Shtëpia e Flamurit në Korçë, Ministria: Do të rindërtohet

Aug 23, 2012 | 14:01
Protesta e djeshme në Korçë

Ministria e Kulturës do të rindërtojë shtëpinë e patriotit Themistokli Gërmenji. Pas 1 jave nga rrënimi në rrethana ende të pazbardhura dhe protestave të vazhdueshme të qytetarëve korçarë, është marrë vendimi për ringritjen e godinës ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës. Gjatë paradites së djeshme, një grup i madh intelektualësh të qytetit u mblodhën në bulevardin para rrënojave të mbetura të ndërtesës për të protestuar dhe kërkuar reagimin e institucioneve në mënyrë që të bëhet i mundur rikonstruksioni i kësaj ndërtese, por edhe rikthimi i vlerave të saj historike. “Ne jemi ngritur në këtë protestë si qytetarë dhe po përcjellim një mesazh për ato institucione që kanë për detyrë që të mbrojnë trashëgiminë kulturore. Themistokli Gërmenji këtu ngriti flamurin, duke shënuar kështu historinë e qytetit, por ende nuk është shpallur hero i popullit. Ndër vite kjo ndërtesë është shkatërruar pak nga pak. Fillimisht ajo ka funksionuar si muze, por reliket e saj janë zhdukur. Më tej, ajo u kthye në bilardo, u pasua nga një parukeri dhe në fund u bë një argjendari. Por, ne nuk do të lejojmë që kjo ndërtesë të shndërrohet në një bunker betoni. Do t’i dërgojmë Kryeministrit të vendit një letër të firmosur nga intelektualë të qytetit të Korçës, për të mësuar ç’do të bëhet me këtë godinë”, u shpreh Niko Kotherja, një prej koleksionistëve dhe historianëve të qytetit të Korçës. Pak kohë pas protestës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me anë të një njoftimi për shtyp bëri të ditur faktin se ky institucion së shpejt do të hartojë projektin për rindërtimin e Banesës së Flamurit në Korçë. “Në datën 16 gusht është konstatuar nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Korçë se banesa ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës në vitin 1916 ishte shembur. Banesa është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, me një urdhëresë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në datë 8.1.1977. MTKRS-ja, në zbatim të ligjit ‘Për trashëgiminë kulturore’ dhe vendimit të qeverisë ‘Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Korçës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj’, do të hartojë projektin e banesës dhe do të bashkëpunojë me Bashkinë e Korçës për rindërtimin e saj”.

Hetimet
Mësohet se Prokuroria e Korçës po vijon hetimet për shembjen e ndërtesës. Veç rojës, janë marrë në pyetje dhe persona të tjerë. Burime të brendshme të grupit hetimor thonë se është identifikuar mjeti që më 16 gusht dëmtoi shtëpinë e Themistokli Gërmenjit.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura