“Shtëpia e Verdhë”, Katuci: Do të nis grevë urie

Aug 21, 2012 | 11:16
Shtepia e familjes Katuci

Familja Katuci, pronare e të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” në Gurrë të Matit ka paralajmëruar një grevë urie.

Kryefamiljari, Abdullah Katuci ka kërkuar që t’i jepet fund ankthit 8 vjecar të hetimeve që prokurorët dhe hetuesit e EULEX kanë nisur ndaj akuzave të ish-senatorit Dick Marty për transplant organesh njerëzore.

E vetmja zgjidhe që i ka mbetur familjes time është greva e urisë, thotë Katuci.

Pronari i “Shtëpisë së Verdhë” deklaroi se i ka dërguar letër kryeministrit të vendit, Sali Berisha dhe Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Ai kërkon edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të hetojë akuzat dhe t’i japë fund kësaj historie duke zbardhur të vërtetën.

Familja Katuci u vu në qendër të vëmendjes pas publikimit të raportit të senatorit Dick Marty, i cili në raportin e tij thekson se “Shtëpia e Verdhë” është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë Krujë, 20 km larg Tiranës.

© Panorama.al

Te lidhura