
Britanikja “The Mirror” trajton sot historinë e një shtetasi shqiptar, i cili pas kryerjes së disa krimeve, 12 muajve burg, riatdhesimit dhe kthimit prapë në Angli ilegalisht, autoritetet britanike nuk mund ta kthejnë në Shqipëri.
Kjo, vetëm e vetëm se ai ka një fëmijë me një grua angleze, dhe nëse do të kthehej në Shqipëri, veprimi do të ishte në shkelje të të drejtave të tij. Së fundi gjykata ka vendosur në favor te shqiptarit, duke i dhënë të drejtën të qëndrojë.
“Mirror” shkruan se, Florian Abazi, 27 vjeç ka shërbyer 4 vite për vjedhje në vitin 2005 dhe i është ofruar një pagesë prej 750 stërlinash për tu kthyer në Shqipëri, ku edhe do të përfundonte dënimin e tij.
Por ai është kthyer sërish ilegalisht në Britani, duke jetuar për disa vite. Është arrestuar sërish nga policia ku ka vuajtur 12 muaj burg për mashtrim me lojrat e fatit.
Pas dënimit të tij, ministria e Brendshme britanike ka urdhëruar dëbimin e tij, por ai e ka kundërshtuar, me pretendimin se ka një vajzë me një grua angleze, dhe duke e dërguar përsëri atë në Shqipëri, do të shkelej e drejta e tij për të jetuar me familjen.
Ai fitoi, dhe është lejuar të qëndrojë, shkruan Mirror. Shmangia e riatdhesimit nga kriminelët e huaj, ka shtuar frikën tek qeveria britanike.
Ne maj, është zbuluar se më shumë se 100 kriminelë të huaj të cilët përballen me riatdhesimin janë lënë të lirë për shkak të vendimeve në favor te tyre.
Agjencia britanike e kufijve është shprehur mjaft e zhgënjyer për vendimin e fundit të Gjykatës. Por një zëdhënës i saj, sipas Mirror, ka thenë se janë paraqitur tashmë rregullat e reja, të forta për emigracionin, që do të korrigjojnë ekuilibrat.
© Panorama.al











