetimeve të EULEX

May 12, 2012 | 10:33

GURRE E VOGEL- Familjarët e së ashtuquajturës ”Shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Vogël të Matit deklarojnë se do të kundërshtojnë kontrollin e shtëpisë së tyre nga prokurorët e Task Forcës së EULEX-it për të hetuar në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty për trafik organesh.

Deklarata e tyre vjen vetëm një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet Ligjin për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it. Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit John Clint Williamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martit.

Mersim Katuçi, djali i madh i “Shtëpisë së verdhë” aq shumë të përfolur, ka deklaruar për “Kohën Ditore” se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë. Djali i madh i Katuçëve ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit  e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së.

© Panorama.al

Te lidhura